Botë

Izraeli publikon pamje të tunelit ku pretendohet se Hamasi mbante pengje

Pamje nga tuneli

Gjak në tokën e një tuneli të errët dhe të ngushtë, i mbyllur nga një derë hekuri dhe plumba, shihen në një video të publikuar nga ushtria izraelite në vendkalimin thellë nën tokë, ku thuhet se gjashtë pengje u mbajtën dhe u vranë nga Hamasi.

Videoja u filmua nga ushtria të premten e kaluar, ka thënë zëdhënësi i saj, admirali Daniel Hagari, ndërsa një ekip mjeko-ligjor hetonte vdekjet e pengjeve. Ai u publikua të martën pasi ishte parë nga familjet e tyre dhe kabineti i sigurisë izraelite, raporton Reuters.

Gjashtë pengjet u vranë natën e 29 gushtit, sipas Hagarit. Trupat e tyre u gjetën dhe u morën nga ushtarët izraelitë në zonën jugore të Gazës në Rafah, rreth dy ditë më vonë.

Hagari ka thënë se të paktën dy persona të armatosur të Hamasit i qëlluan për vdekje në tunel, i cili është 20 metra nën tokë, më pak se 170 centimetra i lartë dhe rreth 80 centimetra i gjerë. Tuneli ka një bosht daljeje të përdorur nga militantët.

Pengjet ka të ngjarë të ishin mbajtur në tunelin e lagësht, ku është e vështirë të marrësh frymë dhe të qëndrosh drejt, për disa kohë, ka shpjeguar Hagari.

Një version i videos me rrëfim në anglisht tregon karikatorë kallashnikovi, çanta me shishe plastike të mbushura me urinë dhe një kovë në një vrimë që shërbente si tualet. Veshjet e grave janë të shpërndara në tokë. 

Trupat izraelite ishin në zonë, duke luftuar kundër militantëve të Hamasit mbi tokë, kur pengjet u vranë, ka thënë Hagari. Sipas tij, ushtria nuk kishte inteligjencë të saktë, të verifikuar për praninë e pengjeve në zonë.

Gjashtë pengjet e vdekur ishin dy gra dhe katër burra të moshës 23 deri në 40 vjeç, pesë prej të cilëve u morën nga festivali “Nova” që u sulmua nga militantët më 7 tetor të vitit të kaluar. Njëri prej tyre ishte një baba, foshnja e të cilit lindi pasi u mor peng. Vrasjet kanë ndezur zemërim dhe pikëllimi në Izrael.

Përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gaza që do të përfshinte një marrëveshje për lirimin e pengjeve kanë dështuar, teksa për këtë Izraeli dhe Hamasin po fajësojnë njëri-tjetrin. 

Luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi morën rreth 250 pengje të huaj dhe izraelitë kur hynë në Izrael më 7 tetor dhe vranë 1,200 njerëz, sipas të dhënave izraelite. Ofensiva e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 40,000 palestinezë që atëherë.

Rreth 100 pengje mbeten në Gaza, të paktën një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur. Më shumë se 100 pengje u liruan në këmbim të të burgosurve palestinezë në nëntor dhe tetë janë shpëtuar nga forcat izraelite.