I janë caktuar 30 ditë paraburgim, prokurorit të Prokurorisë së Prizrenit, Beqë Shala, që një ditë më parë u arrestua nën dyshimin për marrje të ryshfetit. Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, ai në një rast ka kërkuar ryshfet prej një avokati, në mënyrë që ai të mos i kërkojë masat e sigurisë për pesë të dyshuar për lëndim të lehtë trupor
Gjykata Themelore në Prishtinë të martën ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Beqë Shala, që një ditë më parë është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Në njoftimin e Gjykatës është bërë e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, Lutfi Shala, e ka marrë këtë vendim, duke vlerësuar se i dyshuari mund ta dëmtojë hetimin ndaj tij, po qe se lihet në liri.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti person mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë. Po ashtu gjykata vlerësoi se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale, si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës thuhet se prokurori Shala, në një rast ka kërkuar ryshfet prej një avokati, në mënyrë që ai të mos i kërkojë masat e sigurisë për pesë të dyshuar për lëndim të lehtë trupor.
“Më 11.10.2025, avokati Miftar Qelaj, i cili ishte mbrojtës me autorizim i të pandehurit Refki Ahmetaj e takon prokurorin para objektit të prokurorisë në Prizren, të cilin e njofton se ka informacion të sigurt që pala kundërshtare posedon armë, prokurori nuk e përfill këtë informacion dhe i drejtohet me fjalët ‘a po don me t’i lëshu krejt, por diçka duhet se ata po kanë me marrë avokat menjëherë, ty dhe Blerim Mazrekun... në të kundërtën nuk foli më për këtë punë, të pestit shkojnë në ndalim’”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim.
E pasi avokati Qelaj nuk pranon të japë ryshfet, sipas prokurorisë, prokurori Shala mori vendim për ndalimin e të gjithë të pandehurve për 48 orë.
“…meqë avokati nuk pranon të japë ryshfet, prokurori nxjerr aktvendim për ndalim 48 orësh për të gjithë të pandehurit, ndërkohë më datë 12.10.2025 rreth orës 10:23, përmes aplikacionit “Whatsapp” prokurori e telefonon avokatin dhe zhvillojnë bisedë duke u dakorduar që të takohen fizikisht, pas pak minutave prokurori i shtetit me veturën e tij të markës “Seat” ngjyrë hiri, paraqitet 30 metra afër shtëpisë së avokatit në rrugën “Martirët e Reçakut” në Prizren, ku edhe takohen dhe ia bën me dije që në këmbim të premtimit për mosparaqitje të masës për sigurinë e prezencës së të pandehurit në procedurë, duhet të përfitojë materialisht vetë prokurori.
E në një rast tjetër, i dyshuari, sipas Prokurorisë Speciale, i mori 350 euro nga një avokate për lirimin e të mbrojturit të saj.
“...në veturën e tij personale ‘Seat Ibiza’ takohet me avokaten Drenusha Berisha nga Prizreni, më të cilën realizon takim personal dhe zhvillon një bisedë për lëndën penale të cilën e kishte në trajtim, nga e cila në këmbim të lirimit të të pandehurit të cilën e mbronte avokatja, pranon të holla në vlerë 700 (shtatëqind) euro, para këto të cilat avokatja i kishte siguruar nga familjarët e të pandehurit të cilin e mbronte në këtë lëndë penale, në atë mënyrë që i pandehuri Beqë Shala pranon dhe merr këtë shumë, ndërsa 350 (treqindepesëdhjetë) euro me vetëdëshirë ia jep avokates, duke ia konfirmuar se klienti i saj, përkatësisht i pandehuri tanimë ishte liruar”, thuhet në kërkesën për paraburgim.
Avokati Naim Rudari, që e përfaqëson Shalën, ka thënë për KOHËN se do të parashtrojë ankesë kundër aktvendimit të Themelores, teksa e ka kualifikuar masën e paraburgimit të paarsyeshme dhe të paargumentueshme.
E në Këshillin Prokurorial kanë njoftuar se është marrë vendim unanim për pezullimin e përkohshëm të Shalës nga detyra zyrtare.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes të cilit është konfirmuar se është iniciuar hetim penal ndaj të pandehurit Beqë Shala, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka vendosur unanimisht që të pezullojë përkohësisht nga detyra zyrtare prokurorin Beqë Shala, deri në një vendim tjetër të Këshillit, përkatësisht deri në përfundimin e procedurës penale që është në zhvillim e sipër”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thuhet në vendimin e KPK-së.