Të paktën pesë persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një sulmi rus me dron ndaj një treni pasagjerësh në verilindje të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka denoncuar sulmin si terrorizëm.
Prokurorët kanë thënë se në vendngjarje janë gjetur pesë trupa, pas goditjes së trenit që ka ndodhur të martën pranë një fshati në rajonin e Kharkivit në Ukrainë.
Treni po udhëtonte nga Chop, pranë kufijve perëndimorë të Ukrainës me Hungarinë dhe Sllovakinë, drejt qytetit Barvinkove. Pamjet tregonin të paktën dy vagona të përfshirë nga flakët pranë një shtrati hekurudhor të mbuluar me borë.
“Në çdo vend, një sulm me dron ndaj një treni civil do të konsiderohej në të njëjtën mënyrë – thjesht si terrorizëm. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë qëllim ushtarak në këtë”, ka shkruar Zelensky në Telegram.
Ai ka thënë se bombardimi i fundit minon përpjekjet për paqe dhe u ka bërë thirrje aleatëve të rrisin presionin ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës.
“Çdo sulm i tillë rus gërryen diplomacinë që ende po vazhdon dhe minon përpjekjet e partnerëve që po ndihmojnë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, ka shtuar Zelensky.
Prokurorët kanë thënë se një dron ka goditur trenin teksa dy të tjerë kanë goditur zonën pranë tij.
Në postimin e tij në Telegram, Zelensky ka thënë se treni po transportonte më shumë se 200 pasagjerë, përfshirë 18 në vagonin që është goditur.