Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Prishtina - nga “le të jetë sezoni ynë” në dështim total

Sigal Prishtina

“Le të jetë ky sezoni ynë”. Kështu nisi paralajmërimin për edicionin 2025/2026, klubi Sigal Prishtina, i konsideruar si më i madhi i basketbollit në vend. 

Që më 13 korrik të vitit të kaluar Prishtina kishte nisur me promovimin e një edicioni që doli të jetë dështim i plotë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Menjëherë më 14 korrik ishte zyrtarizuar legjenda greke, Michalis Kakiouzis, në postin e trajnerit. U prezantuan herët edhe përforcime vendore e të huaja, që vlerësohen parakusht për një kampanjë të suksesshme. Por vetëm e tillë nuk ishte për Prishtinën.

Përgatitjet nisën me kohë, u aranzhuan miqësore cilësore, u zyrtarizua paraqitja në ligën ndërkombëtare ENBL, u forcua kryesia me kryetar e drejtor dhe u bë fushatë e bukur paralajmëruese e edicionit.

“Është koha për tribuna, në çdo lojë, me energji që s’e ndal askush. Ky është qyteti ynë, ky është ekipi ynë. Ta përkrahim Prishtinën si kurrë më parë”, shkroi Prishtina më 3 tetor, para ndeshjes së parë kampionale.

Çdo gjë dukej mirë, por shumë gjëra ishin keq. Dhe në edicionin kur shumëkush ka pritur se Prishtina do të kthehet në rrugën e sukseseve, u prek pika më e ulët e klubit për shumë vjet. 

Ndeshja e fundit është dëshmi për këtë.

Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë, shtëpinë e skuadrës, Prishtina u rrah keq nga skuadra tjetër e qytetit, Bora. 101:60 ishte rezultati në fund në të mirë të Borës. Në tribuna pak shikues. Dhjetëra ndoshta. Në përbërjen e Prishtinës vetëm dy të huaj, njëri prej të cilëve nuk u aktivizua fare.

Dhe Prishtina, që dikur i koleksiononte pa problem trofetë, u ndal në çerekfinale të plejofit me rezultatin 2:0.

Skuadra ishte e dorëzuar ende pa nisur plejofi. U nda me shumë lojtarë të huaj e më pas edhe me trajnerin, po ashtu të huaj.

Çerekfinalen e parë të plejofit, Bora, klub i themeluar pak vjet më parë, e fitoi me rezultat 105:67. Humbja tjetër e thellë, ndoshta turpëruese për standardin që dikur kishte vendosur Prishtina, u pësua të enjten, në palestër thuajse të zbrazët. 

Në garën për Kupë të Kosovës, Sigal Prishtina u ndal në gjysmëfinale. Në ENBL u tërhoq pa përfunduar gara, përkatësisht para ndeshjes së plejofit.

Dështimet nuk ishin vetëm në aspektin e rezultateve. Në fakt ishin telashet organizative që sollën dështimin sportiv. 

Herët gjatë edicionit, tifozët e skuadrës kërkuan ndryshimin e kryesisë. Ndryshimi u bë ndërkohë, por jo ai që pritej nga tifozët. Pas shumë zhvillimeve, drejtimin e Prishtinës e mori kryesia që e dëshironin tifozët. 

Akuzat ndaj ish-kryesisë ishin të shumta për keqpërdorime dhe borxhe të shumta. Kryesia e re tha se ka gjetur klubin në borxhe të mëdha dhe ndaj palëve të ndryshme, e në të njëjtën kohë buxhetin zero.
Telashet financiare bënë që Prishtina mos ta kishte forcën që synonte në parket. Kjo solli humbje të shumta, ndërsa vetëm në xhiron e parafundit u garantua mbetja në Superligë, përkatësisht kualifikimi në plejof përmes pozitës së gjashtë. Por ky ishte maksimumi i Prishtinës për këtë edicion, që përfundoi si më keq për këtë skuadër.

“Ishte një edicion mjaft i vështirë, tash kah fundi. Jemi munduar të bëjmë atë tonën, që e kishim për detyrë – ta dërgojmë deri në fund dhe të nxjerrim maksimumin nga lojtarët. Nga këta që na kanë mbetur”, tha trajneri i Prishtinës, Laurant Ibrahimi.

Ka shumë paqartësi lidhur me situatën e vërtetë me të cilën po përballet Prishtina e po ashtu për të ardhmen e klubit.

Por klubi dikur i mësuar me trofe, e përfundoi edhe një edicion pa iu afruar atyre. Për më tepër me humbje prej 40 pikësh nga një rivale lokale dhe me palestër thuajse të zbrazët.