Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Merzi në vështirësi pas fitores së parë të një partie të ekstremit të djathtë që nga epoka naziste

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, po përballet të hënën me një situatë të vështirë, pasi partia e tij u mposht thellë nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet rajonale, rezultat që mund t’i hapë rrugën partisë së ekstremit të djathtë për të udhëhequr qeverinë e parë rajonale të së djathtës ekstreme në Gjermani që nga epoka naziste.

AfD-ja, e klasifikuar nga agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme si një grup ekstremist, mbeti fare pranë shumicës absolute në zgjedhjet e së dielës në landin lindor të Saksonisë-Anhalt.

Megjithatë, përpara janë bisedime të ndërlikuara për formimin e koalicionit, ndërsa kandidati i AfD-së për postin e kryeministrit të landit, Ulrich Siegmund, synon ende të bëhet kreu i parë i një qeverie rajonale nga kjo parti e ekstremit të djathtë.

“Është shumë e qartë se duam që votuesit, më në fund, pas zgjedhjeve të marrin atë për të cilën votuan”, ka thënë Siegmund për transmetuesin publik ZDF të dielën në mbrëmje. 

“Mbi 44% votuan për ndryshimin politik... dhe kjo duhet të zbatohet pas zgjedhjeve”, ka shtuar ai.

Edhe E djathta ekstreme në Gjermani me fitore të madhe në lindje, por nuk arrin shumicën Botë E djathta ekstreme në Gjermani me fitore të madhe në lindje, por nuk arrin shumicën

Rezultati dobëson kancelarin Merz, i cili pritet të mbajë një pjesë të përgjegjësisë për humbjen historike të partisë së tij, pasi CDU-ja ka udhëhequr landin për 24 vjetët e fundit.

Partia e qendrës së djathtë e Merzit, Unioni Kristian Demokrat (CDU), ka përgjysmuar rezultatin e saj elektoral, ndërsa AfD-ja më shumë se ka dyfishuar pjesën e saj të votave. Rezultati mund t’i japë gjithashtu një shtysë AfD-së në zgjedhjet e tjera rajonale që do të zhvillohen më vonë këtë muaj.

Merzi pritet të komentojë rezultatin e zgjedhjeve të hënën, pas takimeve me drejtuesit e partisë dhe të qeverisë.

AfD-ja, e njohur për qëndrimin e saj pro-rus dhe për politikat radikale kundër emigracionit, është partia më e madhe opozitare në parlamentin federal gjerman dhe ka mbështetjen më të madhe në pjesën lindore të vendit, dikur pjesë e Gjermanisë komuniste dhe ekonomikisht më pak të zhvilluar, ku ndodhet edhe Saksonia-Anhalt.

Në ditët dhe ndoshta javët e ardhshme priten bisedime të vështira për formimin e qeverisë së landit.

Udhëheqja e një qeverie rajonale do të ishte fitorja më e madhe politike e AfD-së në historinë e saj 13-vjeçare. Kjo ndodh në një kohë kur pakënaqësia ndaj qeverisë kombëtare është e përhapur dhe ajo ende nuk ka arritur t’i bindë votuesit se mund ta nxjerrë ekonominë gjermane nga stagnimi. 

Edhe pse Siegmund ka përjashtuar mundësinë e një qeverie minoritare të AfD-së, partia e tij mund të qeverisë me partinë e së majtës radikale BSË. Të dyja partitë ndajnë një qëndrim miqësor ndaj Rusisë dhe kundërshtojnë emigracionin, megjithëse nuk bien dakord për disa çështje të tjera.

Edhe Franca e shqetësuar nga fitorja e së djathtës ekstreme në Gjermani Botë Franca e shqetësuar nga fitorja e së djathtës ekstreme në Gjermani

Formimi i një qeverie që përjashton AfD-në do të ishte i mundur vetëm nëse të gjitha partitë e tjera të zgjedhura do të bashkoheshin: CDU-ja, Social Demokratët, të Gjelbrit, Partia e Majtë dhe BSË-ja.

Megjithatë, një koalicion me pesë parti do të ishte jashtëzakonisht i pazakontë, shumë i ndërlikuar dhe vështirë të imagjinohej.

Lexo përditësimet tjera
afd

E djathta ekstreme në Gjermani me fitore të madhe në lindje, por nuk arrin shumicën

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka shënuar një fitore bindëse në landin...