Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja paralajmëron aleatët në rajon të përgatiten për sulme të reja ndaj Iranit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Zyrtarët amerikanë u kanë thënë disa vendeve të Lindjes së Mesme dhe aleatëve rajonalë që të përgatiten për mundësinë e rifillimit të veprimeve ushtarake kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit, që do të mbahen javën e ardhshme në SHBA, si dhe për mundësinë që Irani të përpiqet të hakmerret ndaj tyre, sipas dy diplomatëve të informuar për këtë çështje e që kanë folur për Associated Press.

Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar nëse do të ndërmarrë sulme të reja kundër Iranit, kanë theksuar diplomatët. Megjithatë, presidenti ka deklaruar vazhdimisht se po shqyrton mundësinë e urdhërimit të një aksioni të ri ushtarak pasi të përfundojnë zgjedhjet e rëndësishme të 3 nëntorit në SHBA.

Kërcënimet e tij dhe thirrjet e reja të SHBA-së drejtuar aleatëve për t'u përgatitur për hakmarrjen e mundshme po e vënë rajonin në gatishmëri, pasi rikthimi i operacioneve të mëdha ushtarake mund të jetë tashmë në horizont.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar të mërkurën në një postim në rrjetin X se Teherani zyrtar “vazhdon t'i japë diplomacisë një mundësi për të pasur sukses” dhe po punon me ndërmjetësit për të shqyrtuar propozime që Irani kishte përfshirë në një plan të paraqitur muajin e kaluar. Ky plan është refuzuar menjëherë nga Trumpi, por iranianët ende dëshirojnë që ai të shërbejë si bazë për rikthimin te armëpushimi.

Ndërkohë, ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka publikuar një deklaratë, duke u bërë thirrje palëve që “të tregojnë maturi dhe të ndjekin zgjidhje politike për të ndihmuar në uljen e tensioneve” dhe për të parandaluar rikthimin e operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë në luftën që nisi në fund të shkurtit.

Sipas diplomatëve, SHBA-ja u ka bërë të ditur aleatëve rajonalë se rundi i ri i veprimeve ushtarake mund të zgjasë disa ditë. Megjithatë, zyrtarët e rajonit po përgatiten për mundësinë që Irani dhe grupet e tij të mbështetura prej tij të kundërpërgjigjen, duke shkaktuar një konflikt që mund të zgjasë edhe më shumë.

Zyrtarët amerikanë u kanë kërkuar gjithashtu aleatëve të marrin masa parandaluese, duke pasur parasysh se përgjigjja e Iranit mund të përfshijë sulme hakmarrëse ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës tjetër jetike.

Ndonëse SHBA-ja nuk ka kryer sulme ndaj Iranit që nga fillimi i shtatorit, situata në Lindjen e Mesme është bërë më e ndërlikuar.

Konflikti është përhapur, ndërsa rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, kanë kryer sulme ndaj infrastrukturës së naftës dhe aeroporteve të Arabisë Saudite. Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite është kundërpërgjigjur me sulme vdekjeprurëse ndaj territoreve të Jemenit të kontrolluara nga Houthit.

Gazeta The Wall Street Journal ka raportuar më herët se vendet e Gjirit ishin informuar për mundësinë e një përshkallëzimi të situatës nga ana e SHBA-së.

Nuk është e qartë se sa shpejt pas ditës së zgjedhjeve, ushtria amerikane do të jetë e gatshme të rifillojë sulmet e mundshme.

Në fund të muajit të kaluar, Pentagoni ka dërguar aeroplanmbajtësen USS Theodore Roosevelt, së bashku me një grup anijesh që transportonin marinsa, nga San Diego drejt Gjirit Persik, për të përforcuar praninë ushtarake amerikane në rajon. Në total, bëhet fjalë për rreth 9.000 trupa.

Në atë kohë, një zyrtar amerikan ka thënë se ky dislokim mund të çonte në një prani detare jashtëzakonisht të madhe në rajon, me më shumë se 20.000 marinarë dhe marinsa, si dhe qindra avionë. Një përqendrim i tillë i forcave është regjistruar vetëm në pak raste gjatë dy dekadave të fundit.