Një vendim i marrë pas Luftës së Dytë Botërore për ripyllëzimin masiv të Japonisë me vetëm dy lloje pemësh po vazhdon të ketë pasoja edhe sot. Miliona japonezë vuajnë nga alergjitë sezonale të shkaktuara nga poleni, ndërsa vendi po përballet me sfidën e rikthimit të pyjeve më natyrore dhe më të larmishme
Një vendim i marrë para 70 vjetësh për të ripyllëzuar zona të mëdha të Japonisë vetëm me dy lloje pemësh, sot është kthyer në një problem serioz për vendin.
Në shkurt, në Japoni u bënë virale video ku dukej sikur re tymi po ngriheshin mbi pyjet me gjelbërim të përhershëm. Por nuk ishte tym, ishte polen. Këto pamje shërbyen si paralajmërim për dhjetëra miliona banorë: të përgatiteshin me maska dhe ilaçe kundër alergjive.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoÇdo pranverë, e cila po vjen gjithnjë e më herët në Japoni për shkak të ndryshimeve klimatike – në rrugët e qyteteve sheh njerëz të të gjitha moshave me maska në fytyrë. Arsyeja janë alergjitë sezonale, të shkaktuara nga sasia e madhe e polenit.
Kjo gjendje, e njohur edhe si rinit alergjik, është kthyer në një krizë kombëtare. Vlerësohet se rreth 43% e popullsisë japoneze përjeton simptoma mesatare ose të rënda. Për krahasim, në Britani kjo shifër është 26%, ndërsa në SHBA rreth 12-18%.
Përveç shqetësimeve fizike, alergjitë shkaktojnë mungesë gjumi, probleme me përqendrimin dhe rrisin rrezikun për sëmundje të tjera si astma apo alergjitë ushqimore. Gjatë kulmit të sezonit të polenit, ndikimi ekonomik në Japoni – nga mungesat në punë dhe ulja e konsumit – arrin deri në 1.6 miliard dollarë në ditë.
Por pse Japonia ka kaq shumë probleme me alergjitë?
Arsyeja nuk lidhet aq me ndotjen, shëndetin apo natyrën, sa me vendimet e marra menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
Një krizë e nënvlerësuar
Gjatë luftës, mungesa e naftës dhe gazit e detyroi Japoninë të përdorte pyjet si burim kryesor karburanti për ekonomitë familjare dhe industrinë. Si pasojë, shumë pyje natyrore u shkatërruan, ndërsa malet përreth qyteteve si Tokio, Osaka dhe Kobe mbetën pothuajse të zhveshura nga pemët.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë male në Japoni mbetën të zhveshura, duke shkaktuar fatkeqësi natyrore në rajone të ndryshme”, thotë Noriko Sato, profesore dhe studiuese e pylltarisë në Universitetin Kyushu në Fukuoka. Malet pa pyje rrisin rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve.
Për të parandaluar erozionin e tokës, qeveria nisi një program masiv ripyllëzimi. Ajo zgjodhi të mbillte kryesisht dy lloje pemësh vendase me rritje të shpejtë: Sugi – kedri japonez dhe Hinoki – selvia japoneze. Këto pemë rriteshin shpejt dhe siguronin dru për ndërtim.
Sot, pyjet me sugi dhe hinoki mbulojnë rreth 10 milionë hektarë – afërsisht një të pestën e gjithë territorit japonez.

Problemi është se këto pemë prodhojnë sasi shumë të mëdha poleni të lehtë, i cili transportohet lehtësisht nga era drejt qyteteve. Plantacionet monokulturë – zona të mëdha me vetëm një lloj peme – lëshojnë polenin pothuajse njëkohësisht, duke shkaktuar shpërthime të forta alergjish.
Situata është përkeqësuar sepse këto pemë fillojnë të prodhojnë shumë më tepër polen pasi arrijnë moshën 30-vjeçare – dhe sot shumica e tyre janë pikërisht në këtë fazë.
“Alergjitë nga poleni janë bërë një problem kombëtar shëndetësor në Japoni”, thotë Sato. “Zgjidhja e këtij problemi është urgjente”.
