Botë

BE-ja dhe Britania e Madhe arrijnë marrëveshje në disa fusha

Ursula von der Leyen dhe Keir Starmer

Foto: Associated Press

Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë arritur një marrëveshje paraprake për mbrojtjen dhe sigurinë, peshkimin dhe lëvizshmërinë e të rinjve, përpara një samiti BE-Mbretëri e Bashkuar që mbahet të hënën, duke i hapur kështu rrugën firmave britanike për të marrë pjesë në kontratat e mëdha të mbrojtjes të BE-së, kanë thënë zyrtarët e BE-së.

Përfaqësuesit e qeverive të BE-së në Bruksel morën një tekst të një mirëkuptimi të përbashkët midis Britanisë dhe BE-së dhe dokumenti tani po miratohet nga të gjitha 27 vendet anëtare, kanë shtuar zyrtarët.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa do të takohen më vonë të hënën në Londër.

"Ka një marrëveshje ... mbi tekstet e ndryshme dhe aspektet paralele të Samitit BE-MB”, ka thënë një diplomat i BE-së.

"Nga kuptimi im, të gjitha vendet anëtare duket se janë të kënaqur me atë që është vënë në tryezë ndërsa samiti është gati të fillojë. Tani ekziston një procedurë e shkruar në vazhdim për të patur marrëveshjen formale të të gjitha vendeve anëtare, por kjo nuk duhet të shkaktojë ndonjë problem”, ka shtuar diplomati.

Britania është gati të bjerë dakord për rivendosjen më të rëndësishme të lidhjeve me Bashkimin Evropian që nga Brexiti, në samitin e së hëns, duke kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë në tregti dhe mbrojtje për të ndihmuar në rritjen e ekonomisë dhe rritjen e sigurisë në kontinent.