Botë

Humbjet rekorde të Rusisë në ushtarë gjatë vitit 2024

Ushtria ruse

Nëse shifra e BBC-së prej 45,287 vdekjeve të konfirmuara në vitin 2024 është rreth 40% e numrit të plotë, atëherë si rrjedhojë numri i përgjithshëm i të vdekurve do t’i afrohet 112,000 sa i përket vitit të kaluar. Kjo nënkupton se për çdo kilometër katror të pushtuar në Ukrainë janë vrarë 27 ushtarë rusë, pa i përfshirë ushtarët e plagosur.

Viti i kaluar ishte më vdekjeprurësi për forcat ruse që prej fillimit të luftës në shkallë të plotë në Ukrainë, ku të paktën 45,287 ushtarë kanë mbetur të vrarë.

Kjo është pikërisht tre herë më shumë se në vitin e parë të pushtimit dhe i tejkalon gjithashtu humbjet e vitit 2023, teksa beteja më e gjatë dhe më vdekjeprurëse po zhvillohej në qytetin ukrainas të Bakhmutit. 

Në fillim të luftës, humbjet më të mëdha ndodhën gjatë betejave për pikat strategjike, por në vitin 2024 u shënua një rritje mujore e numrit të të vrarëve, ndërsa vijat e frontit përparonin ngadalë, duke i mundësuar BBC-së të vlerësojë se Rusia ka humbur të paktën 27 jetë për çdo kilometër katror të territorit ukrainas të pushtuar.

Shërbimi rus i BBC-së, në bashkëpunim me mediumin e pavarur “Mediazona”, si dhe me një ekip të vullnetarëve, ka përpunuar të dhëna publike nga varrezat ruse, memorialët ushtarake dhe njoftimet për vdekje. 

Deri në fillim të muajit maj, janë identifikuar emrat e 106,745 ushtarëve rusë të vrarë gjatë pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Është e qartë se shifrat reale janë shumë më të larta. Ekspertë ushtarakë hamendësojnë se numrat e BBC-së mund të mbulojnë 45 për qind deri në 65 për qind të vdekjeve, që në terma statistikor i bie 164,223 deri në 237,211 persona. 

Data 20 shkurt e vitit 2024, ishte dita më fatale për forcat ruse gjatë atij viti.

Ndër të rënët ishin Aldar Bairov, Igor Babych dhe Okhunjon Rustamov, të cilët ishin pjesë e Brigadës së 36-të, kur katër raketa HIMARS me rreze të gjatë nga Ukraina goditën një poligon stërvitor pranë qytetit Volnovakha në Donetskun e pushtuar.

Ata ishin urdhëruar të rreshtoheshin për një ceremoni simbolike. 65 ushtarë u vranë, përfshirë komandantin e tyre Col Musaev. Dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Bairov, 22-vjeçar, nga Buryatia në Siberinë lindore, kishte studiuar për t’u bërë ekspert në higjienën e ushqimit, por ishte përzgjedhur për shërbim të detyrueshëm ushtarak. 

Në shkurtin e vitit 2022, ai shkoi të luftonte në Ukrainë dhe ishte pjesë e betejës së Borodyankës, gjatë kohës sa brigada e tij po përparonte në drejtim të Kievit në muajin pasues. Qyteza ishte pothuajse e shkatërruar. Burime të afërta me autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se ushtarët rusë ishin përfshirë gjithashtu në ekzekutimin e civilëve. 

Okhunjon Rustamov, 31-vjeçar, nga Chita e Siberisë, kishte punuar si saldues pas shërbimit të detyrueshëm në forcat speciale. Ai ishte mobilizuar gjatë një rekrutimi të pjesshëm në tetorin e vitit 2022.

Për dallim nga Rustamovi, Igor Babych, 32-vjeçar, kishte dalë vullnetar për të shkuar në luftë. Në të kaluarën, ai kishte punuar me të rritur dhe fëmijë të diagnostikuar me paralizë cerebrale, duke i ndihmuar ata me terapi fizike deri në prillin e vitit 2023. 

Në total, 201 ushtarë rusë u vranë atë ditë, bazuar në të dhënat e BBC-së.

Disa orë pas sulmit në bazën stërvitore, ministri i atëhershëm rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, u takua me presidentin, Vladimir Putin, për t’i kumtuar atij lajmin e fushatës së suksesshme ushtarake në vijën e frontit.

Sulmi në bazën stërvitore nuk u përmend, e njëkohësisht nuk pati asnjë koment nga ministria e Mbrojtjes në raportet e saj ditore. 

Një familjare e Okhunjon Rustamov ka thënë se ajo tashmë i ka varrosur tre anëtarë të ngushtë të familjes. 

“Në dhjetorin e vitit 2022, burri im vdiq. Më 10 shkurt të vitit 2024, kumbari im. Dhe më 20 shkurt të këtij viti, gjysmëvëllai. Nga një funeral te tjetri”. 

Në analizën e BBC-së, datat ekzakte të vdekjes së ushtarëve ishin prioritet. Nëse kjo nuk ishte e qasshme, mediumi britanik ka përdorur datën e funeralit apo datën kur vdekja e ushtarit në fjalë ishte raportuar. 

Në dy vjetët e para të luftës, vdekjet e ushtarëve rusë ndoqën modelin e njëjtë; luftime të ashpra me humbje të larta që u shoqëruan pastaj me periudha të qetësisë relative. 

Më 2023, për shembull, shumica e vdekjeve kishin ndodhur ndërmjet muajve janar dhe mars, kohë gjatë së cilës forcat ruse u munduan të pushtojnë qytetet e Vuhledarit dhe Bakhmutit në rajonin e Donetskut.

