Të paktën 34 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite përgjatë Rripit të Gazës të hënën, kanë njoftuar zyrtarët shëndetësorë lokalë, një ditë pasi Izraeli ka vendosur të lehtësojë hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën gjithnjë e më të rrezikuar nga kriza e urisë, ka raportuar AP.
Autoritetet izraelite kanë shpallur të dielën pauzë taktike të luftimeve në disa pjesë të territorit, duke ua mundësuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të tjera të ndihmës që të hapin korridore të sigurta për ta trajtuar krizën e rënduar të urisë.
Pauza në luftime do të kufizohej në disa zona ku trupat izraelite aktualisht nuk operojnë, siç është në Al-Mawasi, Deir el-Balah dhe në qytetin e Gazës, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00.
Agjencitë humanitare i kanë mirëpritur masat e reja, të cilat përfshijnë gjithashtu lejimin e hedhjes së pakove ushqimore nga ajri, porse kanë konstatuar se ato janë të pamjaftueshme për të përballuar urinë masive.
Vendet si Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe veçse i kanë rifilluar hedhjet nga ajri.
Pas përfundimit të armëpushimit të mëparshëm në muajin mars, Izraeli e pati ndërprerë plotësisht hyrjen e ushqimeve, barnave, karburantit dhe furnizimeve të tjera në Gazë për 2 muaj e gjysmë.
Bllokada ishte zbutur disi në fund të muajit maj, teksa që atëherë janë lejuar të hyjnë rreth 4.500 kamionë me ndihma për t’u shpërndarë nga OKB-ja dhe organizatat e tjera humanitare.