Në vitin 2023, qeveria japoneze i shpalli alergjitë një problem madhor shoqëror dhe vendosi një objektiv ambicioz: uljen e nivelit të polenit me 50% brenda 30 viteve. Hapi i parë është zvogëlimi me 20% i sipërfaqeve të mbjella me sugi.
Por zëvendësimi i pyjeve që mbulojnë më shumë se 2% të territorit të Japonisë brenda vetëm 10 vitesh është një sfidë gjigante. Për më tepër, pemët nuk mund të priten thjesht pa u zëvendësuar, sepse kjo do të rriste rrezikun e erozionit dhe do të dëmtonte objektivat klimatike të vendit.
Rikthimi i jetës në pyje
Ecja nëpër pyjet me sugi apo hinoki të krijon një ndjesi të çuditshme. Të gjitha pemët kanë pothuajse të njëjtën lartësi, ka shumë pak zogj ose insekte, ndërsa toka është e mbuluar me shtresa gjethesh të thata. Ka pak dritë dhe pothuajse aspak tinguj.
Kjo bie në kontrast të fortë me pyjet natyrore japoneze, të cilat janë plot biodiversitet dhe jetë. Ato përmbajnë shumë lloje pemësh si pisha e kuqe, larsh dhe panja, duke krijuar habitat për shumë kafshë dhe insekte.
Gjeografia unike e Japonisë e ka bërë vendin një nga zonat më të pasura në botë për biodiversitetin.
Megjithatë, humbja e habitateve dhe speciet invazive kanë vënë në rrezik shumë lloje të egra.
Për këtë arsye, Japonia po përpiqet gradualisht t’i zëvendësojë pyjet monokulturë me pyje më natyrore dhe më të larmishme. Por kjo nuk është e lehtë.
Japonia është një nga vendet industriale më të pyllëzuara në botë: rreth 68% e territorit të saj është i mbuluar me pyje, dhe një e treta e tyre janë plantacione me sugi dhe hinoki. Për krahasim, SHBA-ja ka rreth 34% pyje, ndërsa Britania vetëm 13%.
Në Japoni, pyjet ndodhen shpesh shumë afër qyteteve. Madje ekziston edhe një fjalë japoneze për zonën kalimtare mes qytetit dhe pyllit: satoyama.
Edhe para planit qeveritar të vitit 2023, disa komunitete lokale dhe organizata kishin nisur projekte për rikthimin e biodiversitetit në këto pyje.

Në qytetin e vogël Nishiawakura, në prefekturën Okayama, ku 84% e pyjeve përbëhen vetëm nga sugi dhe hinoki, është krijuar një ekonomi lokale rreth reduktimit të këtyre plantacioneve. Druri përdoret për ngrohje në fermat e ngjalave, për prodhimin e shkopinjve të ngrënies dhe për materiale ndërtimi.
Ndërkohë, në vitin 2020, qyteti portual Kobe nisi një projekt për ta kthyer mbi 180 hektarë pyll plantacioni në pyll natyror me gjethe të gjera, brenda një cikli 15-vjeçar.
Çdo vit, një pjesë e pyllit pastrohet në mënyrë selektive: priten sugi, hinoki dhe specie invazive si bambuja. Pemët vendase me gjethe të gjera lihen të rriten, ndërsa drita që depërton në tokë ndihmon mbirjen e fidanëve të rinj - disa të mbjellë nga punonjësit, të tjerë të sjellë natyrshëm nga zogjtë dhe kafshët.
Edhe pse projekti është vetëm në gjysmë të rrugës, rezultatet kanë qenë inkurajuese.
“Monitorimi i faunës po tregon rikthimin e shumë kafshëve dhe insekteve, përfshirë baldosat, breshkat e ujit, shumë lloje bretkosash dhe insekte të rralla”, thotë Atsushi Okada nga Byroja Mjedisore e qytetit Kobe.
