Botë

Izraeli përgatitet për luftë të gjatë kundër Iranit

IZrael

Përplasja ushtarake mes Izraelit dhe Iranit është përshkallëzuar, me sulme të drejtpërdrejta ndaj objekteve bërthamore dhe komandantëve të lartë. Izraeli ka paralajmëruar përgatitje për një fushatë të gjatë, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me raketa dhe dronë. SHBA-ja ndërkohë, po shqyrton përfshirjen e saj, duke rritur rrezikun e një konflikti rajonal. Bisedimet diplomatike janë në ngërç dhe tensionet po rriten ndjeshëm

Ushtria izraelite ka thënë të shtunën se po përgatitet për mundësinë e një lufte të gjatë, tek ka njoftuar se ka goditur një strukturë kërkimore bërthamore iraniane gjatë natës dhe se ka vrarë tre komandantë të lartë iranianë.

Perspektiva e një lufte më të gjerë duket në horizont gjithashtu. Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë thënë se do të rifillojnë sulmet ndaj anijeve luftarake amerikane në Detin e Kuq nëse administrata Trump bashkohet me fushatën ushtarake të Izraelit kundër Iranit. Houthit ndalën sulme të tilla në maj si pjesë e një marrëveshjeje me SHBA-në. E ambasadori amerikan në Izrael ka njoftuar se SHBA-ja ka nisur “fluturimet e largimit të asistuar” nga Izraeli, për herë të parë që kur Hamasi pati sulmuar Izraelin më 7 tetor 2023.

Brenda Iranit, tymi dilte nga një zonë pranë një mali në Isfahan, ku zëvendësguvernatori i provincës për çështjet e sigurisë, Akbar Salehi, ka konfirmuar se sulmet izraelite dëmtuan strukturën, por nuk shkaktuan viktima.

Objektivi ishin dy vende prodhimi centrifugash, sipas një zyrtari ushtarak izraelit që foli në kushte anonimiteti sipas udhëzimeve të ushtrisë për t’i informuar gazetarët. Ishte sulmi i dytë në Isfahan, i cili u godit në 24 orët e para të luftës si pjesë e qëllimit të Izraelit për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e ka konfirmuar po ashtu sulmin e fundit.

Irani ndërkohë ka nisur një valë të re dronësh dhe raketash drejt Izraelit, por nuk pati raportime të menjëhershme për dëme të konsiderueshme. Shërbimi i shpëtimit “Magen David Adom” në Izrael ka thënë se një dron goditi një ndërtesë dykatëshe në Izraelin verior, pa viktima.

Zyrtari izraelit e quajti “breshëri të vogël” që kryesisht u ndal nga mbrojtja e Izraelit. Zyrtari ka vlerësuar se ushtria izraelite ka shkatërruar më shumë se 50% të dronëve të Iranit.

“Ne po ua vështirësojmë atyre të qëllojnë drejt Izraelit”, ka thënë ai. “Duke thënë të gjitha këto, dua të them se regjimi iranian padyshim që ende ka aftësi”.

Zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, gjeneral brigade Effie Defrin, më vonë ka njoftuar se shefi i Shtabit, gjenerallejtënant Eyal Zamir, e ka paralajmëruar ushtrinë të përgatitet për një “fushatë të zgjatur”.

“Përfshirja ushtarake amerikane do të ishte e rrezikshme”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton ende mundësinë e përfshirjes aktive të ushtrisë amerikane në luftë. Të shtunën, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, megjithatë ka thënë se kjo “do të ishte shumë, shumë e rrezikshme për të gjithë”. Ai ka folur për këtë çështje në margjinat e një takimi të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Turqi.

E të shtunën media prestigjioze amerikane raportuan se ushtria amerikane i ka lëvizur bombarduesit e rëndë ajror B-2, nga toka amerikane në ishullin Guam. Këta bombardues kanë rreze veprimi prej mbi 6000 miljesh detare dhe kapacitet ngarkese prej mbi 18 tonësh për të mbajtur armë të ndryshme tradicionale dhe bërthamore.

Luftimet shpërthyen më 13 qershor, me sulme ajrore izraelite që synonin vendet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, gjeneralët e lartë dhe shkencëtarët bërthamorë. Të paktën 722 persona, përfshirë 285 civilë, janë vrarë në Iran dhe më shumë se 2.500 janë plagosur, sipas një grupi iranian për të drejtat e njeriut me seli në Washington.

Irani është hakmarrë duke qëlluar më shumë se 450 raketa dhe 1.000 dronë drejt Izraelit, sipas vlerësimeve të ushtrisë izraelite. Mbrojtja ajrore shumështresore e Izraelit ka rrëzuar shumicën e tyre, por të paktën 24 persona në Izrael janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Irani prej kohësh ka deklaruar se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, por është i vetmi shtet jo-bërthamor që pasuron uranium deri në 60% - një hap i shkurtër teknik larg nivelit 90 për qind të mjaftueshëm për armë bërthamore. Izraeli besohet gjerësisht të jetë i vetmi vend i Lindjes së Mesme me një program armësh bërthamore, por nuk e ka pranuar kurrë këtë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se operacioni ushtarak i Izraelit do të vazhdojë “për aq kohë sa të duhet” për të eliminuar atë që ai e ka quajtur kërcënimin ekzistencial të programit bërthamor të Iranit dhe arsenalit të raketave balistike.