Sipas llogaritjeve të BBC-së, Rusia humbi 17,890 ushtarë gjatë vitit të parë të luftës. Kjo shifër nuk përfshin humbjet nga dy forcat paramilitare të Rusisë në Ukrainën lindore.
Në vitin 2023, numri u rrit në 37,633.

Teksa në vitin 2024, nuk kishte ndonjë periudhë që tregonte për rënie të ndjeshme të viktimave. Beteja të përgjakshme për qytetet ukrainase Avdiivka dhe Robotyne u pasuan nga sulme të intensifikuara në drejtim të qyteteve të tjera, Pokrovskut dhe Toretskut. 

Në gushtin e vitit 2024, rekrutët rusë u vranë nga ofensiva e rrufeshme e forcave ukrainase në rajonin e Kurskut. Nga data 6 gusht deri më 13 gusht, supozohet se rreth 1,226 ushtarë rusë mbetën të vdekur.

Sipas analistit ushtarak amerikan, Michael Kofman, humbjet më të mëdha ndodhën gjatë një përparimi të ngadalshëm të ushtrisë ruse në lindje të Ukrainës, ndërmjet muajve shtator dhe nëntor të vitit 2024.

“Taktikat tregojnë për sulme të përsëritura me grupe të shpërndara, duke përdorur ekipe të vogla të këmbësorisë, të cilat rritën numrin e përgjithshëm të viktimave në krahasim me terrenin e fituar”, ka shpjeguar Kofman.

Pas dy vjetësh luftime, forcat ruse pushtuan qytetin logjistik të Vuhledarit në rajonin e Donetskut më 1 tetor 2024. 

Bazuar në të dhënat e Institutit Amerikan për Studime të Luftës (ISW), nga shtatori deri në nëntor të vitit 2024, forcat ruse pushtuan 2,356 kilometra katrorë të Ukrainës.

Edhe atëherë, forcat ukrainase në vijën e frontit nuk kolapsuan.

Kostoja e këtij përparimi rezultoi me të paktën 11,678 ushtarë rusë të vdekur.

Sipas të gjitha gjasave, humbjet reale janë shumë më të larta. BBC-ja ka llogaritur vetëm ushtarët dhe oficerët, emrat e të cilëve u shfaqën në nekrologjitë e qasshme publikisht dhe datat e vdekjes ose funeralit të të cilëve bien brenda kësaj periudhe.

Sipas ISW-së, gjatë vitit 2024, Rusia ka pushtuar 4,168 kilometra katrorë të territorit të Ukrainës.
Nëse supozohet se shifra e BBC-së prej 45,287 vdekjeve të konfirmuara në vitin 2024 është rreth 40% e numrit të plotë, atëherë si rrjedhojë numri i përgjithshëm i të vdekurve do t’i afrohet 112,000 sa i përket vitit të kaluar.   

Kjo nënkupton se për çdo kilometër katror të pushtuar janë vrarë 27 ushtarë rusë, pa i përfshirë ushtarët e plagosur.

Si humbjet po e ndryshojnë procesin e rekrutimit?

Rusia ka zbuluar mënyra për të plotësuar humbjet në forcat e saj.

“Rekrutimi nga ana e Rusisë është rritur në gjysmën e dytë të vitit 2024, si dhe ka tejkaluar numrin e viktimave, duke i lejuar Moskës të krijojë formacione të reja ushtarake”, ka thënë Kofman.

Pagesat për ushtarët që nënshkruan kontrata të reja u rritën në tre rajone ruse. Pagat për ushtarët vullnetarë janë pesë deri në shtatë herë më të larta se paga mesatare në shumicën e rajoneve.

Ne i klasifikojmë gjithashtu si vullnetarë ata që u regjistruan për të shmangur ndjekjen penale, e cila u lejua me ligj në 2024.

Vullnetarët janë bërë kategoria e viktimave me rritjen më të shpejtë në llogaritjet e BBC-së, duke përbërë një të katërtën e atyre që janë identifikuar si të vrarë.

Në periudhën 2023-2024, mijëra vullnetarë që nënshkruan kontrata me ministrinë ruse të Mbrojtjes, u dërguan në vijat e frontit vetëm dy javë më vonë. Mungesa e stërvitjes ka ndikuar në uljen e gjasave të tyre për të mbijetuar në fushën e betejës, kanë bërë të ditur ekspertët. 

Republika ruse e Bashkortostan, ka përjetuar numrin më të madh të viktimave, që ka arritur në 4,836 vdekje të konfirmuara. Shumica prej tyre ishin nga zonat rurale dhe 38% kishin shkuar të luftonin pa ndonjë përvojë të mëhershme ushtarake. 

Pagesa për nënshkrimin e një kontrate me ushtrinë ruse në qytetin më të madh të Bashkortostanit, Ufa, është 34 herë më e madhe se paga mesatare mujore e rajonit, prej 67,575 rubla (rreth 600 funte).

Llogaritja e humbjeve nga të dhënat publike do të jetë gjithmonë e paplotë.

Numri i saktë i të vrarëve nga radhët e forcave ruse rritet ndjeshëm, nëse përfshihen ata që luftuan kundër Ukrainës si pjesë e Republikave Popullore të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut.

Një vlerësim i nekrologjive dhe raporteve për kërkimin e luftëtarëve që kanë humbur kontaktin sugjeron se mes 21,000 dhe 23,500 persona mund të kenë humbur jetën deri në muajin shtator të vitit 2024.

Kjo do të dërgonte numrin total të viktimave në mesin e personelit ushtarak në 185,000 deri në 260,700 ushtarë.