Përveç reduktimit të polenit, projekti synon të ndihmojë Koben të përmbushë objektivin për të mbrojtur 30% të territorit deri në vitin 2030. Pyjet më të larmishme pritet gjithashtu të mbrojnë qytetin nga rrëshqitjet e dheut dhe fatkeqësitë natyrore që mund të shtohen për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sa u përket druve të prerë, ato përdoren për ngrohje, prodhim mobiliesh dhe për qymyrin tradicional japonez “white charcoal”, një lëndë djegëse pa tym që përdoret për skarë dhe potencialisht edhe në procese industriale.
Shpresa e autoriteteve lokale është që, me kalimin e kohës, ky projekt të bëhet ekonomikisht i vetëqëndrueshëm dhe të mos varet më nga fondet publike.
Një sfidë gjigante
Projekte të ngjashme kanë filluar edhe në pjesë të tjera të Japonisë. Në Hotani të Osakës, për shembull, po punohet për rikthimin e ligatinave dhe kullotave natyrore. Ndërkohë, projekti më i madh synon të shndërrojë 10 mijë hektarë pyje plantacioni në prefekturën Gunma në livadhe dhe pyje të përziera me pemë gjetherënëse.
Sipas Akira Morit, profesor i biodiversitetit dhe shërbimeve ekosistemike në Universitetin e Tokios, në të gjithë Japoninë ekzistojnë dhjetëra iniciativa më të vogla me të njëjtin synim.
Që kur qeveria shpalli objektivin për eliminimin e 20% të plantacioneve me sugi dhe hinoki, rreth 980 mijë hektarë pyje me kedër japonez (sugi) janë përcaktuar si zona prioritare për prerje dhe ripyllëzim. Megjithatë, jo të gjitha këto zona po kthehen në pyje natyrore me gjethe të gjera. Një pjesë po mbillet sërish me sugi të ri, por me varietete që prodhojnë pak ose aspak polen.
Ministria japoneze e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit nuk dha informacion mbi sa sipërfaqe janë prerë dhe ripyllëzuar deri tani.
Megjithatë, shumë ekspertë mendojnë se këto përpjekje ende nuk janë në shkallë të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm nivelin e polenit.
Edhe nëse Japonia arrin objektivin e saj, 80% e pyjeve plantacion do të mbeten ende në këmbë. Për këtë arsye, vendi po kërkon edhe mënyra të tjera për të luftuar alergjitë sezonale.
Të dhënat dhe parashikimet mbi përhapjen e polenit po përdoren për të kuptuar më mirë se cilat zona janë më problematike. Kjo u mundëson autoriteteve të identifikojnë dhe presin pyjet që prodhojnë më shumë polen.
Shkencëtarët po eksperimentojnë edhe me spërkatjen e pemëve me substanca që frenojnë prodhimin e polenit.
Në vitin 2023, një kompani japoneze e parashikimit të motit shpërndau mijëra robotë të vegjël për zbulimin e polenit në të gjithë Japoninë. “Sytë” e këtyre robotëve ndryshojnë ngjyrë në varësi të nivelit të polenit në ajër.
Edhe mjekësia po luan një rol të rëndësishëm. Po zhvillohen trajtime të reja për lehtësimin e simptomave të alergjive. Një studim japonez tregoi se tabletat imunoterapeutike që vendosen nën gjuhë vazhdonin të reduktonin simptomat edhe dy vjet pas trajtimit.
Shkencëtarë të tjerë kanë eksperimentuar madje edhe me oriz të modifikuar gjenetikisht, i projektuar për të ndihmuar në zbutjen e simptomave alergjike.
Një tranzicion i kujdesshëm
Kur pyjet me sugi dhe hinoki u mbollën në vitet 1950-1960, ato nuk ishin menduar të qëndronin përgjithmonë. Ideja ishte që pemët të priteshin gradualisht dhe të mbilleshin sërish me kalimin e kohës, siç kishte ndodhur tradicionalisht edhe para luftës.
Por gjatë bumit ekonomik të viteve ’60 dhe ’70, qytete si Kobe dhe Tokio u zgjeruan me shpejtësi. Në atë periudhë u bë më lirë importimi i drurit nga vende të tjera si Malajzia dhe Indonezia, sesa përdorimi i drurit vendas.
