Pasi Bekë Berisha u zgjodh kryetar i Sigal Prishtinës më 14 janar, pati reagime të shumta, sidomos nga “Plisat”.
Për zgjedhjen e Berishës kryetar, reagoi edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. MKRS-ja kishte shkruar se Bekë Berisha nuk mund të jetë edhe deputet edhe kryetar i klubit, pasikjo përbën konflikt interesi.
FBK-ja kishte theksuar se do ta respektojë ligjin.
Dhe pas shumë zhvillimeve, politikani Berisha e autorizoi Rinor Grajqevcin si ushtrues detyre të kryetarit të klubit më 21 janar.
Të premten për këtë temë shkroi Fidan Shatri, që është ushtrues i detyrës së kryeshefit në Agjencinë për Sport në MKRS.
“Pas kërkesës për interpretim zyrtar lidhur me ushtrimin e funksioneve në sport nga zyrtarët e lartë publikë, MKRS-ja ka pranuar përgjigje sqaruese nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Sipas interpretimit të APK-së, zyrtarët e lartë publikë nuk mund të ushtrojnë funksione drejtuese apo menaxhuese në organizata sportive të regjistruara si OJQ. Ata mund të jenë vetëm anëtarë, pa funksion drejtues dhe pa pagesë, përveç kompensimit të shpenzimeve të lidhura me aktivitetin. Po ashtu APK thekson se organizata ku zyrtari i lartë është pjesë nuk mund të lidhë kontrata apo të përfitojë fonde nga institucioni ku ai ushtron detyrën, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, ka shkruar ndër të tjera Shatri.
Bekë Berisha ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga AAK-ja, ndërsa i siguroi votat edhe për një mandat si deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.