Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani kërcënon se Lindja e Mesme do të shndërrohet në “varrezë” për amerikanët

Irani kërcënon se Lindja e Mesme do të shndërrohet në “varrezë” për amerikanët

Foto: Associated Press

Lufta amerikano-izraelite kundër Iranit ka marrë përmasa të zgjerimit të shtunën, me kërcënimin e autoriteteve iraniane se rajoni i Lindjes së Mesme do të shndërrohet në varrezë për ushtarët amerikanë. Në të njëjtën kohë, grupi Houthi, që mbështetet nga Irani, është përfshirë për të parën herë në luftë, duke lëshuar raketa në drejtim të Izraelit

Autoritetet iraniane kanë lëshuar të shtunën paralajmërimin se Lindja e Mesme do të shndërrohet në një varrezë për ushtarët amerikanë, duke e intensifikuar edhe më tej luftën amerikano-izraelite kundër këtij shteti.

Në një adresim për mediat shtetërore, zëdhënësi i organizatës ushtarake Khatam al-Anbiya që kontrollohet nga Garda Revolucionare, ka theksuar se presidenti amerikan Donald Trump dhe komandantët e ushtrisë amerikane veçse e kanë kuptuar si të tillë situatën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Trumpi dhe komandantët e ushtrisë amerikane duhet ta kenë kuptuar qartë se rajoni do të bëhet një varrezë për ushtarët amerikanë dhe ata nuk do të kenë tjetër zgjedhje përveçse t’i dorëzohen vullnetit hyjnor të popullit heroik dhe luftëtarëve të guximshëm të Islamit”, ka thënë oficeri Ebrahim Zolfaghari.

Deklarata e Zolfagharit u bë një ditë pasi Izraeli kërcënoi që ta përshkallëzojë dhe ta zgjerojë fushatën ushtarake kundër Iranit, duke i goditur objektet bërthamore të këtij shteti.

E pas kësaj, Irani është zotuar për hakmarrje dhe ka sulmuar një bazë ushtarake në Arabinë Saudite, duke shkaktuar lëndimin e dhjetëra ushtarë amerikanë dhe duke dëmtuar disa avionë.

Edhe në kryeqytetin izraelit, Tel Aviv janë dëgjuar shpërthime, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë raportuar për 11 zona të goditura. Shpërthime të forta janë dëgjuar edhe në Jerusalem.

Sulmeve të Iranit dhe grupit libanez Hezbollah u janë bashkuar të shtunën edhe rebelët Houthi nga Jemeni, të cilët kanë lëshuar raketë drejt Izraelit, në përfshirjen e parë në konflikt që nga nisja e operacionit amerikano-izraelit me Iranin.

Gjenerali i brigadës së Houthive, Yahya Saree, ka deklaruar se rebelët kanë lëshuar breshëri raketash balistike drejt atyre që i ka quajtur “objektiva të ndjeshme ushtarake izraelite” në jug të vendit.

“Forcat e Armatosura të Jemenit, me ndihmën e Allahut të Lartmadhërishëm dhe duke u mbështetur tek Ai, kanë kryer operacionin e parë ushtarak duke përdorur një breshëri raketash balistike që synonin objektiva të ndjeshme ushtarake izraelite në jug të Palestinës së pushtuar. Ky operacion u zhvillua paralelisht me veprimet heroike të vëllezërve tanë muxhahedinë në Iran dhe Hezbollahun në Liban”, ka thënë Saree.

Analistët kanë paralajmëruar se kërcënimi më i madh nuk lidhet me raketat që synojnë territorin izraelit, por me dëmin që mund t’ua shkaktojë grupi tregjeve globale të energjisë.

Përfshirja e Houthëve – të shpallur terroristë nga Shtetet e Bashkuara – rrezikon zgjatjen e luftës në të cilën tashmë janë përfshirë forcat amerikane, shtetet e Gjirit Arab dhe Izraeli, nëpër fronte të ndryshme.