Në vitin 2011, Japonia vendosi të zvogëlojë varësinë nga importet dhe të përdorë më shumë dru vendas. Përdorimi i drurit japonez u rrit nga 26% në vitin 2010 në gati 42% në vitin 2020.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se Japonia duhet të shmangë gabimet që janë bërë në Azinë Juglindore, ku kërkesa për dru të lirë ka çuar në prerje masive të pyjeve tropikale.
Junichi Mishiba, koordinator projektesh pranë organizatës mjedisore “Friends of the Earth Japan”, shprehet i shqetësuar se nxitja për prerjen e pemëve po sjell praktika të dëmshme për mjedisin.
“Po shohim një rritje të zonave të prera plotësisht për shkak të politikave që inkurajojnë shfrytëzimin e pyjeve”, thotë ai.
Për të financuar tranzicionin, qeveria japoneze nisi në vitin 2024 mbledhjen e një takse të re prej 1000 jenësh në vit (rreth 6 dollarë) për çdo banor. Këto para përdoren për pylltari të qëndrueshme, reduktimin e plantacioneve dhe mbjelljen e pemëve të reja me nivel të ulët poleni, sidomos pranë zonave urbane.
Megjithatë, sipas profesorit Mori, mbështetja financiare ende nuk është e mjaftueshme. Shumë bashki nuk kanë kapacitetin apo ekspertizën për të planifikuar dhe monitoruar transformime të tilla pyjore.
Një raport i vitit 2023 nga “Forest Declaration Assessment” tregoi se vetëm 30-40% e sipërfaqeve të pyjeve të prera në Japoni janë ripyllëzuar sërish vitet e fundit.
Edhe Mika Akesaka, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin Kobe, thekson se menaxhimi i kujdesshëm i pyjeve është thelbësor. Lënia pa kontroll e pemëve të prera mund të rrisë rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe të ulë aftësinë e tokës për të mbajtur ujë.
Nga ana tjetër, Mishiba druhet se Japonia po fokusohet vetëm tek alergjitë sezonale dhe jo te ekosistemi në tërësi.
“Shteti duhet të mendojë për 50 apo edhe 100 vitet e ardhshme”, thotë ai, duke theksuar rëndësinë e biodiversitetit, klimës dhe komuniteteve që do të jetojnë pranë këtyre pyjeve.
Kërcënimi klimatik
Urgjenca për të vepruar po shtohet edhe për shkak të ndryshimeve klimatike.
Në mbarë botën, ndryshimet e temperaturave dhe motit po ndikojnë në përhapjen e polenit. Japonia regjistroi në vitin 2025 sezonin më të hershëm të shpërndarjes së polenit në histori.
“Përhapja e polenit ndikohet shumë nga temperatura dhe era”, shpjegon Mai Sato nga Shoqata Japoneze e Motit (JWA), e cila publikon rregullisht parashikime për nivelin e polenit.
Ndërkohë, pyjet japoneze luajnë edhe një rol të madh në thithjen e karbonit. Plantacionet me sugi janë përgjegjëse për pothuajse gjysmën e karbonit që thithet çdo vit nga pyjet e Japonisë.
Japonia mbështetet fort tek kjo aftësi për të arritur objektivin e saj për neutralitet klimatik (“net zero”), madje përdor edhe një sistem kreditesh karboni për ta nxitur.
Megjithatë, që nga viti 2004 është vërejtur një rënie graduale e sasisë së karbonit që pyjet arrijnë të thithin. Arsyeja kryesore është plakja e pyjeve: pemët e vjetra thithin më pak karbon.
Studimet tregojnë se rrallimi i pyjeve të vjetra dhe mbjellja e pemëve më të reja e më të larmishme do të jetë thelbësore që pyjet japoneze të vazhdojnë të funksionojnë si “magazina” natyrore të karbonit.
Para viteve 1960, në Japoni nuk ekzistonte as një fjalë për alergjitë sezonale.
Alergjia nga poleni i kedrit japonez u identifikua për herë të parë në vitin 1963 dhe studiuesit e asaj kohe e konsideronin një fenomen të ri për vendin.
Sot, shpresa është që me rikthimin gradual të pyjeve më natyrore dhe më të larmishme, Japonia të mund të shijojë sërish pranverën - pa teshtima dhe pa maska.