Prokurori Shala dyshohet se mori ryshfet nga avokatja Berisha për ndërprerjen e masës së ndalimit prej 48 orë
Më datë 23 gusht 2022, në ora 17 e 25 tani i dënuari S.G në pozitën e shefit e kishte sulmuar fizikisht punëtorin e tij B.K në vendin e punës në një market në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Fillimisht S.G e kishte kapur për fyti dhe në qaf, dhe duke e tërhequr jashtë zyrës e kishte goditur me grushta dhe shqelma.
Si pasojë, B.K kishte rënë në dysheme.
Mirëpo, S.G nuk kishte ndaluar, duke vazhduar edhe më tej të e godiste të dëmtuarin me shqelma, kësisoj duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Sulmi kishte ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve në punë.
Për këtë, Policia e Kosovës e kishte arrestuar S.G dhe me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm në Prizren, Beqë Shala, e kishte ndaluar për 48 orë.
Mirëpo, prokurori Shala këtë rast dyshohet se e shfrytëzoi për të marrë ryshfet.
Video incizimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” lë të kuptohet se pak orë pas caktimit të masës së ndalimit prej 48 orësh prokurori Shala kishte zhvilluar një takim me avokaten e të dyshuarit, S.G, Drenushë Berisha.
Në takimin e radhës, avokatja Berisha ishte shoqëruar nga bashkëshorti i saj, F. U, deri tek vetura e prokurorit Shala.
Derisa, xhirimi i diskutimit dyshohet se po bëhej nga vetë avokatja Berisha.
Në këtë diskutim mes tyre, prokurori Shala tregon se i kishte ndërprerë të dyshuarit masën e ndalimit prej 48 orësh.
“Avokatja Berisha: Mirë bre mirë a u lodhe ti, qysh po kalon?
Prokurori Shala: Qe ia lëshova vendimin atij, të lirohet meniher.
Avokatja Berisha: Po se më thirrën familjarët më tha u kry, se e kishin marrë atë djalin në sabah, se unë kur të thirra qatëher, se kur të shkrujta faktikisht veç sa shkova në punë. Tani e kishin marrë kenë masdite. Prokuror unë nuk e dita që qeshtu po të kallxoj realisht unë ja mora atyne dje qysh u mora vesh veç 700 jau kom marrë. Qe ku i kam parët, mi kanë pru sot. Se a e din qysh ke puna, nuk është që më ka ndodh najherë qështu hera e parë dhe nuk..
Prokurori Shala: Kqyre une.
Avokatja Berisha: Jo unë qe ku i kom 700.
Prokurori Shala: Njerzt bajnë.
Avokatja Berisha: Ooo e di prokuror unë noshta edhe jom e re, dhe nuk është që më ka ra në qësi situate, tash jena.
Prokurori Shala: Kqyre ishalla ngo, qirak net tbahet, as unë s’kom asi. A e din kur, mas nja besë 5 vjete që i pata Beqë, jo mas një vjetë më kanë thanë Beqë a e din Beqë Shala që njerëzit janë tu marrë parë në emër tanin. Kanë marrë (nuk kuptohet) heeej. Spo thom hallall po kanë marrë a po kupton. Kanë marrë gjinja, ma kanë ngjit n’dorë, kanë thanë a po e she unë fola i dim na ato, hin zyre e qel derën, thotë qe a po e sheh a më pave e qela i fola. Le s’po e komplikojmë”.
Pra, avokatja Berisha thotë se vetë ajo si dhe pala nuk ishin dijeni se prokurori do t’i kërkonte ryshfet.
Dhe se pasi ka caktuar shumën e pagesës për shërbimet e saj si avokate në vlerë prej 700 euro, e ka kuptuar këtë.
Mirëpo, prokurori Shala shpreh besimin e plotë se bashkëpunimi mes tyre do të mbetet konfidencial.
“Prokurori Shala: Unë si për shpinë tem asi, edhe të besoj.
Avokatja Berisha: Jo unë tash po të kallxoj krejt realisht.