S’ka datë për bisedime të reja

Bisedimet në Gjenevë të premten nuk arritën të sjellin ndonjë përparim. Zyrtarët evropianë kanë dhënë shpresë për diskutime të ardhshme. Ministri i jashtëm i Iranit ka thënë se ishte i hapur për dialog të mëtejshëm, duke theksuar se Teherani nuk kishte interes të negocionte me SHBA-në përderisa Izraeli vazhdon të sulmojë.

“Irani është gati të shqyrtojë përsëri diplomacinë, dhe sapo të ndalet agresioni dhe agresori të mbahet përgjegjës për krimet e kryera”, u ka thënë ai gazetarëve.

Nuk është caktuar ndonjë datë për një raund të ri bisedimesh.

Për shumë iranianë, përditësimet mbetën të vështira. Grupi i mbrojtjes për qasjen në internet “NetBlocks.org” ka thënë të shtunën se sërish ka rënie të internetit.

Më shumë sulme ndaj komandantëve ushtarakë iranianë

Sulmi i parë i Izraelit vrau tre nga udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Iranit: mbikëqyrësin e forcave të armatosura - gjeneral Mohammad Bagheri; drejtuesin e Gardës Revolucionare paraushtarake - gjeneral Hossein Salami dhe udhëheqësin e programit të raketave balistike të Gardës - gjeneral Amir Ali Hajizadeh.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka thënë të shtunën se ushtria ka vrarë një komandant të Gardës Revolucionare i cili ka financuar dhe armatosur Hamasin në përgatitje të sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit që shkaktoi luftën 20-mujore në Gazë.

Zyrtarët iranianë nuk e kanë konfirmuar menjëherë vdekjen e Saeed Izadi, por zyra e guvernatorit të Qomit ka thënë se ka pasur sulm në një ndërtesë katërkatëshe dhe mediat lokale kanë raportuar se dy persona ishin vrarë.

Izraeli ka thënë gjithashtu se ka vrarë komandantin e njësisë së transferimit të armëve të Forcës Quds, që ishte përgjegjës për furnizimin me armë të Hezbollahut dhe Hamasit. Behnam Shahriyari u vra teksa udhëtonte në Iranin perëndimor, tha ushtria.

Irani kërcënon kreun e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së

Udhëheqësit iranianë kanë thënë se deklaratat e shefit të IAEA-së, Rafael Grossi, në lidhje me statusin e programit bërthamor të Iranit kanë nxitur sulmin e Izraelit.

Të shtunën, një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ali Khamanei, ka thënë në një postim në mediat sociale, pa dhënë hollësi, se Irani do ta detyrojë Grossin të “paguajë” sapo të mbarojë lufta.

Grossi, udhëheqës i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, paralajmëroi të premten në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër sulmeve ndaj reaktorëve bërthamorë të Iranit, veçanërisht centralit në qytetin jugor të Bushehrit.

“Në rast të një sulmi ndaj centralit bërthamor të Bushehrit, një goditje e drejtpërdrejtë do të rezultonte në një çlirim shumë të lartë të radioaktivitetit”, ka thënë Grossi. “Ky është vendi bërthamor në Iran ku pasojat mund të jenë më serioze”.

Izraeli nuk i ka synuar reaktorët bërthamorë të Iranit, por në vend të kësaj i ka përqendruar sulmet në objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz, në punishtet e centrifugave pranë Teheranit, në laboratorët në Isfahan dhe në reaktorin e ujit të rëndë në Arak të vendit, në jugperëndim të kryeqytetit.

Irani më parë qe dakorduar të kufizonte pasurimin e uraniumit dhe t'u lejojë inspektorëve ndërkombëtarë qasje në vendet e tij bërthamore sipas një marrëveshjeje të vitit 2015 në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Por pasi presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja gjatë mandatit të tij të parë, Irani filloi të pasurojë uraniumin deri në 60% dhe të kufizojë qasjen në objektet bërthamore.

Irani ka këmbëngulur në të drejtën e tij për të pasuruar uranium - në nivele më të ulëta - në bisedimet e fundit mbi programin e tij bërthamor. Por Trump, ashtu si Izraeli, i ka kërkuar Iranit të përfundojë plotësisht programin e tij të pasurimit.

Lexo përditësimet tjera
Çfarë ka ndodhur ditë pas dite në luftimet Iran-Izrael

Sulmet Izrael – Iran vazhdojnë edhe në ditën e nëntë