Hamasi thotë se do të lirojë pengun izraelito-amerikan, Edan Alexander, i cili besohet të jetë rob i fundit i gjallë me kombësi amerikane në Gaza, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
Vendimi vjen përpara vizitës së presidentit Donald Trump në Lindjen e Mesme të martën, raporton BBC.
Hamasi ka thënë se synon gjithashtu të lehtësojë një marrëveshje për hyrjen e ndihmave humanitare. Rripi i Gazës ndodhet nën një bllokadë izraelite për 70 ditë.
Më herët, një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se grupi i armatosur palestinez është duke zhvilluar negociata të drejtpërdrejta me një zyrtar të administratës amerikane në Katar.
E zyra e kryeministrit izraelit ka thënë se nuk ishte angazhuar për ndonjë armëpushim, por vetëm për një "korridor të sigurt" për lirimin e Alexander.
Zyra e Benjamin Netanyahut ka thënë se përgatitjet për intensifikimin e luftimeve ishin ende duke vazhduar dhe lirimi i Aleksandrit ishte bërë i mundur për shkak të presionit ushtarak ndaj Hamasit.
Ndërkaq, një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat me SHBA-në në Katar i ka thënë BBC-së se njoftimi i Hamasit është një gjest i vullnetit të mirë përpara mbërritjes së Trumpit.
Ai ka thënë se një takim tjetër midis Hamasit dhe ndërmjetësuesve ishte planifikuar për të hënën herët në mëngjes për të finalizuar procesin e lirimit të Aleksandrit, i cili do të kërkonte një ndalim të përkohshëm të aktivitetit ushtarak izraelit dhe një pezullim të operacioneve ajrore gjatë dorëzimit.
Presidenti Trump ka konfirmuar lirimin e Aleksandrit në një postim në “Truth Social’, duke e quajtur këtë "lajm monumental" dhe "një hap i ndërmarrë me mirëbesim".
I lindur në Tel Aviv, por i rritur në Neë Jersey, Aleksandri, 21-vjeçar po shërbente në një njësi elitare këmbësorie në kufirin me Gazën kur u kap nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit.
Nga 251 pengjet e marra gjatë sulmit të Hamasit në vitin 2023, 59 mbeten në enklavë, 24 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë. Pesë nga pengjet në Gaza besohet të jenë shtetas amerikanë dhe Aleksandri mendohet të jetë i vetmi ende gjallë.