Strehimorja e parë institucionale në veri të Mitrovicës, është përuruar më 21 maj të këtij viti.
634 mijë euro janë investuar nga Qeveria për objektin, me qëllim që ai të shndërrohet në strehimore për viktimat e dhunës dhe personat që kanë nevojë për mbrojtje në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Gjatë përurimit, zyrtarët institucionalë deklaruan se strehimorja është ndërtuar sipas standardeve të Konventës së Stambollit. Por sot, ky investim ende nuk po e përmbush qëllimin për të cilin është ndërtuar, pasi dyert e objektit vazhdojnë të jenë të mbyllura.
KOHA ka dërguar përgjigje në adresë të drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në këtë komunë, se pse nuk është funksionalizuar objekti dhe kush mban përgjegjësi për këtë, por nuk ka marrë përgjigje.
Përgjigje nuk kanë kthyer as nga dikasteri komunal përgjegjës për këtë fushë.
Ndërkohë, nevoja për një strehimore të tillë dëshmohet edhe nga rastet e dhunës në familje.
Sipas Policisë, në nëntë muajt e parë të këtij viti, në rajonin e Mitrovicës së Veriut janë 62 raste të dhunës në familje.
“Janë raportuar 58 raste të dhunës në familje, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave ka qenë 62. Prej tyre, 46 viktima kanë qenë femra dhe 16 meshkuj. Ndërkaq, 8 raste kanë qenë të përsëritura”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Në ceremoninë e përurimit, ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati deklaruar se çelësat e strehimores ia ka dorëzuar ministrit Andin Hoti.
KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga ministri Hoti, por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.
Konventa e Stambollit përcakton që strehimoret sikurse ajo në Mitrovicë të Veriut të mos jetë thjesht një vendstrehim, por një qendër e specializuar e sigurisë së lartë, që ofron mbrojtje fizike, mbështetje psiko-sociale, këshillim ligjor dhe kujdes mjekësor për viktimat e dhunës në familje, pa asnjë formë diskriminimi etnik.