Tech

SHBA-ja e Britania drejt marrëveshjes historike për teknologjinë

Demetrius Freeman/The Washington Post

Demetrius Freeman/The Washington Post

Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë në përgatitjet e fundit për të nënshkruar marrëveshjen historike në fushën e teknologjisë gjatë vizitës shtetërore të Presidentit Donald Trump në Britani, bëri të ditur Ambasada Britanike në Uashington, raportoi Reuters.

Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin mes dy ekonomive të fuqishme teknologjike, duke hapur më shumë mundësi për bizneset dhe konsumatorët në të dyja vendet.

Sipas ambasadës, teksa detajet përfundimtare janë ende në proces negocimi, marrëveshja do të fokusohet në teknologjitë kyçe si: inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit e telekomunikacioni.

“Teknologjitë më të avancuara si inteligjenca artificiale do të transformojnë jetën tonë,” u shpreh Sekretarja britanike për Teknologjinë, Liz Kendall. 

Presidenti Trump pritet të mbërrijë në Londër të martën për vizitën e tij të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, e cila do të zgjasë tre ditë. Ai do të shoqërohet nga një delegacion i përbërë nga drejtues të disa prej kompanive më të mëdha amerikane në sektorin teknologjik, përfshirë CEO-n e Nvidia, Jensen Huang, dhe kreun e OpenAI-t, Sam Altman.

Që nga fillimi i vitit, të dy vendet kanë publikuar planet e tyre kombëtare për veprim në fushën e inteligjencës artificiale. 

Kompanitë amerikane si Anthropic dhe OpenAI po hapin zyra ndërkombëtare në Londër, ndërsa ato britanike si DeepMind po thellojnë bashkëpunimin përtej Atlantikut.

Marrëveshja e re pritet të përshpejtojë këto zhvillime, duke e shndërruar partneritetin SHBA–MB në një nga aleancat më të fuqishme teknologjike në botë.