Peja ka bërë ndryshime, por ende nuk është kthyer te fitorja. Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, skuadra pejane e pësoi humbjen e shtatë rresht. Pra ka kompletuar një cikël të plotë ndeshjesh të humbura në Superligë.
Peja pësoi nga Trepça me rezultatin 85:83. Ishte ky derbi i xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Fitoren e fundit, dhe të vetmen në parket, Peja e kishte shënuar ndaj Trepçës në “Minatori” në kuadër të xhiros së dytë. Më 26 shtator pejanët fituan me rezultatin 87:81. Ndeshjen e xhiros së parë ndaj Sigal Prishtinës, Peja e kishte fituar me rezultatin zyrtar.
Ndeshja në “Karagaçi” ishte interesante. Çerekun e parë e fitoi skuadra vendase me rezultat 23:22. Pas 20 minutave rezultati ishte 47:45 në të mirë të Pejës. Por mitrovicasit reaguan në çerekun e tretë, të cilin e fituan 27:12. Dhe pas 30 minutave lojë, Trepça ishte në epërsi 72:59.
3:38 minuta para fundit Trepça kishte epërsi 80:68. Më pas Peja u fut në seri dhe u afrua në katër pikë, 80:76, kur mbetën edhe 1:49 minuta deri në fund. Peja u afrua edhe në tri pikë, e në fund edhe në dy. Por “xehetarët” menaxhuan epërsinë për dy pikë të reja kampionale.
Kampionia në fuqi, Trepça, i ka 16 pikë në vendin e parë. Është në seri prej gjashtë fitoreve në Superligë. Peja ka 11 pikë në pjesën e poshtme të tabelës.
Edhe
Bora thellon krizën e Pejës
Shawn Jones ishte më i miri te Trepça me 13 pikë e 11 kërcime. Dardan Kapiti i kishte 16 pikë e katër kërcime. Nga 13 pikë i realizuan edhe Ja’Cori Payne dhe Drew Thelwell.
Te Peja u dallua Dominic Artis me 26 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime. Xavier Johnson i kishte 12 pikë e dhjetë kërcime, ndërsa Gray Ricks i realizoi 16 pikë.
Dardan Berisha, të cilin Peja e ktheu gjatë javës, nuk ishte pjesë e ekipit për këtë ndeshje.