Botë

Të paktën 16 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

gazaa

Foto: Associated Press

Të paktën 16 palestinezë kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës brenda natës e deri në orët e hershme të së shtunës, sipas zyrtarëve shëndetësorë lokalë. Lufta 20-mujore me grupin militant Hamas ka vazhduar teksa Izraeli ka hapur po ashtu frontin e ri nëpërmjet goditjeve të fuqishme në Iran, të cilat nxitën sulme hakmarrëse me dronë dhe raketa nga ana e Teheranit, raporton AP.

Mes tjerash, edhe 11 palestinezë u vranë gjatë natës pranë pikave të shpërndarjes së ushqimit të drejtuara nga një organizatë humanitare e mbështetur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, në incidentin më të fundit nga thuajse përplasjet e përditshme pranë këtyre pikave që kur ato u hapën muajin e kaluar.

Dëshmitarët palestinezë kanë bërë të ditur se forcat izraelite kanë gjuajtur drejt turmave, përderisa ushtria pretendon se ka qëlluar vetëm në ajër për të paralajmëruar persona që i përshkruajti si të rrezikshëm e të dyshuar, të cilët iu afruan forcave të saj.

Në Ushtrinë izraelite nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment mbi të shtënat e fundit. Këto pika ndodhen afër zonave ushtarake që janë të ndaluara për mediat e pavarura.

Zyrtarë nga Fondacioni Humanitar i Gazës, një kontraktor privat që operon në këto pika, kanë njoftuar se ato ishin mbyllur të shtunën. Por dëshmitarët thanë se mijëra njerëz ishin mbledhur pranë pikave gjithsesi, të dëshpëruar për ushqim, ndërsa bllokada dhe fushata ushtarake e Izraelit e kanë sjellur territorin në prag të urisë masive.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar se sistemi i ri ka për qëllim të zëvendësojë një rrjet të drejtuar nga OKB-ja, i cili ka shpërndarë ndihma përgjatë Rripit të Gazës gjatë 20 muajve të luftës. Ata akuzojnë Hamasin se ka përvetësuar ndihmat dhe i ka shitur ato për të financuar aktivitetet e tij ushtarake.

Zyrtarët e OKB-së e kanë mohuar skenarin që Hamasi ta ketë devijuar sasinë e konsiderueshme të ndihmave, teksa kanë shtuar se sistemi i ri nuk është në gjendje të përmbushë nevojat gjithnjë e në rritje të popullatës. 

Sipas tyre, sistemi i ri e ka militarizuar ndihmën humanitare duke i lejuar Izraelit të vendosë se kush ka qasje, si dhe duke detyruar palestinezët të udhëtojnë në distanca të gjata ose të shpërngulen sërish pas valëve të mëparshme të zhvendosjeve.