Botë

Britania miraton “mega” ambasadën e Kinës në Londër pavarësisht frikës për sigurinë

Britania

Qeveria e Britanisë së Madhe i ka dhënë dritën jeshile planeve që Kina të ndërtojë një "mega" ambasadë pranë distriktit financiar të Londrës, pavarësisht paralajmërimeve nga ligjvënësit, banorët dhe disidentët kinezë në mërgim, se kompleksi i madh mund të përbëjë rreziqe për sigurinë.

Kina e ka blerë truallin në Royal Mint Court, ku Britania dikur prodhonte monedha, për rreth 312 milionë dollarë në vitin 2018. 

Por një vendim mbi planet për ambasadën e re prej 20 mijë metrash katrorë, e cila do të bëhej përfaqësia më e madhe diplomatike e Kinës në Evropë, është shtyrë tri herë përpara se qeveria ta miratonte të martën.

Këto vonesa janë tregues i pasigurisë së qeverisë britanike lidhur me qasjen e saj ndaj Kinës. 

Britania dëshiron paratë dhe vullnetin e mirë diplomatik të Kinës, por prej kohësh ka qenë e kujdesshme ndaj lejimit të Pekinit zyrtar për të ndërtuar një ambasadë që do të ndodhej pranë kabllove me fibra optike, që transmetojnë të dhëna sensitive për kompanitë financiare, dhe që ka frikë se mund të përdoret për të spiunuar shtetasit kinezë që jetojnë në Londër.

Vendimi për planifikimin, një dokument prej 240 faqesh, përfundoi se “propozimi përputhet me planin e zhvillimit kur merret në tërësi” dhe, si i tillë, “leja e ndërtimit dhe miratimi për ndërtesën e mbrojtur duhet të jepen".

Disa ditë para miratimit nga qeveria, gazeta britanike Telegraph publikoi ato që i quajti plane të paredaktuara që tregojnë se Kina synon të ndërtojë një kompleks prej 208 dhomash nën ambasadë.

Një nga dhomat, sipas gazetës, do të vendoset pranë dhe vetëm pak metra larg kabllove me fibra optike që mbartin trafikun e email-eve dhe të dhënat financiare të miliona britanikëve.

MI5, shërbimi i spiunazhit të brendshëm britanik, nuk ka ngritur asnjë kundërshtim zyrtar ndaj planeve të ambasadës, pavarësisht paralajmërimit për kërcënime më të gjera nga Kina. Pas përditësimit të tij vjetor mbi kërcënimet në tetor, Ken McCallum, kreu i agjencisë, u ka thënë gazetarëve: “A paraqesin aktorët shtetërorë kinezë një kërcënim për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar? Përgjigja është, sigurisht, po, ata e bëjnë, çdo ditë".

Vendimi i Britanisë mund të jetë ndikuar nga fakti se asaj i duhet miratimi i Kinës për të rinovuar ambasadën e saj në Pekin. Thuhet se Kina i ka bllokuar planet britanike, ndërsa priste miratimin për ambasadën e saj të re në Londër, gjë që do t'i lejojë asaj të zhvendoset nga posti i saj aktual pranë Regent's Park.