Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën nuk e reflekton gjendjen reale në terren. Ai ka thënë se Komisioni Evropian është konservativ në nota.
Zulfaj ka thënë se do të ketë diskutime me zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për mënyrën se si e reflektojnë inputin që jep Kosova.
“Në vlerat themelore, si demokracia, sundimi i ligjit e vlerat fundamentale të BE-së ne qëndrojmë shumë mirë. Në këtë pikë Raporti i Progresit apo i vendit do të duhej të reflektonte këtë. Mirëpo, ajo që vërejmë në raport është një vlerësim i përgjithshëm i gjendje me nuanca në përshkrim. Do të kem diskutime me Zyrën e Be-së për mënyrën se si e reflektojnë inputin që ne e japim. Sepse ka shumë rëndësi që Raporti të reflektojë gjendjen reale çfarë kemi. Mendoj se janë konservativ në nota”, tha Zulfaj në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Zulfaj ka thënë se Kosova është vendi i vetëm prej gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor që ka shënuar ngritje në lirën e shprehjes, 15 vende sipas matjes së Gazetarëve pa Kufij.
“Nëse kjo është matja, atëherë Kosova do të duhej të kishte nota shumë më të larta në notimin e Komisionit Evropian”, tha Zulfaj.
Edhe
Ku ngeci e ku përparoi Kosova sipas Raportit të Progresit? - sonte në Interaktiv, Jeton Zulfaj
Zulfaj në Interaktiv ka folur edhe për pengesat që po i ka Kosova në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se një pengesë është mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së: Greqia, Qipro, Sllovakia, Spanja dhe Rumania.
“Ne kemi punuar që të hapet rruga deri në Traktatin e anëtarësimit, që është akti final, e ku çështjet bëhen më bilaterale brenda BE-së...Rruga deri atje nuk është bilaterale, është brenda institucioneve të përbashkët të Bashkimit Evropian. Po punojmë që ky të jetë argumenti, e të jetë argumenti edhe i institucioneve të BE-së dhe i vendeve që ende nuk na kanë njohur”.
Ai ka thënë se ka progres në këtë drejtim.
E dyta ai ka përmend dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se në këtë drejtim ka kërkuar që dialogu të mos jetë pengesë në të gjithë kapitujt, por të jetë në një kapitull të veçantë që ka të bëjë me çështjet bilaterale.
Edhe
Jeton Zulfaj sot në “60 Minuta” për Raportin e Progresit
Aplikacioni i Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE ende nuk është shqyrtuar, ndonëse Kosova aplikoi zyrtarisht në dhjetor të vitit 2022. Zulfaj ka thënë se kjo nuk do të thotë që duhet ndalur reformat.
“Ne po kryejmë reformat për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. Kemi rritjen më të lartë ekonomike në rajon në dekadën e fundit. Edhe avancimin më të madh demokratik. Është e matshme kjo. Statusi kandidat nuk duhet të shihet pikë të cilën po nuk na dhanë s’po bëjmë asgjë, s’po ecim...Aplikimi nuk është në sirtarin tonë, është në sirtarin e BE-së. Duhet parë situata pak më gjerë. Pikërisht që është në sirtar të BE-së po presim që të përshpejtojmë me reformat”, tha Zulfaj.