Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Merz e quan “katastrofë” rezultatin e CDU-së, por premton se do të qëndrojë në detyrë

Friedrich Merz

Kancelari gjerman Friedrich Merz

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se do të qëndrojë në detyrë, pavarësisht rezultateve të dobëta të CDU-së në dy zgjedhje rajonale në Gjermani, të cilat kanë shtuar presionin ndaj tij dhe partisë së tij.

Në landin verilindor Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, CDU-ja pritet të ketë rezultatin më të dobët në historinë e saj në këtë land, ndërsa partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), pritet të dalë forcë e parë.

Merz e cilësoi rezultatin si një “katastrofë” për partinë e tij. Megjithatë, ai tha se nuk ka ndërmend të largohet dhe se do të vazhdojë të zbatojë planin e qeverisë së koalicionit për reformat ekonomike, tatimore dhe sociale, raportoi të dielën BBC-ja.

“Reformat duhet të vijnë”, deklaroi Merz, duke shtuar se po merr përgjegjësinë për ta çuar Gjermaninë përpara.

Ai theksoi se vendi ka nevojë për “vendosmëri, qëndrueshmëri dhe durim”, duke deklaruar se do ta dëshmojë këtë si kryetar i CDU-së dhe, mbi të gjitha, si kancelar i Gjermanisë.

Në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, transmetuesit publikë ZDF dhe ARD e vendosën AfD-në në krye me rreth 38% të votave, e ndjekur nga SPD-ja me 36%. CDU-ja pritej të merrte vetëm 5% të votave.

Nëse këto rezultate konfirmohen, do të ishte hera e parë që AfD-ja do të siguronte përqindjen më të madhe të votave në këtë land. 

Megjithatë, formimi i një qeverie nga AfD-ja mbetet i pamundur në praktikë, pasi partitë e tjera kanë refuzuar të bashkëpunojnë me të.

Rezultatet e së dielës vijnë vetëm dy javë pasi CDU-ja pësoi një rënie të fortë të mbështetjes në Saksoni-Anhalt, ku AfD-ja shënoi fitore të rëndësishme.