Prokurori Shala: Jom dridh thuj aa hahah (qesh).
Avokatja Berisha: Jo, sinqerisht.
Prokurori Shala: E zoja je.
Avokatja Berisha: Jo, nuk është puna për aty jom e re qet punë dhe normal nuk jam lëshu kurrë me kërkon, në atë raportin me ty.
Prokurori Shala: Jaaa, unë kurrë.
Avokatja Berisha: Jo tash po të kallxoj kshtu.
Prokurori Shala: Haaaj Zot.
Avokatja Berisha: Jo, normal taman puna.
Prokurori Shala: Pasha Zoti.
Avokatja Berisha: Ama e para, e dyta unë kur u mora vesh me këta u mora vesh në zyrë pa ardh të ti me të pyt, unë e mora vesh për seanca deri në fund i thash mi paguni 700 euro. Dje ata thanë avokate kur të del që del na vijmë t’i bijmë paret. Sot erdhën e bonën pagesën që ku jon 700 euro cent ëm cent”.
Pra nga kjo rezulton se avokatja para se të takohej më 25 gusht 2022, me prokurorin Shala për t’ia dorëzuar parat, veçse kanë pasur takim dhe komunikim paraprak.
Nga këto komunikime biseda lë të kuptohet se është diskutuar për ndërprerjen e masës së ndalimit.
Në kushte normale, nëse avokatja nuk do të ishte në dijeni për vepruar, siç dëshmohet në video-incizim, atëherë ajo supozohet se do duhej të reagonte ndaj tentimit të prokurorit për të marrë ryshfet. Por, një gjë e tillë dëshmohet se nuk ka ndodhur.
Avokatja Berisha insistonte që t’i jepte 700 euro ryshfet prokurorit Shala
Ndërsa në takimin mes tyre pasi avokatja ia prezanton 700 euro të marra nga pala mbrojtëse për shërbimet e avokatisë, prokurori Beqë Shala vendos t’i ndajë në dy pjesë.
Mirëpo, avokatja Berisha tregohet zemërgjerë duke insistuar që t’ia jap gjithë shumën.
“Prokurori Shala: Merre ti pjesën tane ( nuk kuptohet)
Avokatja Berisha: Qe prokuror.
Prokurori Shala: Jajaa
Avokatja Berisha: Jo une, ti e din.
Prokurori Shala: Merri, merri
Avokatja Berisha: Jo prokuror, qe 700.
Prokurori Shala: Merri moj.
Avokatja Berisha: Hiç s’është problem
Prokurori Shala: Merri, merri, Pasha Zotin. (nuk kuptohet)
I numëron parat.
Avokatja Berisha: 200.
Prokurori Shala: Sa i ki?
Avokatja Berisha: 200.
Prokurori Shala: 250. Sa the?
Avokatja Berisha: 700 unë ja kom marrë deri në fund të procedurës.
Prokurori Shala: Ahaa, këtu kenë 200, 350. Hajr i koftë, ishalla ia shohim hajrin”.
Prokurori Shala – avokates Berisha: Ia pafsh hajrin, unë ma nuk du
Tutje, prokurori Shala i lë hapësirë avokates Berisha për të folur sërish me palën, për t’i kërkuar më shumë para.
Mirëpo, thotë se për vete nuk do më shumë.
Ndërsa, kur avokatja Berisha i thotë se nuk do të kërkojë para të tjera nga pala të cilën e mbron, si dhe nuk do ta njoftojë për shumën e dhënë prej 350 euro, prokurori Shala shprehet i kënaqur duke thënë “shumë pastër kjo”.
Në këtë bisedë, ai tregon se si e kanë komentuar edhe veshjen e shtrenjtë të palës së dëmtuar.
“Prokurori Shala: Po po e dim na qysh deklarohen. Edhe masanej ai ky pe njeh zyrtari, pi njeh do sene, a e din qysh thojke ai sum ka dhanë pare nuk tek o bash i varfër, pi shoh këto sene, firma jon këto.
