Rreth 1.2 milionë rusë janë vrarë, plagosur ose rezultojnë të zhdukur që nga pushtimi i Ukrainës gati katër vjet më parë, një nivel humbjesh për një fuqi të madhe ushtarake që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore, thuhet në një raport të ri të organizatës së njohur kërkimore, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
Megjithë këtë kosto të jashtëzakonshme njerëzore, Rusia ka arritur fitime relativisht të vogla territoriale në fushëbetejë, duke rritur kontrollin mbi territorin ukrainas për vetëm 12% që nga viti 2022, sipas CSIS-it.
Raporti vë në pikëpyetje supozimet e përhapura në shumë qarqe, përfshirë edhe në Shtëpinë e Bardhë, se fitorja ruse në Ukrainë është e pashmangshme dhe e afërt.
“Rusia dominon”, ka thënë presidenti amerikan Donald Trump në një intervistë për Politico muajin e kaluar. “Ata janë shumë më të mëdhenj. Janë shumë më të fortë… Në një moment, madhësia do të fitojë”.
Por raporti i CSIS thotë se Ukraina ruan avantazh të konsiderueshëm si pala mbrojtëse në fushëbetejë.
Strategjia ukrainase e “mbrojtjes në thellësi” — përdorimi i llogoreve, pengesave kundërtanke, minave dhe barrierave të tjera, së bashku me dronë dhe artileri, ka penguar përpjekjet e Rusisë për të arritur fitime domethënëse, thuhet në raport. Ndërkohë, humbjet në fushëbetejë janë në favor të Ukrainës me një raport 2.5 me 1, ose 2 me 1.
Rusia dhe Ukraina nuk publikojnë shifra të detajuara për humbjet luftarake.
Sipas raportit, humbjet ukrainase janë rreth 500,000–600,000 të vrarë, plagosur ose të zhdukur, krahasuar me 1.2 milionë për Rusinë.
Rusia ka pësuar mes 275,000 dhe 325,000 vdekje në fushëbetejë, ndërsa Ukraina mes 100,000 dhe 140,000, sipas raportit.
“Të dhënat sugjerojnë se Rusia vështirë se po fiton”, shkruajnë autorët.
Humbje historike në luftë
Krahasuar me konfliktet që kanë përfshirë fuqi të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore, humbjet e Moskës janë tronditëse.
Shtetet e Bashkuara humbën rreth 57,000 trupa në luftën e Koresë dhe 47,000 gjatë luftës së Vietnamit. Humbjet e Rusisë në Ukrainë janë pesë herë më të larta se humbjet totale të të gjitha luftërave ruse dhe sovjetike që nga Lufta e Dytë Botërore së bashku, përfshirë luftën në Afganistan dhe dy luftërat çeçene, thuhet në raport.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë këtë muaj në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër se Moska ka humbur 1,000 trupa në ditë në dhjetor.
“Jo të plagosur rëndë, por të vrarë. Në vitet 1980 në Afganistan, sovjetikët humbën 20,000 në 10 vjet. Tani humbasin 30,000 në një muaj”, ka shtuar Rutte.
Gjetja e trupave të rinj po bëhet gjithnjë e më e vështirë, thonë analistë të huaj.
“Humbjet ushtarake ruse, të të vrarëve dhe të plagosurve, tani tejkalojnë normat e qëndrueshme të rekrutimit dhe zëvendësimit”, ka thënë James Ford, zëvendësambasador i Britanisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në një fjalim javën e kaluar.
Ndërkohë, në raportin e CSIS thuhet gjithashtu se gjatë dy vjetëve të fundit, fitimet territoriale ruse në disa zona maten me vetëm disa metra në ditë, shumë më pak se gjysma e një fushe futbolli.
Fitimet ditore ruse - 16 metra në ditë në Chasiv Yar, 25 metra në Kupiansk dhe 76 metra në Pokrovsk, janë më të ulëta se ato të trupave aleate gjatë betejës famëkeqe të Somme-s në Luftën e Parë Botërore, një fushatë pesëmujore në vitin 1916 ku forcat britaniko-franceze fituan më pak se 90 metra në ditë kundër mbrojtjes gjermane.
Në dy vjetët e fundit, “forcat ruse kanë fituar më pak se 1.5% të territorit ukrainas,” thuhet në raport.
Barra ekonomike
Në planin e brendshëm, kostoja e luftës në Ukrainë e ka nxjerrë praktikisht Rusinë nga radhët e fuqive kryesore ekonomike botërore, sipas raportit.
“Rusia po shndërrohet në një fuqi ekonomike të rangut të dytë ose të tretë”, thuhet në raport, duke përmendur rënien e prodhimit, kërkesën e dobët të konsumatorëve, inflacionin e lartë dhe mungesën e fuqisë punëtore, që çuan në një rritje ekonomike prej vetëm 0.6% në vitin 2025.
Lufta po rëndon jo vetëm ekonominë aktuale ruse, por edhe perspektivat e saj të ardhshme.
“Ndërsa artikuj si municionet, uniformat dhe fortifikimet kontribuojnë në PBB, ato nuk përmirësojnë mirëqenien afatgjatë apo formimin e kapitalit”, thuhet në raport.
Moska gjithashtu ka mbetur prapa në teknologjinë e lartë, pa asnjë kompani ruse në mesin e 100 kompanive më të mëdha teknologjike në botë.
Në një renditje të Universitetit Stanford për vendet kryesore sa i përket inteligjencës artificiale, Rusia renditet e 28-ta nga 36 vende, pas shteteve si Spanja, Arabia Saudite dhe Malajzia.
Por, pavarësisht panoramës pesimiste që pikturon raporti për Rusinë, Putini nuk ka gjasa të pranojë një marrëveshje paqeje pa presion shtesë perëndimor ndaj regjimit të tij
“Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk i kanë përdorur plotësisht mjetet ekonomike apo ushtarake. Pa më shumë dhimbje, Putini do t’i zvarrisë bisedimet dhe do të vazhdojë luftën, edhe nëse kjo do të thotë miliona viktima ruse dhe ukrainase”, përfundon raporti.