Basketboll

Bekë Berisha tërhiqet nga posti i kryetarit të Prishtinës tri ditë pas zgjedhjes

Beke Berisha

Bekë Berisha ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të klubit të basketbollit Sigal Prishtina, vetëm tri ditë pas emërimit.  

Berisha u zgjodh kryetar i klubit me shumicën e votave më 14 janar. Por pati reagime të shumta pas zgjedhjes së tij, sidomos nga “Plisat”.

Dhe ai qëndroi vetëm tri ditë në krye të klubit prishtinas.

“Unë në bashkëpunim me klubin do ta emërojmë një ushtrues detyre. E kam një segment kohor deri sa ta jap betimin si deputet. Unë nuk e di se si do të jetë vendimi i Agjencionit Anti-Korrupsion, mirëpo, sido që të jetë ai, klubi do të jetë i njerëzve, i dashamirëve të sportit. Do të thotë, unë e kam të pamundur ndoshta ta ushtroj këtë detyrë. I falënderoj delegatët që ma kanë dhënë besimin, të gjithë atyre që kanë pasur besim. Dhe kam qenë i gatshëm me sinqeritet të punoj, ta avancoj këtë klub. Mirëpo, është shumë e rëndësishme të ketë unitet. Do të thotë, këta djem të jenë të gjithë së bashku, edhe qytetarët, edhe ‘Plisat’, edhe delegatët, edhe ata që kanë punuar deri sot këtu. Qëllimi im është të kemi unitet. Sepse vetëm duke qenë të bashkuar mund të arrijmë deri te suksesi”, deklaroi Berisha menjëherë pas një mbledhjeje të mbajtur të shtunën.

Më të zëshmit kundër zgjedhjes së Berishës ishin tifozët “Plisat”. Ata pretendojnë se klubi po keqmenaxhohet dhe kanë kërkuar ndryshime.

“Plisat” ishin edhe kundër kryesisë së vjetër. Të enjten gjatë ndeshjes me Yllin nuk i kursyen fyerjet ndaj Berishës dhe ish-drejtuesve të Prishtinës, Blerand Stavilecit e Florian Miftarit.

Reagim ka pasur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. MKRS-ja ka njoftuar se Bekë Berisha nuk mund të jetë edhe deputet edhe kryetar i klubit Prishtina, pasi kjo përbën konflikt interesi. FBK-ja deklaroi se do ta respektojë ligjin.

Politikani Berisha ka thënë se takimi i së shtunës është mbajtur për t’i sqaruar keqkuptimet dhe për t’i dëgjuar propozimet e ‘Plisave’ për të kaluar problemet rreth klubit.

“Këta i kanë kërkesat e tyre, i kanë të mira, unë jam për t’ua përkrahur. Mirëpo, nga aspekti legal dhe ligjor, duhet të marrim vendimin ta emërojmë një ushtrues detyre të presidentit të klubit dhe të vazhdojmë me punë”, ka shtuar Berisha.

Ai ka thënë se do të caktohet një ushtrues detyre i kryetarit.

“Jemi në negociata. Tani nuk mund të marrim vendim sepse duhet të bazohemi në status për t’i bërë të gjitha veprimet. Një veprim që e kam bërë, atë pjesën që është dashur ta mbush me anëtarë të bordit, e kam bërë, sot i kam emëruar disa dhe do t’iu tregojmë më vonë kush janë. Është mirë ta respektojmë pjesën ligjore. Besoj se do ta gjejmë një kompromis të mirë, për të mirën e klubit të basketbollit Prishtina”.

Bekë Berisha ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga AAK-ja. Më pas i siguroi votat edhe për një mandat si deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Prishtina po kalon moment të vështirë. Të shtunën pësoi humbje edhe nga Bora.