Avokatja Berisha: Unë nuk e di me të thanë drejtë komplet procedurën, hala shkresat..
Prokurori Shala: Edhe atij për me i kallxu për me i marrë ti ia pafsh hajrin, une ma nuk du.
Avokatja Berisha: Jo e kom kry edhe une, e kom kry deri në fund të procedurës me qëto, se unë për seanca kur të ngritët aktakuza shkoj me marrëveshje se qështu u morrëm vesh. Për këtë rast s’ka lidhje se qështut jom marrë vesh dje, e tashti as nuk muj me i thanë në emër të prokurorit, për punën tem deri në fund.
Prokurori Shala: Po, për punën tanë, shumë pastër kjo, a e din shumë pastër.
Avokatja Berisha: A e din, kjo u kanë për seancën për ata, për ata.
Prokurori Shala: Atij i the mos më thirr po a?
Avokatja Berisha: Ja, ja, ja për diçka tjetër jo.
Prokurori Shala: Sa ma shkurt ai tha ishin të rrezikshëm, jo nuk tha rrezikshëm po tha..
Avokatja Berisha: Une sot kenë, faleminderit avokate e kryjtën pagesën e vetë deri në fund të procedurës me mu, ditën e mirë.
Prokurori Shala: edhe kur tasi ma thuj se.
Avokatja Berisha: Jo unë tash me i qu në ndërmjetësim, kur të vjen ekspertiza se nashta pajtohen, vendimi i lehtë, ai tha po e lam kur të vjen ekspertiza me ardh. Qeshtut prokuror
Prokurori Shala: Ishalla (nuk kuptohet) bashkëpunim.
Avokatja Berisha: U ba”.
Prokurori Shala duke i pranuar parat thotë se nuk është se shpirti i ka mbetur në to, dhe uron që t’ua shohin hajrin.
Ndërsa, avokates Drenushë Berisha, i lë derën e hapur për të vazhduar bashkëpunimin korruptiv, duke i treguar edhe shtëpinë se ku banon.
“Prokurori Shala: A e din qysh, nuk është puna që na ka mbet shpirti në qeta, e kryjmë pastër. Hec. Të fala burrit.
Avokatja: Kalofsh mirë.
Prokurori Shala: Tjera herë kur të vini..
Avokatja: Se di shpinë.
Prokurori Shala: Te udhëkryqi aty, të udhëkryqi tjetër qesaj rruge që e vazhdon..
Avokatja: Po.
Prokurori Shala: Restorant “C*****” a e din?
Avokatja: Po.
Prokurori Shala: Si ka 100 metra me u kthy..
Avokatja: Po qët rrugën qeknena unë shkoj për banesë.
Prokurori Shala: (Nuk kuptohet).
Avokatja: Hajt tung me të mira,
Prokurori Shala: : Të fala burrit.
Avokatja: Faleminderit”.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktoj me S.G, mirëpo nuk ka arritur.
Pas këtij takimi, prokurori Beqë Shala, kishte ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit S.G, për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”.
Bazuar në aktakuzën e tij, Gjykata Themelore në Prizren, kishte marrë aktgjykim duke e dënuar të njëjtin me gjobë prej 400 euro.
Ndaj këtij aktgjykimi, Shala nuk kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, për rritjen e dënimit.
Kësisoj, duke përfunduar procedura me kaq.
Mirëpo, parave që dikur uronte t’ua shihte hajrin, tre vjet pas u bën shkas që këto të ishin momentet e fundit që do të hynte në zyrë si prokuror, para se të përfundonte me pranga në duar si i dyshuar, deri në një vendim tjetër të organeve të drejtësisë.
Prokurori special tregon çka ishte gjetur gjatë bastisjes në zyrën dhe shtëpinë e prokurorit Shala
Derisa video-incizim po trajtohej nga “Betimi për Drejtësi”, i njëjti i është dorëzuar edhe Prokurorisë Themelore në Prizren.
