Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të propozojë riokupimin e plotë të Rripit të Gazës pasi të takohet me kabinetin e tij të sigurisë, kanë raportuar mediat izraelite.
“Zari është hedhur. Po shkojmë për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës – dhe për të mposhtur Hamasin”, është cituar të ketë thënë një zyrtar i lartë.
Tek iu ka përgjigjur raportimeve se shefi i shtabit dhe drejtues të tjerë ushtarakë e kundërshtojnë planin, zyrtari anonim ka thënë se “nëse kjo nuk i përshtatet shefit të shtabit, atëherë ai duhet të japë dorëheqje”.
Familjet e pengjeve kanë frikë se planet e këtilla mund të rrezikojnë më të dashurit e tyre, ku 20 nga 50 prej tyre besohet se janë ende gjallë në Gazë, teksa sondazhet sugjerojnë se tre nga katër izraelitë e përkrahin marrëveshjen e armëpushimit për t’i kthyer ata.
Shumë nga aleatët e ngushtë të Izraelit do ta dënonin gjithashtu një veprim të tillë, teksa kanë vazhduar të ushtrojnë trysni për t’i dhënë fund luftës dhe për të ndërmarrë veprime që e lehtësojnë krizën humanitare.
Brenda Izraelit, qindra ish-zyrtarë të sigurisë, përfshirë ish-drejtues të agjencive të inteligjencës, publikuan një letër të përbashkët drejtuar presidentit amerikan Donald Trump të hënën, duke i bërë thirrje atij që t’i bëjë më shumë presion Netanyahut për t’i dhënë fund luftës.
Njëri prej nënshkruesve, ish-shefi i Agjencisë së Brendshme të Inteligjencës, Ami Ayalon, ka theksuar për BBC-në se veprimet e mëtejshme ushtarake do të ishin të kota.
“Nga pikëpamja ushtarake, (Hamasi) është totalisht i shkatërruar. Por nga ana tjetër, si ideologji po fiton gjithnjë e më shumë fuqi mes popullit palestinez, në rrugën arabe rreth nesh dhe gjithashtu në botën islame”, ka thënë ai. “Pra, e vetmja mënyrë për të mposhtur ideologjinë e Hamasit është të ofrohet një e ardhme më e mirë”.
Zhvillimet e fundit kanë ndodhur pak kohë pas dështimit të bisedimeve indirekte ndërmjet Izraelit dhe Hamasit për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe atë të lirimit të pengjeve, ndërkohë që grupi militant palestinez ka publikuar tri video të dy pengjeve izraelite që duken të dobësuar dhe të rraskapitur.
Në ushtrinë izraelite kanë bërë të ditur se tashmë kontrollojnë mbi 75 për qind të territorit të Gazës. Por, sipas planit të propozuar, ajo do të pushtonte të gjithë territorin – duke hyrë edhe në zonat ku janë përqendruar më shumë se dy milionë palestinezë.
S’është ende e qartë se çfarë do të nënkuptonte kjo për civilët dhe për operacionet e OKB-së dhe organizatave të tjera humanitare.
Rreth 90 për qind e 2.1 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur, disa herë me radhë, dhe po jetojnë në kushte të mjerueshme.
Organizatat humanitare dhe zyrtarë të OKB-së kanë njoftuar se shumë prej tyre po vuajnë nga uria, duke e akuzuar Izraelin për pengimin e shpërndarjes së ndihmës jetike.