Kremlini ka thënë të enjten se Ukraina do të duhet të negociojë me Rusinë "herët a vonë", duke parashikuar se pozicioni negociues i Kievit do të përkeqësohet çdo ditë.
Moska, forcat e së cilës po përpiqen të marrin kontrollin e qytetit të Pokrovskut në Ukrainën lindore, ka akuzuar zyrtarët ukrainas se refuzojnë të angazhohen në bisedime paqeje.
Kievi thotë se kushtet e Moskës për t'i dhënë fund luftës janë të papranueshme dhe të barabarta me kërkesën për t'u dorëzuar, raporton Reuters.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve të enjten se Rusia mbetet e hapur për një zgjidhje politike dhe diplomatike dhe dëshiron paqe.
Por në mungesë të një mundësie të tillë, ai ka shtuar se Rusia do të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur sigurinë e saj për të mirën e brezave të ardhshëm.
"...pala ukrainase duhet ta dijë se herët a vonë do të duhet të negociojë, por nga një pozicion shumë më i keq. Pozicioni i regjimit të Kievit do të përkeqësohet dita-ditës", ka deklaruar Peskov.
Përpjekjet për paqe në Ukrainë kanë ngecur. Presidenti amerikan, Donald Trump, është përpjekur shumë këtë vit që të ulë palët ndërluftuese për negociata, mirëpo nuk ka arritur ta bëjë këtë me presidentin rus, Vladimir Putin dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Trumpi dhe Putini kanë pasur një samit më 15 gusht në Alaskë, dhe pavarësisht se ishte paralajmëruar për një samit tjetër në Budapest të Hungarisë muajin e kaluar, ai është shtyrë pa ndonjë afat kohor.
Trumpi ka thënë pas anulimit se nuk ka kohë për të humbur me takime të kota.