Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Gjumi s’ka me ju marrë” – protestat vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave

Protesta

Foto: Driton Paçarada

Protesta në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn dhe për të gjitha gratë e vrara do të mbahen edhe sot e është paralajmëruar se do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të protestuesve.

Të mërkurën në Prishtinë protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ata kanë kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat dhe dënime për kryerësit e dhunës.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në fjalimin e saj para ndërtesës së Qeverisë ka thënë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat, e prej kërkesave është shkarkimi i ministres Gërvalla dhe ministrit Sveçla. Po ashtu ndjekje penale ndaj atyre që kanë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt, që u vra nga ish-kunati i saj.

Të mërkurën, para objektit të qeverisë janë ndezur fishekzjarrë ndërsa dyert janë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe. Janë vendosur edhe foto të montuara të ministres Gërvalla me sëpatë në dorë. Thirrjet “dorëheqje, dorëheqje” kanë mbizotëruar.

Të enjten janë paralajmëruar protesta edhe në qytete të tjera.

Arlinda Zekaj dhe bashkëshorti i saj ishin në betejë ligjore që nga “ndarja pa letra” në vitin 2025 dhe denoncimi i parë i saj në korrik të 2026 për dhunë në familje. Ndërsa, raportimi i fundit bënë që bashkëshorti i saj Jeton Sylaj të ndalohet për 48 orë, ndërsa vetë ajo këmbëngul që të kthehet në shtëpinë e përbashkët, në përputhje me vendimin gjyqësor. Ajo kishte refuzuar që të vendoset në strehimore siç i ka propozuar Policia.

Pak minuta pasi kthehet në Vitomiricë të Pejës, e shoqëruar nga Policia e Kosovës, ajo vritet brenda shtëpisë së përbashkët. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se është vrarë me një mjet të fortë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili për tri ditë ishte në arrati, para se të arrestohej nga policia. Vrasja ndodhi nëntë ditë pas vendimit gjyqësor që i kishte mundësuar Arlindës kthimin në shtëpi, tri ditë pas ankesës së saj për dështimet institucionale dhe dy ditë pas paralajmërimit të një zyrtari policor për nevojën e masave shtesë të sigurisë.