Në Ministrinë e Shëndetësisë në Rripin e Gazës kanë njoftuar të shtunën se të paktën 61 palestinezë janë vrarë dhe 308 të tjerë janë plagosur nga sulmet ushtarake izraelite në 24 orët e fundit.
Zyrtarët e kësaj ministrie kanë bërë të ditur se një numër i paspecifikuar i viktimave ndodhen nën rrënoja, përderisa ekipet e ambulancës dhe të agjencisë për mbrojtjen civile nuk kanë mundur ende t’i arrijnë.
Bazuar në përditësimin ditor, bilanci i përgjithshëm i të vdekurve në Rripin e Gazës ka shkuar në mbi 62 mijë, që prej fillimit të luftës në tetorin e vitit 2023.
Ndërkaq, që nga momenti kur Izraeli e ka braktisur armëpushimin e mëparshëm në muajin mars, të paktën 10,778 persona janë vrarë e 45,632 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore.
Nga kjo ministri kanë pretenduar se 16 palestinezë janë vrarë dhe 111 të tjerë janë plagosur teksa po prisnin për ndihmat humanitare në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e atyre që zyrtarët e saj i cilësojnë si “viktima të ndihmave” në 2,076.
Po ashtu, spitalet në enklavën palestineze i kanë regjistruar tetë vdekje të reja lidhur me urinë dhe kequshqyerjen, ndër ta 2 fëmijë, duke e rritur totalin në 281 vdekje si rezultat i urisë.