Botë

Irani aktualisht përjashton bisedimet bërthamore me SHBA-në

irani

Ligjvënësit iranian kanë thënë të mërkurën se Republika Islamike nuk do të vazhdojë bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa të plotësohen disa parakushte të caktuara, ka shkruar Reuters.

“Kur SHBA-ja i përdor negociatat si një mjet për të mashtruar Iranin dhe për të mbuluar një sulm të papritur ushtarak nga regjimi zionist (Izraeli), bisedimet nuk mund të zhvillohen si më parë. Duhet të vendosen parakushte dhe nuk mund të ketë negociata të reja derisa ato të përmbushen plotësisht”, thuhet në deklaratën e trupit legjislativ.

Në deklaratë nuk specifikohen ose definohen parakushtet, porse kryediplomati iranian, Abbas Aragchi, kishte thënë kohë më parë se duhet të ofrohen garanci të forta që Teherani zyrtar s’do të sulmohet më.

Izraeli dhe SHBA-të patën lansuar sulme ndaj impianteve bërthamore të Iranit muajin e kaluar, duke pretenduar se ato kishin për qëllim të shkatërronin programin e orientuar drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Në anën tjetër, lidershipi iranian ka argumentuar e konsideruar qëmoti se programi i tij bërthamor është tërësisht për qëllime civile.

Teherani dhe Washingtoni kishin zhvilluar pesë runde negociatash indirekte të ndërmjetësuara nga Omani përpara luftës 12-ditore, teksa kërkesë kyç e delegacionit amerikan ishte që Republika Islamike të hiqte dorë nga pasurimi i uraniumit.

Javën e kaluar, Aragchi e kishte riafirmuar qëndrimin se Teherani zyrtar nuk do të pranojë një marrëveshje që ia ndalon pasurimin e uraniumit, si dhe ka refuzuar të diskutojë për çështje të tjera jashtë këtij programi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se s’është aspak në nxitim për të negociuar me Iranin pasi që bazat e tij bërthamore tashmë janë “shkatërruar”, ndonëse SHBA-ja dhe tri vende evropiane janë pajtuar për të caktuar fundin e muajit gusht si afatin final për arritjen e marrëveshjes bërthamore.

Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot, ka theksuar po ashtu se Parisi, Londra e Berlini do ta aktivizojnë të ashtuquajturin mekanizmin “snapback” të Kombeve të Bashkuara, i cili do të rivendoste sanksionet ndaj Iranit, deri në fund të gushtit në rast se s’ka përparim konkret lidhur me marrëveshjen.