Po mbahen të dielën zgjedhje lokale në dy lande të tjera gjermane, të cilat mund të shtojnë presionin politik mbi kancelarin, Friedrich Merz.
Sondazhet në Berlin dhe në landin e Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore tregojnë se Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU) i Merz-it rrezikon të pësojë humbje të rënda, çka do të ngrinte pikëpyetje të reja mbi të ardhmen e kancelarit.
Këto zgjedhje vijnë pasi partia e ekstremit të djathtë "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) arriti një fitore të madhe në landin e Saksonisë-Anhalt dy javë më parë, ndërsa CDU-ja pa numrin e votave të saj të përgjysmohej.
Në Gjermani ka pasur spekulime se Merzi mund të zëvendësohet në postin e kancelarit para përfundimit të mandatit, nëse nuk përmirësohet situata politike e CDU-së.
Ai ka deklaruar se do të vazhdojë detyrën, por përballet me nivele të ulëta mbështetjeje mes zërave për një të ashtuquajtur ndërrim të kancelarit, ndonëse rivalët e tij "ende hezitojnë", siç raporton faqja gjermane e lajmeve Tagesschau.
Sipas sondazheve, konservatorët e Merzit mund ta humbasin pushtetin në Berlin, pasi po garojnë kokë më kokë me partinë "Die Linke" (E Majta) për vendin e parë.
Ndërkohë, në landin verilindor të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore, CDU-ja mezi po qëndron mbi pragun prej 5% të nevojshëm për hyrjen në parlamentin e landit. Kjo mund të rezultojë në humbjen më të rëndë të tyre ndonjëherë në zgjedhjet e një landi.
Friedrich Merzit po i duhet të japë llogari për rënien e popullaritetit të partisë së tij, ndërsa forca politike që ai synonte të kundërshtonte, AfD-ja, vazhdon të rritet.
Disa degë të AfD-së klasifikohen si ekstremiste të djathta nga shërbimet e brendshme të inteligjencës, një etiketim që vetë partia e hedh poshtë me forcë.
Megjithatë, agjenda e saj kundër emigracionit, pro-ruse dhe me parimin "Gjermania e para", ka gjetur terren pjellor në zonat e ish-Gjermanisë Lindore komuniste.
AfD-ja shpreson të përfitojë nga fitorja e saj dërrmuese e kohëve të fundit në Saksoni-Anhalt, duke kryesuar sondazhet edhe në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore.
Megjithatë, partia socialdemokrate (SPD) e qendrës së majtë ka bërë një rikthim të vonshëm dhe po garon për vendin e parë përmes kandidates së saj kryesore, Manuela Schwesig.
Schesig, e cila aktualisht mban postin e kryeministres së landit, po përpiqet të tërheqë votat kundër AfD-së, duke u prezantuar si "Die Frau gegen Blau" – "Gruaja kundër së Kaltrës" (ngjyra që përfaqëson AfD-në). Por popullariteti i saj në nivel lokal bie në kundërshtim me gjendjen shumë më të dobët të partisë së saj në nivel kombëtar, e cila është e ngujuar në një koalicion pa dashuri me CDU-në e Merzit.