Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi takon shefat e “Super Inteligjencës”, arrihen tri marrëveshje

Donald Trump

Donald Trumpi u flet gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë në Washington, të martën më 29 shtator 2026, pas takimit me drejtues të lartë të kompanive të AI-së.

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka pritur të martën një takim me drejtuesit kryesorë të kompanive të teknologjisë, në atë që e ka quajtur “një takim të jashtëzakonshëm” të mendjeve që “po ndërtojnë Epokën e Artë të Amerikës”.

Në listën e të ftuarve ishin drejtues nga OpenAI, Anthropic, Nvidia, SpaceX, Meta dhe Google, të gjithë figura kyç të industrisë amerikane të inteligjencës artificiale (AI).

Takimi është zhvilluar ndërsa disa drejtues dhe ekspertë të teknologjisë kanë bërë thirrje për mbikëqyrje më të rreptë të AI-së, duke shprehur shqetësime për rreziqet e mundshme që ajo paraqet për njerëzimin.

Më poshtë janë tri përfundimet kryesore nga samiti i Trumpit për teknologjinë në Shtëpinë e Bardhë.

1. Marrëveshja për “vetërregullimin” e AI-së

Edhe Trumpi për ngadalësimin e zhvillimit të AI-së: I hap rrugë Kinës Tech Trumpi për ngadalësimin e zhvillimit të AI-së: I hap rrugë Kinës

Trumpi u është përgjigjur pyetjeve të mediave për rreth 30 minuta, së bashku me drejtuesit kryesorë të kompanive të teknologjisë, pas takimit me dyer të mbyllura.

Presidenti ka thënë se drejtuesit kishin nënshkruar një dokument “moralisht detyrues”, i cili do të shërbente si një “formë mbrojtjeje” nga rreziqet e mundshme të AI-së.

Sipas marrëveshjes, të cilën Trumpi e ka publikuar online, kompanitë janë përgjegjëse për garantimin e sigurisë së teknologjisë së tyre.

Kompanitë kanë rënë gjithashtu dakord të zbatojnë masa mbrojtëse për të siguruar që modelet të funksionojnë sipas qëllimit dhe të zbulojnë e korrigjojnë shpejt çdo problem.

Ato do të punojnë gjithashtu me “auditues të pavarur” për të vlerësuar nëse sistemet e tyre të AI-së po funksionojnë sipas qëllimit dhe për të garantuar që platformat e tyre të mos “hakojnë ose të kenë qasje në sisteme teknike në mënyra të paqëllimshme”.

Marrëveshja është nënshkruar nga Trumpi, drejtuesi i Google, Sundar Pichai, kreu i Anthropic, Dario Amodei, Mark Zuckerberg i Meta-s, presidenti i OpenAI, Greg Brockman, Elon Musk i SpaceX dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang.

“Është pothuajse si një kushtetutë, në një farë mënyre”, ka thënë Trumpi, duke iu referuar marrëveshjes. “Dhe njerëzit më të fuqishëm në botë e nënshkruan atë, dhe unë e nënshkrova si president”, ka shtuar.

Trumpi ka thënë po ashtu se do të krijojë një bord për të mbikëqyrur sigurinë e mjeteve të AI-së por pa specifikuar se kush do të jetë pjesë e këtij bordi.

Zuckerberg ka thënë se marrëveshja u jep “popullit amerikan dhe klientëve besimin se teknologjia funksionon” sipas qëllimit, duke e cilësuar takimin si një “bisedë historike”.

Amodei e ka quajtur marrëveshjen një mënyrë “për të fituar në mënyrë të sigurt”, duke iu referuar deklaratës së presidentit në fillim të këtij muaji se “kushdo që fiton AI-në, fiton”.

Por jo të gjithë ekspertët janë impresionuar nga marrëveshja.

Jose Miguelito Enriquez, studiues i qeverisjes së AI-së në Universitetin Teknologjik Nanyang, ka thënë se marrëveshja tregon një “konsensus në zhvillim”, por nuk trajton çështjen nëse zhvilluesit e AI-së duhet të mbahen përgjegjës për incidentet.

“Ajo është thellësisht zhgënjyese dhe vjen pavarësisht thirrjeve nga disa liderë botërorë dhe figura të industrisë për rregulla më të rrepta mbi këtë teknologji”, ka thënë Kimberlee Weatherall, profesore e drejtësisë në Universitetin e Sidneit.

Marrëveshja duket se u lejon kompanive “të përcaktojnë se çfarë konsiderohet siguri” dhe nuk përcakton se cilat janë pasojat për shkeljet e saj, ka shtuar Weatherall.

