Tifogrupi “Plisat” ka qëndruar shkurt në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë ku po zhvillohej ndeshja ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës, në kuadër të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Por ka dhënë mesazhe të qarta për kryetarin e klubit, Bekë Berisha, i zgjedhur të mërkurën.
“Plisat” kërkuan largimin e Berishës nga udhëheqja e klubit. Nuk i kanë kursyer edhe fyerjet ndaj tij dhe ish-drejtuesve të KB Prishtinës, Blerand Stavilecit dhe Florian Miftarit.
Sipas tyre, Stavileci e Miftari janë ende drejtues në hije të klubit me më së shumti trofe të fituar. Stavileci, Miftari e Bekë Berisha nuk ishin të pranishëm në palestër të enjten.
“Plisat” nuk i kanë ndalur fyerjet në kor ndaj Berishës, Stavilecit e Miftarit. Kanë vazhduar edhe gjatë largimit të tyre nga palestra.
Ndeshja u ndërpre tre minuta pa u mbyllur çereku i parë pas hedhjes së një mjeti shpërthyes. Edhe gjatë largimit “Plisat” hodhën një të tillë.
Deri në momentin e ndërprerjes së ndeshjes, rezultati ishte 17:8 në të mirë të Golden Eagle Yllit.
“Plisat” e vlerësuan zgjedhjen e Berishës kryetar si “ngjarje të turpshme në histori të sportit të kryeqytetit”.
Sipas tyre, Kuvendi për zgjedhjen e kryetarit të ri të klubit do të anulohet, pasi sipas “Plisave”, është i paligjshëm.
Ka pasur reagime të shumta për zgjedhjen e Berishës si kryetar të KB Prishtina. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka thënë se Bekë Berisha nuk mund të jetë edhe deputet, edhe kryetar i klubit Prishtina pasi kjo përbën konflikt interesi.
MKRS-ja ka thënë se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit parasheh që një zyrtar mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo bartës i funksionit drejtues. Sipas MKRS-së, çdo situatë e konfliktit të interesit duhet të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.
MKRS-ja i ka bërë thirrje Berishës që pasi të betohet si deputet t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt interesi.
Berisha ishte edhe njëri prej kandidatëve për kryetar të Komunës së Prishtinës.