Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se do të lejojë një sasi ushqimi bazë që të futet në Gazë, për të siguruar se s'do të zhvillohet asnjë krizë urie, ka raportuar BBC-ja.
Ky vendim vjen 10 javë pasi Izraeli bllokoi Rripin e Gazës, derisa Zyra shtoi se kjo u ndërmor me rekomandim të Forcave Mbrojtëse të Izraelit.
“Izraeli do të veprojë për të mohuar aftësinë e Hamasit për të marrë kontrollin e shpërndarjes së ndihmës humanitare, në mënyrë që të sigurohet që ndihma të mos arrijë te terroristët e Hamasit”, thuhet në njoftim.
Vetë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të hënën, se vendimi i tij për të rifilluar ndihmën për Gazën pas një bllokade javore erdhi pas presionit nga aleatët.
Në një videodeklaratë të postuar në mediat sociale, Netanyahu ka thënë se aleatët e Izraelit kanë shprehur shqetësimin për "imazhet e urisë".
"Miqtë më të mëdhenj të Izraelit në botë", ka thënë ai pa përmendur kombësi të veçanta, kishin thënë se "është një gjë që nuk mund ta durojmë. Ne nuk mund të pranojmë imazhet e urisë, urinë masive. Ne nuk mund ta durojmë atë. Nuk do të jemi në gjendje t'ju mbështesim”, është shprehur Netanyahu.
Njoftimi për lejmin e ndihmës ka ardhur disa orë pasi ushtria izraelite tha se kishte nisur operacione të gjera tokësore në Gazë.