Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje opozitës në kryeqytet (Lëvizjes Vetëvendosje v.j.) që, në vend të asaj që e cilësoi si “show politik”, të angazhohet në zhvillimin e qytetit dhe të kontribuojë me propozime për projektet e komunës.
Rama ka thënë se opozita ka të drejtë t’i dërgojë në Prokurori dosjet për çështjet që i konsideron problematike, por shtoi se përgjegjësia e tij dhe e kabinetit është zhvillimi i kryeqytetit. Ai ka thënë se Komuna është e hapur për hetime dhe se nuk ka arsye që opozita të merret vetëm me atë që e quajti “gjëra të kota”.
“Puna e opozitës është me bë këtë (dërgimin e dosjeve në Prokurori), puna jonë është ta zhvillojmë kryeqytetin. Mirëpo, i kam bërë ftesë opozitës që të merret edhe me zhvillim, jo vetëm me gjëra të kota, sepse ne vetë jemi të hapur ndaj hetimeve. Opozita nuk ka nevojë të bëjë ‘show’ politik siç bën çdo ditë, por të na bashkohet me zhvillimin e kryeqytetit. Kemi shumë punë dhe jemi të hapur për propozimet e tyre”, deklaroi Rama të enjten.
Ai kërkoi që Prokuroria të mos ndikohet nga politika dhe të shqyrtojë nëse proceset komunale janë zhvilluar në përputhje me ligjin. Rama ka thënë se edhe më herët e ka ftuar Prokurorinë të hetojë çdo proces dhe procedurë të prokurimit publik.
Kryetari i Prishtinës përsëriti se niveli qendror është përpjekur t’i bllokojë në mënyrë të paligjshme projektet e komunës, duke thënë se si pasojë kanë humbur dy vjet që, sipas tij, do të mund të shfrytëzoheshin në të mirë të qytetarëve.
Edhe
Rama e quan “show politik” të VV-së dërgimin në Prokurori të kontratës për ndriçim publik
Më 30 tetor, Rama u intervistua nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit për korrupsion në projektin “Arkitekti i Qytetit”.
E më 3 nëntor, Lëvizja Vetëvendosje në opozitë dërgoi në Prokurori një kontratë të Komunës së Prishtinës për ndriçim publik, me të cilën pretendon se është keqpërdorur buxheti.