Botë

Shkon në 111 numri i palestinezëve të vrarë në 24-orët e fundit

gaza

(E përditësuar) - Të paktën 111 palestinezë janë vrarë, ndër ta 91 po prisnin për ndihmat, dhe 820 të tjerë janë plagosur nga sulmet ushtarake izraelite në mbarë Rripin e Gazës në 24-orët e fundit, kanë njoftuar në Ministrinë e Shëndetësisë të udhëhequr prej Hamasit.

Deri më tani, lufta e Izraelit në Gazë ka lënë të vdekur mbi 60-mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 147,000 të tjerë që prej tetorit të vitit 2023.

Bilanci i përgjithshëm i personave të vrarë që po prisnin për ndihmat që prej 27 majit, periudhë kohore kur Izraeli e ka prezantuar sistemin e ri të ndihmave, ka shkuar në 1,330, teksa më shumë se 8,000 të tjerë janë plagosur, thuhet në njoftimin e Ministrisë.


Të paktën 30 palestinezë të vrarë nga të shtënat e ushtrisë izraelite

Të paktën 30 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave nga ushtria izraelite teksa po prisnin për ndihmat humanitar në Gazën veriore të mërkurën, bazuar në njoftimin e agjencisë së mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, ka thënë për AFP-në se “të paktën 30 persona janë vrarë ndërkohë që 300 të tjerë janë plagosur”.

Ushtria izraelite ka njoftuar se nuk kishte dijeni për viktimat në incidentin në veri të qytetit të Gazës, teksa në Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se ndalesat në ofensivën e Izraelit kundër grupit militant Hamas, nuk ishin të mjaftueshme për të ndihmuar popullsinë përballë krizës gjithnjë e më të thelluar të urisë.

Agjencia humanitare e OKB-së, OCHA, ka lajmëruar se katër ditë pas “ndalesave taktike” të Izraelit, popullata e enklavës vazhdon të vdesë nga uria dhe kequshqyerja, si dhe kishte viktima mes atyre që kërkonin ndihmë.

Mohammed Abu Salmiya, drejtori i Spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, ka theksuar se institucioni i tij ka pranuar 35 të vdekur nga të shtënat, që raportohet se ndodhën rreth tre kilometra në jugperëndim të pikës së kalimit Zikim për kamionët me ndihma që hyjnë në Gazë.

E i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet ta vizitojë Izraelin të enjten.

Witkoffi ka qenë i përfshirë në negociatat e tërthorta për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Bisedimet u ndërprenë javën e kaluar kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara i tërhoqën delegacionet e tyre nga Doha.

Një zyrtar amerikan ka bërë të ditur para gazetarëve se qëllimi i vizitës së Witkoffit “është për të diskutuar hapat e ardhshëm sa i përket trajtimit të situatës në Gazë”.