Botë

Çka thanë liderët evropianë për takimin me Trumpin e Zelenskyn

liderët evropianë

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se bisedimet me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe liderët e Evropës “ishin më të mirat deri tash” dhe se është i gatshëm “për takim bilateral me Putinin”.

Çka thanë liderët tjerë evropianë që ishin në Shtëpinë e Bardhë në këtë takim:

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se “ishte tejet i kënaqur” me rezultatet e takimit, që demonstruan “sens të vërtetë të unitetit” mes liderëve. Ai ka theksuar se “nuk duhet të merret asnjë vendim për Ukrainën, pa Ukrainën”.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka kërkuar nga Trumpi “të bëjë presion mbi Rusinë për armëpushim”. “Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm do të zhvillohet pa armëpushim”, ka thënë ai. Putini është pajtuar për takim bilateral brenda dy javëve të ardhshme, ka thënë Merz.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri jehonë komenteve të Merzit për armëpushim, por gjithashtu ka thënë se forcat ushtarake evropiane duhet t’i ndihmojnë Ukrainës “me këmbë në terren”.

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ishte më i kujdesshëm dhe u shpreh se “nuk ka pasur asgjë konkrete” për pjesëmarrjen e SHBA-së në garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sa i përket një takimi bilateral mes Zelenskyt dhe Putinit, ai ka thënë se liderit rus “nuk mund t’i besohet”.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se një prej pyetjeve më të rëndësishme ishte se “si të ketë siguri që kjo s’do të ndodhë më, se cili është parakushti për çdo lloj paqeje”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, duke thënë se “kostot njerëzore të kësaj lufte duhet të marrin fund”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur Trumpin “paqebërës pragmatik” dhe ka thënë se liderët do të punojnë në ofrimin e garancisë në ditët në vijim.

Lexo përditësimet tjera
trump

Përparohet drejt takimit Zelensky-Putin, Evropa mirëpret garancinë e Trumpit