Moska zyrtare ka hedhur poshtë të të mërkurën një raport të Axios se Shtetet e Bashkuara po punojnë për një plan paqeje prej 28 pikash për Ukrainën dhe ka thënë se nuk ka zhvillime të reja për të njoftuar që nga samiti i gushtit midis Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit.
Përpjekjet e Trumpit për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës në Ukrainë, konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, deri më tani kanë dështuar, dhe muajin e kaluar ai anuloi papritur një samit të planifikuar me Putinin në Budapest.
Trumpi është përplasur në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në shkurt, por kohët e fundit ka shprehur zhgënjim dhe frustrim me Putinin, megjithëse ka thënë vazhdimisht se shpreson t'i japë fund luftës.
Kur është pyetur drejtpërdrejt nëse ishte e vërtetë, siç raportohet nga Axios, se një diskutim konceptual kishte çuar në propozime të reja për paqen që po hidheshin në letër, zëdhënësi i Kremlinit
Dmitry Peskov ka thënë se nuk ka asgjë të re lidhur me përpjekjet për paqe.
"Deri më tani nuk ka risi në këtë që mund t'ju raportohen”, është shprehur ai.
Gati katër vjet që kur Putinii dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, forcat ruse po përparojnë dhe kontrollojnë rreth 19% të Ukrainës.
Moska thotë se katër nga rajonet e saj tani janë ligjërisht pjesë e Rusisë, megjithëse Ukraina dhe fuqitë e Evropës Perëndimore thonë se nuk do ta pranojnë kurrë zyrtarisht këtë.
Putini i ka përcaktuar kushtet e tij kryesore në qershor 2024, duke kërkuar që Kievi të heqë dorë nga planet e tij për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të dhe të tërheqë trupat nga të gjitha katër provincat që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë: Donetsku dhe Luhansku në Ukrainën lindore - të cilat përbëjnë Donbasin - plus Kherson dhe Zaporizhzhia në jug.