“E kam pranuar një zarf në zyrën time së bashku me një CD dhe një letër me 3 4 rreshta shkrim nga një qytetar anonim ku e ka sjell këtë video incizim dhe na ka bërë me dije që përveç që po e sjell në prokurori e ka dhe një medium përkatësisht një gazetare që më vonë e kemi kuptuar se kush e ka. Atë material unë e kam dorëzuar në Prokurorinë Speciale dhe me procedurën është marrë prokurori i Prokurorisë Speciale”, ka treguar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Me të pranuar dëshmitë nga kryeprokurori Kryeziu, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte siguruar dyshimin e bazuar për arrestimin e tij.
Andaj, pasi prokurori Shala kishte filluar punën mëngjesin e së hënës të 27 tetorit, prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, bashkë hetuesit policorë të Departamentit të Krimeve të Rënda, zbarkuan në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
“Veprimet që i kemi ndërmarre deri më tani ato që janë publike janë që pas pranimit të informacionit dhe analizimit të këtij informacionit kemi ardh deri tek një konstatim i bazuar se prokurori në fjalë kë kryer këtë vepër penale dhe mbi këtë bazë edhe kemi ndërmarrë veprimin ku është arrestuar i njëjti”, ka sqaruar prokurori special, Valdet Gashi.
Prokuroria Speciale ishte njoftuar se këtë video incizim e posedon edhe “Betimi për Drejtësi” dhe se për të njëjtin është duke zhvilluar hulumtim për ta publikuar.
Për të mos e cenuar procesin e hetimit, Prokuroria Speciale kanë kontaktuar me redaksinë e “Betimi për Drejtësi” për të bashkëpunuar, për të mos e publikuar videon deri në marrjen e veprimeve konkrete hetimore.
Redaksia ka vendosur të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale, e cila veproi me shpejtësi, duke e arrestuar qysh ditën e hënë të punës të prokurorin e pandehur Shala. Këtë formë të bashkëpunimit, prokurori special Valdet Gashi e vlerëson lartë, duke e konsideruar si luftë të përbashkët kundër korrupsionit zyrtar.
“Po ne kemi njohuri që emisioni “Betimi për Drejtësi” e ka pas një vidoe invizim të tillë dhe gjithashtu nuk e keni publikuar, dhe për këtë e vlerësojmë këtë veprim të emisionit “Betimi për Drejtësi” sepse kjo i ka kontribu shumë rastit konkret dhe është rruga ma e mirë që një bashkëpunim i tillë një koordinim i tillë është rruga ma e mirë për luftimin e korrupsionit zyrtar”, ka thënë prokurori special Gashi.
Nga ky aksion, fillimisht u bastis zyra e prokurori Shala.
Më pas bastisja ishte zhvilluar edhe në shtëpinë e tij në Prizren.
“Prokurori Gashi: Me rastin e zhvillimit të bastisjeve apo urdhër kontrollit të gjykatës, ne kemi gjetë në këto lokacione disa prova, në zyrën e prokurorit kemi gjetë disa shënime të cilat janë në ekzaminim e sipër për të parë se të njëjtat a ndërlidhen me dyshimet ndaj prokurorit për të cilin edhe është fillu hetimi. Ndërsa në lokacionin e dytë në shtëpinë e tij janë gjetur 1700 para të gatshme të cilat për momentin janë sekuestruar dhe janë në vlerësim dhe egzanimin se nga mund të jetë prejardhja e atyre parave.
Gazetarja: Është sekuestruar dhe vetura e tij duke qenë se ka qenë objekt i kryerjes se veprës penale pra takimi është zhvilluar në veturën e tij?
Prokurori Gashi: Për momentin jo nuk është sekuestruar.
Avokatja Berisha mohon të jetë në video-incizimin që ofron ryshfet prokurorit Shala
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar avokaten Berisha, e cila ka mohuar të jetë personi që dëgjohet në video bashkë me prokurorin Shala.