Hyrja e tyre në konflikt, duke i dhënë fund përmbajtjes njëmujore prej kur ka nisur lufta, i ka rritur shqetësimet për bllokim në dy prej rrugëve kryesore detare të transportit.

Irani veçse e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Houthët kanë sinjalizuar se mund të bëjnë më tepër në mbylljen e Ngushticës Bad al-Mandab, përmes së cilës transportohet 10 për qind e naftës së botës.

Analistët kanë thënë se sulmi mund të ketë pasur qëllim më shumë dërgim të sinjaleve për Riadin sesa për Jerusalemin.

Michael Horowitz, analist i pavarur për mbrojtje, me seli në Izrael, e ka përmendur që zëdhënësi ushtarak i Houthëve i ka përmendur kushtet specifike që do ta nxisnin hyrjen e plotë të grupit në luftë, dhe në mesin e tyre është nëse ndonjë shtet merr pjesë aktivisht në luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj regjimit iranian.

“Ky, sipas mendimit tim, është mesazh për vendet e Gjirit, sidomos për Arabinë Saudite kundër përfshirjes në luftën ndaj Iranit, dhe që të mos e shqyrtojë mundësinë t’i lejojë forcat amerikane t’ia përdorin bazat”, ka thënë Horowitz për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, vonesa njëmujore në përfshirjen e Huthëve reflekton kalkulimet që i ka bërë grupi dhe jo për qasjen e tij ndaj Iranit.

Houthët mund të kenë hezituar për shkak të rrezikimit të përpjekjeve diplomatike që mund të rezultojnë me përfitime diplomatike, si dhe për faktin se sulmet izraelite të vitit të kaluar në shënjestra civile dhe ekonomike në zonat e kontrolluara nga Houthët e kanë përkeqësuar situatën në terren.

Danny Citrinowicz, analist sigurie në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare me seli në Tel Aviv, beson se kërcënimi më i madh qëndron në fushatën ekonomike të Iranit kundër Shteteve të Bashkuara.

“Ndonëse sulmet e Houthëve kundër Izraelit nuk duhen nënvlerësuar, nga perspektiva e Iranit, si pjesë e një fushate më të gjerë ekonomike kundër Shteteve të Bashkuara, aspekti kryesor qëndron në aftësinë e grupit për t’i kërcënuar rrugët kritike të transitit të energjisë në të dyja pikat detare”, ka thënë ai përmes një postimi në X.

Horowitz i ka përmendur tre skenarë për përfshirjen e plotë të Houthëve në konflikt: rikthimin e bllokadës në Detin e Kuq, ngjashëm sikurse me operacionet gjatë luftës në Gazë; sulme ndaj objekteve energjetike saudite në Detin e Kuq, përfshirë portin e Janbusë - një alternativë tokësore përmes së cilës transportohet naftë saudite nga bregu i Gjirit Persik në Detin e Kuq, duke anashkaluar plotësisht Hormuzin; dhe sulme të mundshme kundër aeroplanmbajtëseve amerikane në Detin Arab, megjithëse dyshon që përpjekje të tilla mund të kishin sukses.

Kompania për analiza të tregjeve të energjisë, HFI e ka përmendur një shifër për dëmin e mundshëm. Sipas saj, sulmet e Houthëve në Bab al-Mandab do t’i rrezikonin 4 milionë fuçi naftë saudite në ditë.

“Nuk do të jetë aq keq sa bllokada në Ngushticën e Hormuzit falë Kanalit të Suezit, por tregut nuk do t'i interesojë”, ka thënë ai.

Citrinowicz e ka përmendur edhe se në çfarë drejtimi po shkon trajektorja.

“Me çdo ditë të konfliktit që kalon rriten gjasat që ky skenar të materializohet. Secilën herë e më shumë dilemat janë se kur dhe jo nëse do të ndodhë diçka e tillë”, ka deklaruar Citrinowicz.