Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kandidati që doli i pari në provimin e kontabilitetit në Kore të Jugut, pranon se mashtroi duke përdorur AI

Han Won-Seok

Një kandidat që doli i pari në provimin për kontabilist të certifikuar tatimor në Korenë e Jugut ka pranuar se kishte mashtruar duke përdorur një kamerë të vogël, telefon celular dhe mjete të inteligjencës artificiale (AI).

Han Won-seok e pranoi këtë në një video të publikuar në llogarinë në YouTube të avokatit të tij, Lee Don-Ho. Ai shtoi se kishte bërë një rrëfim edhe para Policisë së Seoulit, duke dhënë hollësi se si kishte mashtruar.

34-vjeçari kishte marrë 397.5 nga 400 pikë në raundin e parë të provimit, duke iu përgjigjur gabimisht vetëm njërës prej 160 pyetjeve. Rezultati i tij fillimisht ngjalli dyshime dhe nxiti spekulime në internet.

Provimet kombëtare të standardizuara kanë një ndikim jashtëzakonisht të madh në rrugëtimin profesional të qytetarëve të Koresë së Jugut. Për këtë arsye, rezultatet e tyre dhe përpjekjet për t'i manipuluar ato kanë shumë peshë.

"Kam mashtruar si në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin të provimit për kontabilist tatimor, duke përdorur pajisje elektronike dhe inteligjencë artificiale", tha Han në videon e publikuar të dielën. "Kam përdorur një kamerë mikroskopike për t'i fotografuar pyetjet e provimit dhe për t'ia dërguar ato një mjeti të inteligjencës artificiale. Më pas, i kam kontrolluar përgjigjet në telefonin tim celular për të mashtruar".

Kur fillimisht u ngritën akuzat se kishte mashtruar, Han i kishte mohuar të gjitha shkeljet. Megjithatë, ai tha se kishte ndryshuar qëndrim pasi kishte menduar për ndjenjat e kandidatit që ishte renditur i dyti në provim.

Ai kërkoi falje edhe ndaj kandidatëve të tjerë që i kishin kaluar provimet në mënyrë të ndershme.

"Duket se për shkakun tim, edhe kandidatët e tjerë që kanë kaluar provimin po përballen me dyshime", tha ai.

Ministria e Punës dhe Shërbimet për Zhvillimin e Burimeve Njerëzore mbajtën një takim urgjent pasi Han pranoi se kishte mashtruar.

Ha Jun-kyung, shefi i politikave i presidentit të Koresë së Jugut, tha se do të ndërmerren masa të reja për ta parandaluar mashtrimin, duke paralajmëruar se "krimet e së kaluarës" do të "gjurmohen dhe autorët do të kapen deri në fund".

Qeveria bëri të ditur se kandidatëve që kanë përdorur inteligjencën artificiale për të mashtruar në provimin për kontabilist tatimor do t'u anulohet kualifikimi dhe do t'u ndalohet pjesëmarrja në provim për pesë vjet.

Skandali vjen vetëm pak ditë para provimit vjetor të pranimit në universitete në vendin e Azisë Lindore, i cili përbën një moment vendimtar për studentët.

Han tha se kishte mashtruar vetëm për të fituar para dhe për të siguruar një punë që do t'i bënte prindërit e tij sërish krenarë për të.

Policia e Seoulit i tha të dielën agjencisë koreano-jugore të lajmeve Yonhap se po e shqyrtonte rastin.

"Ne kemi pranuar këtë mëngjes një deklaratë me shkrim nga avokati i kandidatit, përmes së cilës ai pranon se ka mashtruar në provimin për kontabilist tatimor", thuhet në një deklaratë të policisë.

Policia shtoi se rasti tashmë u është caktuar hetuesve.