“Avokatja Berisha: Jo apsolut nuk kom çka me thanë. Njoftimin e mora sipas krejt tjertë, nuk kom çka as me u përgjigj as me thanë.
Gazetarja: A jeni ju në këtë video?
Avokatja Berisha: Besoj që e keni thirr personin e gabum. Nuk kom kurcfarë njohurie, kaloni mirë zonjë”.
Mirëpo, në fillim të video incizimit që dyshohet të jetë bërë nga vetë ajo, shihet bashkëshorti i saj F.U.
E pyetur rreth pranisë së tij, avokatja Berisha nuk ka pranuar të jap sqarime duke e ndalë telefonin.
“Gazetarja: Në fillim të video shihet bashkëshorti juaj, çka ka kërkuar atëherë bashkëshorti në këtë video?
Avokatja: Kaloni mirë zonjë”.
Prokurori special nuk flet se në çfarë cilësie është intervistuar avokatja Berisha.
“Meqenëse jemi në fazë të hershme të hetimeve, nuk do ta kisha nda këtë informacion për opinionin sepse mund të dëmtohet integriteti i hetimeve”, ka thënë prokurori i PSRK-së, Valdet Gashi.
Burimet thonë se prokurori Shala ka pranuar se ishte në video-incizim
Nga ky aksion, prokurori Gashi thotë se i dyshuari prokurori Beqë Shala ka pranuar të deklarohet.
Mirëpo, nuk ka treguar nëse i njëjti ka pranuar se i ka pranuar parat.
“Prokurori Gashi: Po prokurori pasi që është arrestuar është intervistuar dhe ajo çka është me rëndësi është që i njëjti ka pranuar që të deklarohet para prokurorisë, por se çka konkretisht ka deklaruar do të kërkoja mirëkuptim nga ana juaj për shkak se nuk mund tani për tani t’i shpalos ato informacione sepse jemi në fazën e hershme të hetimit.
Gazetarja: E ka pranuar i njëjti se është ai në video incizim?
Prokurori Gashi: Nuk mund ta shpalosi tash, por ajo çka është me rëndësi është që i njëjti ka pranuar të flas, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, por ka pranuar të flas”.
Mirëpo, burimet të “Betimit për Drejtësi” kanë treguar se i pandehuri Shala e ka pranuar se është ai në video incizim.
Mirëpo, në këtë rast prokurori Shala pretendonte të kishte marrë oferta dhe nga dikush tjetër.
Bazuar në video-incizim, ai përmend personin Ymerli të restorantit Kosova, e që është Ymeri Pulaj, vëllai i tashmë të akuzuarit për disa vepra penale përfshi dhënie ryshfeti, Shkodran Pulaj.
Prokurori Shala thotë se i njëjti e kishte kontaktuar, duke i ofruar para në këmbim të lirimit të tij.
“Prokurori Shala: Ee a e din çka asi ish pas hi në restorant Kosovë, se Ymerlia me thirri?
Avokatja Berisha: Kush? A Ymerlia.
Prokurori Shala: Ai i restoranit. Ai dojke me ditë tash, demek që tash unë pe di avokaten asi. Ai ish kanë një katunar i atij. Anej knej sen. Thash ti hajgare po bon a. Kofqe lëshohet sot, kofqe qëkaq. A e din, kofqe.
Avokatja Berisha: Jaa unë skom fol me kërkan kurgja.
Prokurori Shala: Jo veç po thom sa me ditë.
Avokatja Berisha: Nashta e kanë pa kur kom hi, ose i kanë kallxu ata si emër, se unë jo.
Prokurori Shala: Joo mer ti e ki autorizimin. Ma shkurt atij ja i thash a e din shka sikur me pas fol hiç, jo bre shoq i thash nuk lëshona në kësi avetura. Edhe qai i dëmtumi krejt ndryshe versionin, ( nuk kuptohet) ke i veshun do sene të shtrejta.
Avokatja Berisha: Jo normal ata po”.
Në anën tjetër, Pulaj ka mohuar ta ketë kontaktuar prokurorin Shala për këtë çështje.
