I paraparë me ligj, por që tash e disa vite mbetet i pazbatuar. Granti i veçantë për shërbimet sociale vazhdon të jetë vetëm në letër, ndërkohë që disa nga Qendrat për Punë Sociale përballen me mungesë të mjeteve financiare, stafit dhe kushteve për punë. Asociacioni i Komunave kërkon funksionalizimin e tij si çështje emergjente.
Për krijimin e një granti të veçantë për shërbimet sociale në Kosovë është diskutuar që nga viti 2019.
Atë vit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale kishin organizuar një punëtori, ku ishte diskutuar formula e financimit dhe
kriteret për ndarjen e grantit.
Ndërkaq, Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, i miratuar në vitin 2024, në nenin 74, paragrafi 5, parasheh që financimi komunal për këto shërbime të bëhet përmes një granti të veçantë.(dokument)
Megjithatë, ky mekanizëm ende nuk është funksionalizuar.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat
kanë buxhete të kufizuara dhe se krijimi i këtij granti tashmë është bërë kërkesë emergjente.
“Komunat, edhe me atë buxhet të varfër që e kanë, po mundohen ta japin maksimumin rreth përkrahjes së Qendrave për Punë Sociale, mirëpo është e domosdoshmedhe e nevojshme që të kemi një grant specifik. Kemi raste kur punëtorët socialë nuk kanë makina zyrtare për bartjen e personave të cilët kanë qenë të dënuar. Kemi raste kur siguria mungon komplet në Qendrat për Punë Sociale. Kemi raste kur nuk ka kapacitete njerëzore për trajtimin e shumërasteve të cilat po ndodhin në Republikën e Kosovës dhe përkëtë arsye, është e domosdoshme, është e nevojshme, ështëkërkesë emergjente që ta kemi një grant specifik përshërbime sociale”, tha Ibrahimi.
Ndërkohë, shumë Qendra për Punë Sociale vazhdojnë të përballen me mungesë të stafit dhe kushte të papërshtatshme për punë.
Për probleme të tilla, Koha ka raportuar vazhdimisht.
E puna e këtyre qendrave është thelbësore për personat që kanë nevojë për mbrojtje institucionale, nga fëmijët e deri te viktimat e dhunës në familje.
Pikërisht mënyra se si funksionojnë këto institucione është vënë në qendër të vëmendjes edhe pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës.
Në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, Ministria për Familje ka konstatuar një varg shkeljesh në trajtimin e rastit të saj para vrasjes.
Për rastin është themeluar edhe një komision hetimor parlamentar,
E kryetari i komisionit, Burim Ramadani, thotë se përmirësimi i kapaciteteve të këtyre qendrave mund të jetë pjesë e rekomandimeve.
“Normalisht ne në javën e ardhshme do të fillojmë pjesën e rekomandimeve dhe para, që do të jetë, do të jetë Qendra e Punës Sociale në Pejë, dhe nëse gjatë punës së komisionit, do të gjinden arsye dhe argumente për rekomandime se si të rregullohet sistemi edhe kapaciteti i QPS-ve, Qendra e Punës Sociale. Besoj që ajo do të jetë një prej rekomandimeve, normalisht nëse komisioni e vlerëson. Pra, do të japim rekomandime se si të përmirësohet sistemi dhe shpresoj, e besoj, që në këto rekomandime mund të përfshihen edhe përmirësimi i sistemit dhe i punës së kapaciteteve të Qendrave të Punës Sociale në Kosovë”, tha Ramadani.
KOHA ka kërkuar sqarime nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve lidhur me arsyet e mos krijimit të grantit specifik dhe afatet për funksionalizimin e tij, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.