Botë

Irani akuzon SHBA-në dhe Izraelin se po tentojnë ta fusin në kurth

Irani akuzon SHBA-në dhe Izraelin se po tentojnë ta fusin në kurth

Ligjvënësit iranianë kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin se kanë për qëllim t’i kthejnë bisedimet bërthamore në “kurth strategjik” për Iranin, disa ditë para rundit të gjashtë që është planifikuar mes delegacionit amerikan dhe atij iranian, ka raportuar The Guardian.

“SHBA-ja s’është fare serioze në negociata. Qëllimi i saj në këto bisedime është që të imponojë kushte dhe të adoptojë një pozicion ofensivë që është diametralisht i kundërt me të drejtat e patjetërsueshme të iranianëve”, thuhet në njoftimin e përbashkët të deputetëve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka theksuar të hënën se të dyja palët nuk po arrijnë të pajtohen mbi çështjen e pasurimit të uraniumit në Iran, për të cilën ligjvënësit konstatuan se është pjesë e panegociueshme e programit bërthamor të vendit.

Përderisa, Trumpi ka thënë se rundi i ardhshëm i bisedimeve do të zhvillohet të enjten, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit nga ana tjetër ka nënvizuar se bisedimet janë planifikuar të zhvillohen të dielën në Oman.

Irani do të ofrojë një kundërpropozim mbi ofertën amerikane për marrëveshjen bërthamore.

“E vetmja marrëveshje e pranueshme është ajo që heq përgjithmonë të gjitha sanksionet me qëllim arritjen e përfitimeve ekonomike për Iranin”, thuhet më tutje në njoftimin e ligjvënësve.