Mirëpo pohon se i njëjti ka vizituar lokalin e tij.
“Pulaj: Kurrë për landë, për punë për ndonjë rast me shku të zyra e prokurorit unë absolutisht jo të ai po te asnjë prokuror s’kom ndërhy kurrë në jetë teme. Kurrë s’jom marrë me këto punë kurrë. kurrë kurrë përjetë, të garantoj me jetën. Ka ardh ka pi kafe gjithmonë me naj shok me dikon, me naj koleg të vetin me asi.
Gazetarja: Ka nejt në lokal te ju a?
Pulaj: Po kur jom kanë unë para 2 vjete, 2 vjet e gjysmë, para rastit të Shkodranit”
Prokuroria Themelore në Prizren dhe ajo Speciale hetuan dhe një rast tjetër të prokurorit Shala
Por, rasti në fjalë nuk është rast i izoluar.
Metoda e marrjes së ryshfetit duke mos i dërguar të dyshuarit në ndalim 48 orë apo duke mos bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, dyshohet të ketë qenë praktikë e prokurorit Shala.
Arrestimi i tij të hënën e 27 tetorit, u bë duke u bazuar edhe në një rast tjetër të kryerjes së veprës penale “marrje ryshfeti”.
Argumentimi i këtij rasti ishte arritur përmes zbatimit të masës së fshehtë, atë të simulimit.
Më datë 11 tetor 2025 rreth orës 12 të mesditës, Policia e Kosovës kishte arrestuar pesë persona: A.A,D.A, A.A, B.A dhe R.A në rrugën “Drejtësia” në Prizren me dyshimet për “lëndim të lehtë trupor”.
Avokat i të pandehurit R.A ishte Miftar Qelaj.
Pak orë pas arrestimit të tyre, Qelaj kishte takuar prokurorin Shala para objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me qellim që ta informoj se pala kundërshtare ka armë.
Mirëpo, ky informacion dyshohet të ishte shpërfillur nga prokurori Shala.
“Me datën 11 10 2025 unë kam marrë autorizimin nga familja për ti dhënë mbrojte familjarit të tyre në stacionin policor, i cili është intervisutar për një rast që kishte ndodh paraprakisht. Pas intervistës së klientit tim i njëjti ka deklaruar se ka informacion të sigurt se pala tjetër posedon armë, përveç kësaj kam siguru nga familjarët një video incizim që pasqyron një pjesë të ngjarjes në ditën kritike. Meqë ishte ditë vikendi dhe nuk kisha mundësi tjetër ta njoftoj prokurorin kujdestar atë ditë, rusisht e kam takuar tek prokuroria, kemi shkëmby disa biseda me të sa i përket kësaj pjesë, edhe pse i njëjti nuk e ka përfill janë të përfshira në aktvendim për fillim të hetimeve dhe deklaratën që e kam dhënë në prokurori sa i përket rrjedhës nuk mund të deklarohem ka me ardh koha kur kanë me dalë të gjitha në shesh”, ka thënë avokati Qelaj.
Ndryshe nga Berisha, avokati Miftar Qelaj theu heshtjen duke denoncuar prokurorin
Bazuar në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, sipas avokatit Qelaj kishte kaluar direkt në kërkesën për marrje ryshfeti me qëllim që pesë të pandehurit të mos i dërgoj në ndalim për 48 orë.
“Më datë 11 tetor 2025, rreth orës 15:30 avokati Miftar Qelaj i cili ishte mbrojtës i autorizuar i të pandehurit R.A e takon prokurorin para objektit të prokurorisë në Prizren, të cilin e njofton se ka informacion të sigurt që pala kundërshtare posedon armë, prokurori nuk e përfill këtë informacioe dhe i drejtohet me fjalët “a po don me ti lëshu krejt por diçka duhet se ata po kanë me marrë avokat menjëherë ty dhe Blerim Mazrekun, në të kundërt nuk foli më për këtë punë të pestë shkojnë në ndalim”, thuhet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Mirëpo, meqë Qelaj nuk kishte dhënë ryshfet, prokurori Shala kishte caktuar masën e ndalimit për 48 orë.
