Federata e Basketbollit e Kosovës do të respektojë ligjin dhe do të bashkëpunojë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me zhvillimet te klubi Sigal Prishtina.
Të mërkurën Sigal Prishtina mbajti kuvend, ndërsa politikani Bekë Berisha u zgjodh kryetar. Por tifozët prishtinas "Plisat" kanë kundërshtuar dhe po kundërshtojnë zgjedhjen e tij. Berisha dhe ish-drejtuesit e klubit, Blerand Stavileci e Florian Miftari janë fyer nga "Plisat" të enjten në ndeshjen ndaj Golden Eagle Yllit. Ky tifo-grup vlerëson se Stavileci e Miftari janë drejtues "në hije" të klubit, ndërsa kanë kundërshtuar ata në forma të ndryshme proteste për muaj të tërë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZgjedhja e Berishës është përcjellë me reagime të shumta, ndërsa të premten është deklaruar edhe FBK-ja, me kërkesë të KOHËS.
Dhe respektimi i ligjeve është thelbësor për Federatën e Basketbollit.
MKRS-ja ka lënë të kuptohet se ligji është thyer me rastin e zgjedhjes së Berishës.
"Federata e Basketbollit e Kosovës dëshiron të theksojë se si institucion i pavarur sportiv, ne jemi të përkushtuar ndaj respektimit të plotë të legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe standardeve të qeverisjes së mirë në sport. Në këtë drejtim, FBK-ja është duke ndjekur me kujdes të gjitha zhvillimet e raportuara dhe komunikimet e institucioneve relevante", ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Ajo ka paralajmëruar bashkëpunim për këtë temë me ministrinë dhe palë të tjera.
"FBK-ja do të bashkëpunojë ngushtë me MKRS-në, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe me vetë klubin, për të siguruar që çdo proces të jetë në përputhje me kornizën ligjore dhe me rregullat që garantojnë integritetin sportiv. Çdo veprim i ndërmarrë nga ana jonë do të bazohet në vlerësime zyrtare, në kompetencat tona statutare dhe në parimin e transparencës. Si gjithmonë, prioritet mbetet funksionimi i rregullt i garave, respektimi i normave ligjore dhe mbrojtja e interesit të sportit të basketbollit në Kosovë", ka shtuar Dushku.
MKRS-ja doli me qëndrim zyrtar të enjten, duke tërhequr vërejtjen për konflikt interesi me rastin e zgjedhjes së Bekë Berishës.
"Duke marrë parasysh se Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, MKRS-ja rikujton detyrimin e të gjitha palëve të përcaktimeve të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit që parasheh që zyrtari i lartë, mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo menaxher/ përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe bartës i funksionit drejtues, si dhe obligimin që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet e të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.Në këtë kontekst, MKRS-ja kërkon nga të gjitha palët që të kujdesen për zbatimin e ligjit konkretisht që Berisha, pas betimit dhe marrjes së detyrës në legjislaturën e re, t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të interesit, në përputhje me ligjin në fuqi", ka shkruar MKRS-ja.
Tifozët e Prishtinës e kanë vlerësuar të "turpshme" zgjedhjen e Bekë Berishës në krye të klubet. Ndër të tjera ata bënë që ndeshja e së enjtes me Yllin të ndërpritet për pak minuta.
"Plisat" morën përkrahje nga personalitete të ndryshme të lidhura me Prishtinën, ndër të tjera edhe nga kapiteni ikonik i skuadrës, Edmond Azemi.