Trump i ka minimizuar vazhdimisht shqetësimet për rreziqet e AI-së, edhe pse kompanitë kryesore të AI-së kanë bërë thirrje për mbikëqyrje më të rreptë të teknologjisë.

Të hënën, OpenAI ka njoftuar se kishte hequr dorë nga publikimi i modelit të saj më të fundit kryesor të AI-së, GPT-6.1 Astra, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Kontrollet e sigurisë së kompanisë janë vënë nën një shqyrtim intensiv pas disa incidenteve të profilit të lartë që përfshijnë teknologjinë e saj, përfshirë rastet kur modelet e saj kanë hyrë pa autorizim në platformat e qeverisë australiane.

Edhe Trumpi minimizon rrezikun nga AI-ja, por rrit shqetësimet Botë Trumpi minimizon rrezikun nga AI-ja, por rrit shqetësimet

Jeannie Paterson nga Qendra për Inteligjencën Artificiale dhe Etikën Digjitale në Universitetin e Melburnit ka thënë se vetërregullimi mund të nënkuptojë që kompanitë vendosin “vetëm masa minimale mbrojtëse”.

2. Zgjerimi i mëtejshëm i qendrave të të dhënave

Trumpi ka përsëritur gjithashtu mbështetjen e tij për zgjerimin e shpejtë të qendrave të të dhënave – infrastruktura thelbësore kompjuterike që fuqizon AI-në.

Zgjerimi i qendrave të të dhënave ka hasur kundërshtime në të gjithë vendin për shkak të shqetësimeve mbi konsumin e energjisë elektrike dhe ndikimin e tyre të mundshëm mbi komunitetet.

Ndërtimi i qendrave të të dhënave është shfaqur gjithashtu si një pengesë e mundshme politike për Partinë Republikane të Trumpit përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA në nëntor.

Një sondazh i kryer nga Marist Poll në bashkëpunim me NPR dhe PBS Neës në fillim të këtij muaji ka zbuluar se 65% e votuesve të regjistruar kundërshtonin ndërtimin e qendrave të të dhënave në zonat e tyre.

Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, Trumpi ka thënë se kompanitë e teknologjisë do të punonin për t’i bërë njerëzit “të kënaqur” me ndërtimin e qendrave të të dhënave.

“Këto kompani të mëdha, të fuqishme, shumë të pasura dhe shumë të zgjuara do të japin kontribute masive për komunitetet”, u ka thënë Trumpi gazetarëve.

Trump kishte thënë më parë në rrjetet sociale se e vetmja arsye pse komunitetet duhet të kundërshtojnë qendrat e të dhënave është nëse ato “duan të mbeten të prapambetura dhe të varfra”.

Huang i Nvidia-s, e cila prodhon çipat kompjuterikë thelbësorë për funksionimin e AI-së, ka thënë pas takimit se qendrat e të dhënave duhet të quhen “fabrika të superinteligjencës”.

Këto objekte “po riindustrializojnë Shtetet e Bashkuara”, duke krijuar vende pune në të gjithë ekonominë, ka shtuar ai. 

3. Tani quhet “Super Intelligence”

Gjithashtu të martën, Trumpi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që udhëzon departamentet dhe agjencitë e qeverisë amerikane të fillojnë të përdorin termat “SI” dhe “Super Intelligence” (Super Inteligjencë) dhe të mos përdorin më termin “Inteligjencë artificiale”.

Sipas urdhrit, SI do të zëvendësojë AI-në në “korrespondencën zyrtare”, faqet e internetit, raportet dhe forma të tjera komunikimi.

“Ndërsa këto aftësi vazhdojnë të përmirësohen, ato përfaqësojnë gjithnjë e më shumë jo thjesht inteligjencë artificiale, por një epokë të re të Superinteligjencës”, thuhet në urdhër.

Trumpi ka folur para mediave së bashku me drejtuesit e kompanive të teknologjisë pas samitit.

Gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar, Trumpi ka thënëse  fjala “artificiale” e bënte teknologjinë të “tingëllonte si diçka e rreme”.

Edhe Trumpi minimizon rreziqet që paraqet AI-ja, përmend rivalitetin me Kinën Botë Trumpi minimizon rreziqet që paraqet AI-ja, përmend rivalitetin me Kinën

Disa drejtues të teknologjisë, përfshirë Zuckerberg dhe Musk, si dhe persona të tjerë pranë presidentit, kanë filluar tashmë ta përdorin këtë term.

Por disa ekspertë kanë thënë pas fjalimit të Trumpit në OKB se mendonin se termi nuk ka gjasa të përhapet gjerësisht, sepse zakonisht përdoret për t’iu referuar sistemeve më të avancuara.