Botë

Izraeli thotë se do ta lejojë hyrjen e kontrolluar të mallrave në Gazë përmes tregtarëve lokalë

Gaze

Autoritetet izraelite kanë njoftuar të martën se do të lejojnë hyrjen graduale dhe të kontrolluar të mallrave në Rripin e Gazës përmes tregtarëve lokalë, teksa monitoruesit ndërkombëtarë kanë bërë të ditur se në enklavë po përhapet uria masive, duke prekur edhe pengjet izraelite të cilët mbahen nga grupi militant palestinez Hamas.

Në Ushtrinë izraelite kanë deklaruar se është miratuar një mekanizëm i cili ka për qëllim të zgjerojë qarkullimin e ndihmës humanitare, duke lejuar hyrjen e furnizimeve në Gazë përmes sektorit privat.

E këto mallra përfshijnë produktet bazë, ushqimin për foshnje, frutat e perimet, si dhe mjetet higjienike.

“Kjo synon ta rrisë sasinë e ndihmës që hyn në Rripin e Gazës, duke reduktuar njëkohësisht varësinë nga mbledhja e ndihmave prej OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Nuk është e qartë se si do të funksionojë ky operacion, duke pasur parasysh shkallën e lartë të shkatërrimit përgjatë tërë territorit.

Zyrtarë palestinezë dhe ata të Kombeve të Bashkuara kanë lajmëruar se është e domosdoshme që rreth 600 kamionë me ndihma të hyjnë çdo ditë për të përmbushur nevojat humanitare, numër ky që është lejuar nga Izraeli përpara fillimit të luftës.

Si rezultat i presionit ndërkombëtar, zyrtarët e lartë izraelitë patën njoftuar disa masa të reja javën e kaluar, duke përfshirë ndalimin e përkohshëm të luftimeve në disa zona, miratimin e hedhjeve ajrore të ndihmave dhe shpalljen e rrugëve të mbrojtura për autokolonat humanitare.

Ndërkaq, përfaqësues të Hamasit kanë theksuar se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Kryqin e Kuq për të dërguar ndihma për pengjet që grupi militant i mban në Rripin e Gazës, në rast se Izraeli hap në mënyrë të përhershme korridoret humanitare dhe ndalon sulmet ajrore gjatë shpërndarjes së ndihmave.

Lufta në Gazë shpërtheu pasi Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i marrë peng 250 të tjerë. 

50 pengje janë ende në robëri, prej të cilëve deri në 20 besohet se janë ende gjallë.