Tifo-grupi “Plisat” të shtunën bëri ftesë për prezencë të madhe në tribuna për ndeshjen derbi të basketbollit Sigal Prishtina -Trepça.
“Plisat” ishin në tribunë në një pjesë të lojës së zhvilluar të dielën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Dhe vëmendja sërish ishte te thirrjet e “Plisave” kundër kryesisë së Sigal Prishtinës. Krahas thirrjeve për largim të kryesisë, “Plisat” shfaqën një pankartë të madhe me mbishkrimin “Hajnat Jashtë”, me figurën e Blerand Stavilecit e Florian Miftarit.
Disa prej anëtarëve të tifo-grupit “Plisat” kanë mbajtur në dorë edhe fletushka me figurën e Stavilecit dhe Miftarit.
Fletushka kundër Stavilecit, Miftarit e po ashtu Ferit Zekollit të dielën ishin vendosur edhe në disa pjesë të qytetit. Zekolli në shtator mori postin e kryetarit të klubit
“Plisat” pas ndeshjes derbi të cilën Prishtina e humbi nga Trepça me rezultat 80:75, publikuan një video të thirrjeve të bëra kundër kryesisë së klubit.
“Klubi i qyteti, jo i Stavilecit”, shkruan shkurt në postim.
Publikisht “Plisat” dolën kundër kryesisë në ndeshjen e zhvilluar ndërmjet Prishtinës dhe Pejës, më 9 nëntor.
Kishin shpalosur një pankartë të madhe me mbishkrimin fyes, “Florian Legeni”.
Pak ditë më vonë dolën me një reagim për gjendjen në KB Prishtina, që sipas tyre, nuk është në drejtimin e duhur. Kishin zbuluar se nga anëtari i kryesisë, Miftari, janë paraqitur disa tifozë në polici për kërcënim.
Ndër të tjera “Plisat” kishin shkruar se klubi po keqmenaxhohet.
“Në krye të kësaj gjendjeje është Blerand Stavilevci dhe Florian Miftari me ekipin e tij, që atëkohë u kthyen në krye të klubit me aprovim dhe mbështetje edhe nga ne, duke na bindur me fjalë të mëdha për ndryshim e profesionalizëm. Por realiteti është i kundërt. Gjendja e klubit është më e dobët se kurrë, rezultatet flasin vetë dhe asgjë nga premtimet e tyre nuk është bërë realitet”, shkruan në postimin e 13 nëntorit.
Një ditë më vonë reagoi edhe klubi nëpërmjet një postimi po ashtu të gjatë. Kishte numëruar sukseset e arritura.
“Klubi ynë është i organizuar dhe në gjendje të qëndrueshme financiare, të gjitha detyrimet afatshkurtra janë përmbushur dhe vazhdojnë të jenë në kontroll të plotë. Janë paguar dhe po vazhdojnë të paguhen borxhe përmbarimore që datojnë nga periudha para 20 vjetësh, janë paguar detyrime të mëdha ndaj ATK-së dhe palëve të ndryshme. Këto dhe të tjera kanë rrezikuar shuarjen e klubit, ndërkaq ne shumë herë me forcat tona vetanake e kemi shpëtuar prej më të keqes, me huazime e kursime private, duke marrë kredi personale e madje edhe duke shitur asete pronësore familjare. Bordi punon me integritet, përgjegjësi dhe kompetencë të plotë, duke siguruar se çdo vendim shkon në të mirë dhe interes të klubit dhe të komunitetit që e mbështet”, shkroi Prishtina më 14 nëntor.
I menjëhershëm ishte reagimi i “Plisave”. Akuzat nuk u kursyen as në postimin e 15 nëntorit.
“Të kërkosh lavdinë te statistikat e së kaluarës do të thotë se të tashmen nuk e ke të ndritur”, shkruante në fillim të shkrimit, ku ishte kërkuar edhe largimi i kryesisë nga klubi.
Pas publikimit të shkrimit të radhës, klubi i basketbollit Prishtina më nuk ka dalë me ndonjë shkrim.
Por “Plisat” nuk janë ndalur së kërkuari ndryshime. Kërkesa u përsërit edhe të dielën.
Përplasje të “Plisave” me kryesitë e klubeve të basketbollit e të futbollit Prishtina ka pasur edhe në të kaluarën.
“Plisat” janë prej grupeve më të organizuara të tifozëve në vend. Po ashtu edhe ndikimi i tyre në klubet Prishtina vlerësohet i madh.
KOHA ka kontaktuar me Stavilecin, të dielën mbrëma. Ai ka theksuar se ka gati tre muaj që nuk është aktiv në klub.
“Unë dhe Floriani jemi dy prej 17 anëtarëve të Bordit. Unë ka gati tre muaj që nuk kam qenë aktiv dhe kam vepruar në përputhje me Statutin e klubit. Në fillim të janarit 2026, pra pas afër një muaji mbahet Kuvendi, edhe pse mandati ka qenë deri në qershor 2027. Dhe ka të drejtë secili që dëshiron e ka mundësi të garojë që të zgjedhet. Nuk e di se çka kanë me ne të dy. Sukseset flasin vetë për ne, pa pasur nevojë të shtohet ndonjë fjalë. Nuk i kemi penguar ndonjëherë ndokujt. Në vitin 2011 e kemi shpëtuar klubin prej shuarjes. Në vitin 2018, pasi i kemi thyer të gjitha rekordet e mundshme, kemi arritur suksesin më të madh të ndonjë klubi kosovar në arenën ndërkombëtar”, ka thënë Stavileci.
Ai thotë se e kanë shpëtuar klubin nga kolapsi financiar.
“Në vitin 2023 e kemi shpëtuar sërish klubin nga kolapsi financiar. Në vitin 2019 morëm mirënjohje për të arriturat, njëjtë edhe në vitin 2022. 21 trofe për më pak se tetë vjet. E kemi përfunduar edicionin pa asnjë humbje. Në Evropë i kemi 78 fitore. Kemi tre trofe në BIBL, ndërsa në ‘FIBA Europe Cup’ ishim në 16 më të mirët. Ia kemi dashur dhe ia duam të mirën Prishtinës. Por si duket prapa kësaj ka qëllime tjera të errëta, për ta dëmtuar klubin dhe ekipin. Ne nuk jemi pengesa, përkundrazi, jemi për të hapur rrugë e për të bërë zgjidhje adekuate”, ka theksuar Blerand Stavileci.