Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të shqetësimeve lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të liderit rus, Vladimir Putin.
Cooper i ka thënë BBC-së se Mbretëria e Bashkuar ishte ftuar të bëhej pjesë e bordit, por se “nuk do të jetë një nga nënshkruesit sot” në ceremoninë e planifikuar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të enjten.
Sekretarja e Jashtme e ka përshkruar bordin si një “traktat ligjor që ngre çështje shumë më të gjera” sesa fokusi fillestar i nismës për t’i dhënë fund luftës Izrael - Hamas në Gazë.
Statuti i propozuar nga Shtëpia e Bardhë nuk e përmend territorin palestinez dhe duket se është projektuar për të zëvendësuar disa funksione të Kombeve të Bashkuara.
Vende si Arabia Saudite, Turqia, Egjipti dhe Izraeli kanë deklaruar se do të bëhen anëtare të bordit, ndërsa në Davos, presidenti Trump ka thën se Putini e kishte pranuar ftesën për t’iu bashkuar nismës.
Megjithatë, presidenti Putin nuk e ka konfirmuar këtë dhe më herët ka deklaruar se vendi i tij është ende duke e shqyrtuar ftesën.