Pas këtij takimi, Qelaj e kishte denoncuar menjëherë rastin tek kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Kryeprokurori Kryeziu duke i shfrytëzuar autorizimet e tij kishte lëshuar masën e fshehtë, atë të simulimit.
“Rasti i parë është paraqitur nga një qytetar për mendimin tonë një bashkëpunues i nderuar dhe i ndërshëm, për të cilin vazhdojmë ta kemi respektin, i cili nuk ka zgjedhur t’i bashkohet krimit por ka zgjedhur të godas në derën e drejtësisë. Në ditë vikendi, ditë të diel më ka kontaktuar në numër të telefonit, nuk e kam ditur se kush është kur e ka parë se nuk po i lajmrohet ka lënë një tekst mesazhi dhe më ka informuar se një koleg i imi po i kërkkonte ryshfet. Brenda pak minutave në këtë zyre ku jemi e kam pritur qytetarin, dhe aty kam hapur procesverbalin menjëherë në ditë të diel, kam marrë deklaratën e tij dhe përveç deklaratës ka dorëzuar dhe provat materiale të cilat nuk do t’i bëjë të dituara në këtë fazë”, ka thënë kryeprokurori i PTH në Prizren, Petrit Kryeziu.
Për këtë rast prokuroria kishte aplikuar masat e fshehta, përfshi atë të simulimit.
“Ajo që mund të them dhe që e thash dhe paraprakisht është që kemi apliku masat e veçanta hetimore, të pakttën 3 prej tyre, njëra prej tyre simulimi ka qenë, dhe pritej që të shkëmbeheshin të hollat pjesën është fazëë shumë e hershme që ta ndaj me ju, por do të sqarohet më vonë në gjykatë”, ka shtuar Kryeziu.
Avokati Qelaj kishte pranuar të zbatonte masën e simulimit, duke ju përgjigjur tentativës së dytë të prokurori Shala për të marrë ryshfet.
Këtë herë, ai kishte ofruar mundësinë e mos parashtrimit të kërkesës për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.
Për këtë, avokati Qelaj ishte takuar me prokurorin Shala, një ditë pas, më 12 tetor.
“.. ndërkohë më datë 12 tetor 2025 rreth orës 10:23, përmes aplikacionit “Ëhatsapp” prokurori e telefonon avokatin dhe zhvillojnë bisedë duke u dakorduar që të takohen fizikisht. Pas pak minutave prokurori i shtetit me veturën e tij të markës “Seat” ngjyrë hiri, paraqitet 30 metra afër shtëpisë së avokatit në Prizren, ku edhe takohen dhe i bën me dije që në këmbim të premtimit për mos paraqitje të masës për sigurinë e prezencës së të pandehurit në procedurë, duhet të përfitoj materialisht vet prokurori”, thuhet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Qelaj thotë se bashkëpunoi me prokurorinë, pasi e ndjeu obligim ligjor.
Pas arrestimit, prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prizren, Beqë Shala, është pezulluar nga detyra me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ndërsa, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Mirëpo, avokati i tij, Naim Rudari, thotë se nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerjen e veprës penale “marrje ryshfeti” në asnjë nga rastet që po hetohen nga prokuroria.
“Caktimi i masës së paraburgimit ishte absolutisht e panevojshme, e paarsyeshme gjithsesi poashtu e pambështetur ligjërisht, sikurse që ishte dhe vetë arrestimi i kundërligjshëm. Nuk kishte fare nevojë as mbështetje ligjore që një prokuror shteti të arrestohej brenda ditës në zyrën e tij, në prezencën e kolegëve, në prezencën e palëve të tjera, nën syrin e kamerave, pra ma shumë ngjanë në një poshtërim e nënçmim e thyerje dinjiteti sesa zbatim të ligjit në mënyrë të drejtë, për të përfunduar një hetim të domosdoshëm”, ka thënë Rudari.
