Macet dhe qentë mund të jenë alergjikë ndaj polenit, por vendosja e një diagnoze është një proces i gjatë.
Ju keni teshtitur gjithë javën dhe sytë ju lotojnë. Është sezoni i alergjive. Por nuk jeni i vetmi që po vuan. Miqtë tanë me katër këmbë nuk janë të përjashtuar nga alergjitë sezonale. Megjithatë, kjo është vetëm një nga shumë llojet e alergjive që mund t'i prekin, përfshirë disa që mund të mos i prisni. Gjetja e shkakut të vërtetë mund të jetë e ndërlikuar, por po bëhet gjithnjë e më e lehtë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoCilat janë shenjat që kafsha ime mund të ketë alergji?
Tek njerëzit, alergjitë zakonisht shfaqen me teshtima dhe rrjedhje hundësh, por këto simptoma janë më pak të zakonshme te macet dhe qentë. Ata mund të kenë: Sekrecione të shtuara nga sytë, hundë që rrjedh, astmë (sidomos te macet), infeksione të veshëve ose tundje të shpeshta të kokës (sidomos te qentë).
Kruarja e vazhdueshme i shtyn kafshët të lëpijnë, kafshojnë ose gërvishtin këmbët apo pjesë të tjera të trupit. Kjo mund të krijojë zona të skuqura të quajtura "hot spots", të cilat mund të shndërrohen në plagë serioze brenda pak orësh. Nëse nuk trajtohen, bakteret dhe kërpudhat mund të shkaktojnë infeksione të dhimbshme, shkruan BBC.
A është patjetër alergji?
Çdo gjë ndaj së cilës njerëzit mund të jenë alergjikë mund të shkaktojë alergji edhe te kafshët: poleni, bari, parazitët, ushqimi, marimangat e pluhurit e parfumet.
Mund të tundoheni të përdorni testet komerciale të alergjisë për kafshë që reklamohen në rrjetet sociale, por sipas ekspertëve ato nuk janë të besueshme. Në disa raste, ato kanë dhënë të njëjtat rezultate edhe kur janë përdorur mbi lodra prej pelushi.
Gjithashtu, nuk duhet t'i jepni kafshës suaj nga barnat që përdorni vetë, pa këshillën e veterinerit. Shumë gjendje që duken si alergji mund të kenë shkaqe të tjera.
Veterinerët zakonisht kontrollojnë nw fillim për infeksione të lëkurës. Nëse trajtimi i infeksionit ndalon kruarjen, atëherë problemi nuk ishte alergjia.
Hapi i dytë: kontrolli për pleshta dhe marimanga
Edhe nëse qeni juaj është trajtuar kundër pleshtave, ato mund të fshihen në shtëpi ose te kafshët e tjera, veçanërisht te macet. Disa qen zhvillojnë ndjeshmëri ndaj pështymës së pleshtave dhe një pickim i vetëm mund të shkaktojë kruarje të forta.
Disa lloje pleshtash janë gjithashtu sezonale, gjë që mund t'ju bëjë të mendoni gabimisht se shkaku është poleni.
Në raste të rralla, kruarja e lëkurës veçanërisht te kafshët më të moshuara mund të jetë shenjë e sëmundjeve më serioze si kanceri ose çrregullimet metabolike.
Trajtimi i simptomave të alergjisë
Hapi më i rëndësishëm është kontrolli i kruarjes, në mënyrë që kafsha të ndihet rehat. Sot ekzistojnë shumë mundësi trajtimi: Injeksione, medikamente orale, shampo speciale, sprej për lëkurën.
Vitet e fundit janë zhvilluar ilaçe më të avancuara që veprojnë më saktë mbi mekanizmat që shkaktojnë kruarjen dhe inflamacionin. Ato kanë më pak efekte anësore dhe funksionojnë te rreth 80% e qenve.
Megjithatë, rreth 15% e qenve nuk reagojnë ndaj tyre, dhe shumica e trajtimeve duhet të vazhdojnë për gjithë jetën.
Si identifikohet shkaktari i alergjisë?
Veterineri do të bëjë shumë pyetje rreth historisë dhe mënyrës së jetesës së kafshës.
Një këshillë e dobishme është të mbani një ditar ku shënoni: kur shfaqen simptomat, çfarë ka ngrënë kafsha, ku ka kaluar kohën dhe në cilat stinë përkeqësohet gjendja.
Nëse simptomat shfaqen vetëm në muaj të caktuar, shkaku mund të jetë sezonal (si poleni). Nëse vazhdojnë gjatë gjithë vitit, mund të lidhen me ushqimin ose faktorë të tjerë të përhershëm në mjedis.
A po shtohen alergjitë te kafshët?
Disa fajësojnë mbarështimin selektiv të kafshëve për pamjen e jashtme në kurriz të shëndetit imunitar. Por ekspertët mendojnë se arsyeja është më komplekse. Edhe mënyra moderne e jetesës mund të ketë ndikim: kafshët kalojnë më pak kohë jashtë, konsumojnë më shumë ushqime të përpunuara, lahen dhe parfumosen më shpesh me produkte që mund të përmbajnë alergjinë.
Madje ekziston mundësia që disa kafshë të jenë alergjike ndaj njerëzve. Ashtu si çdo kafshë tjetër, edhe njerëzit lëshojnë grimca të lëkurës (dander), dhe disa qen mund të zhvillojnë alergji ndaj tyre.
Për më tepër, sot kafshët jetojnë shumë më afër nesh se dikur. Shumë qen dhe mace flenë në të njëjtin shtrat me pronarët e tyre, gjë që rrit ekspozimin ndaj alergjenëve njerëzorë.