Konservatorët e kancelarit, Friedrich Merz kanë rënë në vendin e dytë pas të djathtës ekstreme të Gjermanisë, në një sondazh të zhvilluar në ditën e tij të njëqindtë në detyrë.
Sondazhi i Forsa, i cili e renditi Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë në 26%, dy pikë më lart se konservatorët, vjen përpara një sezoni politik që do të dominohet nga vendime të vështira për rigjallërimin e një ekonomie të dobësuar dhe ndarjen e shkurtimeve të dhimbshme të shpenzimeve, raporton Reuters.
Vendimi i Merzit javën e kaluar për të pezulluar dërgesat e armëve në Izrael pasi ky shtet njoftoi planet për të pushtuar plotësisht Gazën, ishte mirëpritur midis votuesve, por zemëroi aleatët konservatorë që e panë atë si një tradhti të detyrimeve historike të Gjermanisë.
Koalicioni dypalësh i Merzit me Social Demokratët ka shënuar disa fitore të mëdha: Edhe para se të merrte detyrën, ai arriti të thyejë një traditë të gjatë të shtrëngimit fiskal duke miratuar një paketë borxhi prej gati trilion eurosh për të nxitur ekonominë dhe për të financuar mbështetjen për Ukrainën.
Kancelari ka një figurë më të sigurt në skenën ndërkombëtare sesa paraardhësi i tij socialdemokrat, Olaf Scholz, duke luajtur një rol qendror në përpjekjet për të mbledhur vendet evropiane për të formuar një front të bashkuar në mbrojtje të Ukrainës, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lëkundet në mbështetjen e tij.
Në politikën e brendshme, qeveria e Merzit ka qenë e zëshme në lidhje me dëshirën e saj për të ulur imigracionin, duke planifikuar shkurtime të përfitimeve në dispozicion të refugjatëve të luftës ukrainase, për shembull.
"E djathta ekstreme tani është përpara konservatorëve falë politikave të tyre të migracionit dhe ekonomisë", ka shkruar aktivisti i krahut të majtë Christoph Bautz në mediat sociale.
"Tani do të ishte një kohë e mirë që qeveria të heqë dorë nga kursi i saj i luftës kulturore dhe të lëshojë terren ndaj të djathtës ekstreme", ka shtuar ai.
Nuk është hera e parë që AfD-ja ka del përpara konservatorëve në sondazhe, pasi ka dalë gjithashtu e para në sondazhin e Forsas në prill.
Testi i madh zgjedhor i radhës i Gjermanisë është një votim rajonal në shtetin jugperëndimor të Baden-Wuerttemberg në mars 2026, i pari nga pesë nga 16 shtetet e Gjermanisë që do të shkojnë në zgjedhje vitin e ardhshëm.
Edhe pse Merzi mori detyrën duke premtuar se do të ishte më afër instinkteve konservatore doktrinare sesa Angela Merkel, kancelarja e fundit e qendrës së djathtë e Gjermanisë, lëvizja e borxhit ishte e para nga shumë që mbolli dyshime në mendjet e mbështetësve të krahut të djathtë.
Vetëm 29% e të anketuarve në një sondazh të fundjavës të DeutschlandTrend për televizionin ARD e mendonin atë si një menaxher të mirë krizash.
Popullariteti i tij personal u mat në 32%, shumë më poshtë se Scholzi ose Merkeli në ditën e tyre të 100-të, kur ata shënuan përkatësisht 56% dhe 74%.