Një ndihmës presidencial rus ka hedhur poshtë pretendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump se Vladimir Putin, Kim Jong Un dhe Xi Jinping po bëjnë plane kundër Amerikës.
Teksa parada ushtarake e Kinës u mbajt mëngjesin e së mërkurës në Pekin, Trumpi ka postuar në Truth Social duke thënë se liderët lindorë të mbledhur atje po bëjnë plane kundër SHBA-së.
"Presidenti Xi dhe populli i mrekullueshëm i Kinës paçin një ditë të madhe dhe të qëndrueshme feste. Ju lutem dërgojini përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit, teksa bëjnë plane kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Trumpi.
“Dua të them se nuk janë organizuar komplote, askush nuk ka bërë plane kundër, asnjë komplot, dhe për më tepër, asnjë nga këta tre udhëheqës nuk ka menduar fare për të tilla mendime”, ka thënë ndihmësi presidencial i Putinit, Dmitry Ushakov kur është pyetur për reagimin e Trumpit.
"Për më tepër, mund të them se të gjithë e kuptojnë rolin që luajnë Shtetet e Bashkuara, administrata aktuale e presidentit Trump dhe presidenti Trump personalisht në dinamikën aktuale ndërkombëtare", ka shtuar ai.
