Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po punojnë fshehurazi për zhvillimin e një plani të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainës, i kanë thënë “Axios” zyrtarët amerikanë dhe rusë.
Plani i ri amerikan përmban 28 pika, frymëzuar nga përpjekjet e suksesshme të administratës Trump për të arritur marrëveshje në Gaza. Një zyrtar i lartë rus u shpreh optimist për planin. Ende nuk është e qartë se si do të pozicionohet Ukraina dhe aleatët evropianë.
Sipas burimeve, 28 pikat e planit ndahen në katër kategori: paqja në Ukrainë, garancitë e sigurisë, siguria në Evropë dhe marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën.
Nuk është e qartë se si plani trajton çështje të diskutueshme siç është kontrolli territorial në Ukrainën lindore, ku forcat ruse po përparojnë ngadalë, por ende mbajnë dukshëm më pak territor sesa ka kërkuar Kremlini.
I dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, po udhëheq hartimin e planit dhe e ka diskutuar atë në detaje me të dërguarin rus Kirill Dmitriev, ka thënë një zyrtar amerikan.
Dmitriev, i cili drejton një fond sovran rus të pasurisë dhe është shumë i përfshirë në diplomacinë mbi Ukrainën, ka thënë në një intervistë me “Axios” të hënën se kaloi tre ditë në diskutime intensive me Witkoffin dhe anëtarë të tjerë të ekipit të Trumpit gjatë vizitës në Miami në tetor.
Dmitriev shprehu optimizëm në lidhje me shanset e suksesit të marrëveshjes sepse, ndryshe nga përpjekjet e mëparshme, mendon se qëndrimi rus po dëgjohet vërtet.
Witkoffi pritej të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Turqi të mërkurën, por e shtyu udhëtimin, thanë zyrtarë ukrainas dhe amerikanë.
I dërguari i Trumpit diskutoi planin me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Zelenskyt, Rustem Umerov, në një takim më parë këtë javë në Miami, konfirmoi një zyrtar ukrainas për Axios.
“Ne e dimë që amerikanët po punojnë për diçka”, ka thënë zyrtari ukrainas.