Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Ngrihen dyshime se ASK-ja po e keqllogarit inflacionin në Kosovë

Inflacioni

Ndonëse familjet në Kosovë shpenzojnë mbi gjysmën e buxhetit të tyre vetëm për ushqim, Agjencia e Statistikave këtij grupi i jep peshë prej rreth 33 për qind kur llogarit inflacionin. Kjo mospërputhje e madhe mes shpenzimeve reale dhe formulës zyrtare, sipas njohësve të ekonomisë, nënkupton se inflacioni nuk po matet drejtë

Agjencia e Statistikave (ASK) e peshon ushqimin dhe pijet joalkoolike me rreth 33 për qind kur mat inflacionin, përderisa sipas të dhënave të vetë kësaj agjencie, kjo kategori merr 55 për qind të shpenzimeve të konsumit të familjeve kosovare. 

Në raportin e fundit mujor, ASK-ja njoftoi se inflacioni në tetor arriti në 7.1 për qind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. 

Për ta nxjerrë këtë shifër, Agjencia mat çmimet në 13 kategori shpenzimesh nga ushqimi e veshmbathja, te banimi e transporti dhe kategori të tjera. 

E secilës prej tyre ia vendos peshën që e kanë në kalkulimin e inflacionit. 

Por, derisa në llogaritjen e inflacionit gjatë viteve 2025 dhe 2026 ushqimit i është dhënë peshë rreth 32 për qind, Anketa e fundit e Buxhetit të Ekonomive Familjare e vitit 2022 tregon se familjet në Kosovë shpenzojnë 55 për qind të buxhetit të tyre vetëm për ushqim dhe pije joalkoolike.

Sipas ligjëruesit në Universitetin Teknologjik të Dublinit, Albian Krasniqi, një hendek kaq i madh mund të nënkuptojë që ASK po e keqllogarit inflacionin.

“Pra është një diskrepancë e madhe në bazë të Anketës të Buxhetit të Ekonomive Familjare dhe peshës që e kanë vendosur në inflacion. Natyrisht që kjo nuk do të thotë që pesha në matjen e inflacionit të jetë e njëjtë sikur është në Anketën e Buxhetit të Ekonomive Familjare, por duhet përafërsisht të përcjellë trendet e ngjashme”, ka thënë ai. 

Po të llogaritet me peshën që vetë qytetarët ua kanë dhënë kategorive të shpenzimeve del se në shkurt të këtij viti inflacioni zyrtar u raportua 6 për qind, por për shportën reale të familjeve ai ishte 7.7 për qind. E në tetor, që u raportua 7.1%, me peshën e shportës familjare bie në 5.3 për qind. 

Dallimi i Kosovës është ekstrem edhe në raport me rajonin. 

Derisa në vendet fqinje diferenca mes shpenzimeve reale për ushqim dhe peshës së tyre në indeksin e inflacionit sillet nga 2 deri në 5 pikë përqindjeje, në Kosovë ky dallim shkon në afër 23 pikë përqindjeje. 

Në Shqipëri, për shembull, sipas INSTAT-it, familjet shpenzojnë 39.6 për qind për ushqim, ndërsa pesha e kësaj kategorie në matjen e inflacionit është 34.1 për qind. 

KOHA ka pyetur në Agjencinë e Statistikave se ku bazohet formula e peshave, pse ushqimit i është dhënë peshë 32.7 për qind dhe a e deformon kjo matjen e inflacionit, por nuk ka marrë përgjigje. 

Sipas profesorit Krasniqi, mungon një shpjegim zyrtar lidhur me këtë formulë.  

“Mungon një doracak, një shpjegim zyrtarë nga Agjencia e Statistikave pse është ulur pesha e produkteve ushqimore ndër vite. Një arsye teorike pse mund të ulet pesha e produkteve ushqimore në shportën e konsumit është sepse pagat reale dhe ekonomia po rriten. Por, në qoftë se i shikoni të dhënat, edhe vlerësimet e Bankës Botërore, është se pagat reale të përshtatura për nivelin e çmimeve janë rritur vetëm 1% në vit”, ka thënë ai.

Kategorisë së ushqimit dhe pijeve joalkoolike gjatë viteve të fundit, vazhdimisht i është zvogëluar pesha në matjen e inflacionit. Përderisa në vitin 2023 ishte 38%, në 2024 ra në 35% e në vitin 2025 po ashtu shënoi rënie në 32.1%.