Avokati Rudari pretendon se në hetimet e zhvilluara me masën e fshehtë të simulimit ka pasur nxitje.
Sipas tij kjo ka ndodhur pasi prokuroria ka dështuar me provën e video incizimit me avokaten Drenushë Berisha, andaj ka nxitur masën e simulimit.
Përkundër, se sipas shkresave të lëndës, fillimisht prokuroria kishte zhvilluar hetimet për simulim me avokatin Miftar Qelaj, e më pas kishte ardhur në adresë të prokurorisë prova e video incizimit me avokaten Berisha.
“Avokati Rudari: Prokuroria pretendon se një vepër penale ka ndodhur në gusht të vitit 2022 ku janë publikuar në media disa materiale e që edhe nga ato rrethana rezulton se nuk është përmbushja e veprës penale konkrete, e që në vijimësi dhe në vazhdimësi për ta arsyetuar dhe argumentuar atë që ka ndodhur më 2022 është provuar që të simulohet e në simulim të ketë dhe stimulim që do të thotë nxitje të stimulim që është absolutisht e palejuar ligjërisht.
Gazetarja: Kush ka nxitur stimulimin?
Avokati Rudari: Po me gjasë prokuroria, në betejë për të siguruar provat sepse
Gazetarja: Video incizimi është pranuar nga ana e prokurorisë në bazë të shkresave të lëndës pasi është bërë simulimi.
Rudari: Per cilin është fjala?
Gazetarja: Për video incizimin per avokatën Drenushë Berisha.
Rudari: Sikur prokuria ta kishte provat dhe argumentimin e veprës penale që në gusht 2022 ka pasur mundësi të vepronte.
Kryeprokurori Kryeziu ka thënë se nuk ka pasur nxitje në simulim.
Kryeprokurori Kryeziu: Jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të keqën, edhe kur vjen nga brenda prokurorisë
Në anën tjetër, u ka bërë ftesë qytetarëve që nëse kanë prova inkriminuese ndaj prokurorëve apo çdo zyrtari tjetër t’i raportojnë ato.
“Lufta kundër korruspionit nuk ndalet as para dyerve të prokurorisë, ne jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të keqën nga kushdo qe vjen, edhe kur kjo e keqe vjen nga brenda prokurorisë, do të jemi më të vendosur. Prandaj qytetarët këtë rast duhet ta trajtojnë si rast të izoluar dhe kurrsesi si tërësi e prokurorisë, sepse ky institucion ka prokurorë të jashtëzakonshëm, ka prokuror të ndershëm të cilët i qëndrojnë besnik betimit që i kanë dhënë për të punuar me ndërgjegje dhe në frymën e ligjit. Andaj secili qytetarë siç ka ndodh në rastin konkret, që ka informacione mund të vijnë lirshëm tanimë kanë adresë, ky rast duhet ta ngris besimin e qytetarëve sepse e kemi dëshmuar si institucioni i Prokurorit të Shtetit duke përfshi edhe kryeprokuroren e PSRK edhe Kryeprokurorin e shtetit, dhe më pas një prokuror special i cili ne detaje e ka hetuar dhe marrë me shumë prioritet”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Në anën tjetër, prokurori special, thotë se pistat e hetimit do të zgjerohet varësisht nga rezultati i masave të fshehta.
“Po tash varësisht nga rezultati i hetimeve që na del atëherë mund të zgjerohet pista e hetimeve edhe ndaj personave të tjerë, kushdo qofshin ata që janë të përfshirë në raste të tilla”, ka thënë prokurori i PSRK-së, Valdet Gashi.
Burimet të “Betimit për Drejtësi” brenda Policisë së Kosovës në Prizren kanë thënë se në disa raste kur ishin arrestuar të dyshuar për kryerjen e ndonjë vepre penale, e që kujdestar kishte qenë prokurori Shala, nuk kishte urdhëruar menjëherë ndalimin prej 48 orësh apo lirimin.