Basketboll

Bekë Berisha zgjidhet kryetar i Sigal Prishtinës, ka mesazh për “Plisat”

Beke Berisha

Bekë Berisha është zgjedhur kryetar i klubit të basketbollit Sigal Prishtina. 

Berisha ka marrë shumicën e votave për t’u bërë kryetar i ri i KB Prishtina. Kundër kanë votuar tifo-grupi “Plisat”. Po ashtu ka votuar kundër edhe një anëtar i klubit, ndërsa një tjetër ka abstenuar.

Berisha, të mërkurën për KOHËN e ka cilësuar privilegj zgjedhjen si kryetari i klubit me më së shumti trofe në vend 

“Unë jam për t’u ndihmuar klubeve. Nuk kam udhëhequr ndonjëherë klub. Për mua është privilegj, por edhe ngarkesë. Duhet të bëjmë një incizim edhe të situatës, dhe pastaj jam i gatshëm të tregoj ku jemi dhe çfarë do të bëjmë. Unë shpresoj që nuk do t’i zhgënjejë ata që kanë kontribuar shumë dhe që e duan klubin e Prishtinës”, ka thënë Berisha për KOHËN. 

Ka pasur përplasje të shumta ndërmjet tifo-grupit “Plisat” dhe kryesisë së vjetër. 

Shkaku i pakënaqësive “Plisat” dolën publikisht kundër kryesisë së vjetër. Kishin shpalosur pankarta të mëdha me mbishkrime fyese.

Ndër të tjera “Plisat” kishin shkruar se klubi po keqmenaxhohet.

“Plisat” nuk janë ndalur së kërkuari ndryshime. Edhe për zgjedhjen e Berishës si kryetar kanë votuar kundër.

Por Berisha është i bindur se “Plisat” shpejt do të kthehen në tribuna për ta përkrahur Prishtinën.
“Besoj pa telashe do të kthehen në tribuna. Besoj se po, sepse janë djem të mirë”, ka theksuar Berisha.
Në fakt, reagimet kanë nisur qysh pas lajmit për zgjedhjen e Berishës në krye të Prishtinës.

Përplasje të “Plisave” me kryesitë e klubeve të basketbollit e të futbollit Prishtina ka pasur edhe në të kaluarën. 

“Plisat” janë prej grupeve më të organizuara të tifozëve në vend. Po ashtu edhe ndikimi i tyre në klubet Prishtina vlerësohet i madh.

Bekë Berisha ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, ndërsa do të jetë edhe deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.